Vetëlargohet nga sistemi gjyqësor një tjetër gjyqtar i emëruar nga Partia Demokratike në krye të kupolës së drejtësisë shqiptare. Ish-anëtari i Gjykatës së Lartë deri në vitin 2017, Andi Çeliku, nuk ka pranuar të shërbejë më në sistemin e drejtësisë, duke evituar kësisoj kalimin në skanerin e trefishtë të Vetingut për ligjshmërinë e pasurive, pastërtinë e figurës dhe aftësitë profesionale. Çeliku është emëruar anëtar i Gjykatës së Lartë në korrik të vitit 2008, me votat e Partisë Demokratike si dhe me dekret nr. 5792 të ish-presidentit Bamir Topi. Gjyqtari është larguar nga Gjykata e Lartë në qershor të vitit 2017 për shkak të mbarimit të mandatit, ndonëse sipas ligjit mund të qëndronte në detyrë deri kur të zëvendësohej. Çeliku nuk ka preferuar që të ndjekë shembullin e Ardian Dvoranit, i cili është anëtar i Gjykatës së Lartë ndonëse ka pesë vite që i ka mbaruar mandati, por që organet kompetente kanë qenë në pamundësi për ta zëvendësuar. Megjithatë, pas largimit nga Gjykata e Lartë, sipas statusit të magjistratit, Çeliku kishte të drejtë të shërbente si gjyqtar në Gjykatën e Apelimit. Por, me shkresën datë 26.03.2019, ai ka njoftuar Presidentin e Republikës se nuk ka paraqitur kërkesë për emërim në Gjykatën e Apelit dhe se nuk kërkon të përfitojë nga të drejtat që i burojnë nga statusi i magjistratit.
Gjithashtu ka konfirmuar vullnetin e tij, për të mos mbajtur statusin e magjistratit. Po ashtu, Andi Çeliku, më datë 08.04.2019 dërguar një shkresë Këshillit të Lartë Gjyqësor, ku ka konfirmuar se nuk ka paraqitur kërkesë për emërim në Gjykatat e Apelit dhe se nuk ka interes për realizimin e të drejtave që burojnë nga neni 61, pika 4 dhe neni 62 të ligjit Nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, si dhe ka rikonfirmuar vullnetin e tij, për të mos mbajtur statusin e magjistratit. Këshilli i Lartë Gjyqësor në datë 25.04.2019 ka dërguar pranë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, vendimin për deklarimin e mbarimit të statusit të magjistratit, për ish gjyqtarin e Gjykatës së Lartë z. Andi Çeliku.
Largimi 11 ditë pasi nisi Vetingu
Andi Çeliku ka njoftuar Presidentin se nuk do të shërbejë më në drejtësi 11 ditë pasi ndaj tij ka nisur procesi i Vetingut. Ish-anëtari i Gjykatës së Lartë Andi Çeliku është përzgjedhur nga Komisioni i Pavarur të Kualifikimit me anë të shortit në datë 15.03.2019, për t’iu nënshtruar procesit të rivlerësimit për ligjshmërinë e pasurive, pastërtinë e figurës dhe aftësitë profesionale. Ndërkaq, në datën 26.03.2019 Çeliku ka njoftuar Presidentin se nuk kërkon të shërbejë në Gjykatën e Apelit.
KPK ndërpret Vetingun
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka vendosur të ndërpresë procesin e Vetingut për ish-anëtari i Gjykatës së Lartë Andi Çeliku pas vendimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor për deklarimin e mbarimit të statusit të magjistratit. Vendimin Komisioni i Vetingut e ka marrë në datën 12 qershor 2019. “Komisioni u njoh me kërkesat e subjektit i rivlerësimit, “për dorëheqjen nga e drejta e caktimit në një pozicion në nivel gjykate apeli” dhe “për mosmbajtjen e statusit të magjistratit” si dhe me vendimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor, për mbarimin e statusit të magjistratit më datë 24.04.2019, për ish gjyqtarin e Gjykatës së Lartë, z. Andi Çeliku. Trupi gjykues çmon se, subjekti i rivlerësimit ka shfrytëzuar të drejtën që i njeh Kushtetuta dhe ligji, për dorëheqje nga e drejta e caktimit në një pozicion në nivel gjykate apeli dhe nga statusi i magjistratit. Ndërprerja e procesit të rivlerësimit për shkak të dorëheqjes së subjektit të rivlerësimit sjell si pasojë përfundimin e kësaj procedure administrative dhe si rrjedhojë, subjekti i rivlerësimit humbet të drejtën për t’u emëruar gjyqtar ose prokuror i çdo niveli, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor ose i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektor i Lartë i Drejtësisë ose Prokuror i Përgjithshëm, për një periudhë 15-vjeçare, sipas parashikimeve të pikës 2, të nenit “G” të Aneksit të Kushtetutës”, thuhet në vendim.
Largimi
Ish-anëtari i Gjykatës së Lartë deri në vitin 2017, Andi Çeliku, nuk ka pranuar të shërbejë më në sistemin e drejtësisë, duke evituar kësisoj kalimin në skanerin e trefishtë të Vetingut.
Emërimi
Çeliku është emëruar anëtar i Gjykatës së Lartë në korrik të vitit 2008, me votat e Partisë Demokratike si dhe me dekret nr. 5792 të ish-presidentit Bamir Topi. Gjyqtari është larguar nga Gjykata e Lartë në qershor të vitit 2017
Vendimi për Andi Çelikun
Trupi gjykues i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, mbështetur në nenin “G” të Aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, si dhe në nenin 57 të ligjit nr. 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, si dhe në nenin 64, të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, vendosi:
1. Të deklarojë se procesi i rivlerësimit kalimtar për subjektin e rivlerësimit, Z. Andi Çeliku, është ndërprerë.
2. Të deklarojë humbjen e së drejtës së këtij subjekti për t’u emëruar gjyqtar ose prokuror i çdo niveli, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor ose i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektor i Lartë i Drejtësisë ose Prokuror i Përgjithshëm, për një periudhë 15-vjeçare.
3. Ky vendim u njoftohet: subjektit të rivlerësimit, Komisionerit Publik dhe vëzhguesve ndërkombëtarë dhe publikohet në faqen zyrtare të Komisionit, në përputhje me pikën 7 të nenit 55 të ligjit nr. 84/2016.
4. Kundër këtij vendimi lejohet ankim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit brenda 15 ditëve nga data e njoftimit të tij dhe duhet të dorëzohet pranë Komisionit të Pavarur të
Kualifikimit. Ky vendim u shpall, më datë 12.06.2019.
Anëtarë të tjerë të Gjykatës së Lartë të dorëhequr
Mirela Fana, ish-anëtare e Gjykatës së Lartë, e dorëhequr. Është emëruar në Gjykatën e Lartë nga Parlamenti, me votat e Partisë Demokratike, me vendim nr. 248, datë 23.4.2009, me propozim të ish-Presidentit Bamir Topi.
Aleksandër Muskaj, i larguar nga Gjykata e Lartë në vitin 2017, për shkak të mbarimit të mandatit, edhe pse sipas ligjit mund të qëndronte në detyrë deri në zëvendësimin e tij. Është emëruar në 31.07.2008 nga PD, me propozim të Bamir Topit.
Evelina Qirjako, e larguar nga Gjykata e Lartë në vitin 2017, për shkak të mbarimit të mandatit, edhe pse sipas ligjit mund të qëndronte në detyrë deri në zëvendësimin e saj. Është emëruar në 31.07.2008 nga PD, me propozim të Bamir Topit.
Guxim Zenelaj, i larguar nga Gjykata e Lartë në vitin 2017, për shkak të mbarimit të mandatit, edhe pse sipas ligjit mund të qëndronte në detyrë deri në zëvendësimin e tij. Është emëruar në 31.07.2008 nga PD, me propozim të Bamir Topit.
Arjana Fullani, e larguar nga Gjykata e Lartë në vitin 2017, për shkak të mbarimit të mandatit, edhe pse sipas ligjit mund të qëndronte në detyrë deri në zëvendësimin e saj. Është emëruar në 31.07.2008 nga PD, me propozim të Bamir Topit.(Shqiptarja)/l.m