Nga Besnik Bakiu
Para disa ditësh u nda nga jeta Drejtori i Parë i Policisë së Shtetit të pluralizmit shqiptar Fadil Canaj. Ai ia dorëzoi shpirtin e tij Zotit të gjithësisë, duke na lënë pas trashëgiminë e tij të pasur dhe kujtime të paharrueshme.
Kishte vite që kurohej intensivisht nga një sëmundje e rendë. Mjekët kishin thënë “nuk ka shumë shpresa…”,por prapë unë nuk kisha dëshirë ta besoja, nuk ma rrokte mendja që gjithë ai burrë do të mposhtej nga ajo sëmundje e mallkuar.
Kur mëngjesin e ditës së shtunë më telefonuan se Drejtor Fadili kishte ndëruar jetë, shtanga dhe loti më rrodhi nga zemra. Unë isha në pritje Miku im Fadil për të pirë kafen së bashku dhe bashkëbiseduar si gjithmonë për problemet, zhvillimet, sukseset dhe shqetësimet e Policisë, siç dhe e kishim lënë kur më more në telefon para do kohësh. Këtë radhë nuk e mbajte fjalën… Më trondite dhe “zhgënjeve” Miku im, se Ti nuk ishe nga ata burra që nuk e mbaje fjalën.
Pas kësaj telefonate të trishtë të mëngjesit të ditës së shtunë, para meje u shfaq ajo pjesë e jetës sate, të cilën ta kam njohur, por dhe që të tjerët ma kanë përcjellë, siç meriton të përcillet, jeta dhe kontributi i një shtetari të virtytshëm dhe çmuar.
Si në një skaner kalova në mendjen time ngjarjet, gëzimet, tronditjet e këtyre viteve të trazuara dhe sakaq kuptova se jo pak prej tyre ishin venitur, zbehur, larguar apo harruar krejt. Shumëçka i qe nënshtruar një procesi të natyrshëm mjegullimi, por asnjë prej tyre nuk lidhej me Ty, Mik i shtrenjtë. Gjithçka që lidhej me atë që Ti ishe, me atë që Ti kishe dhe me atë që Ti kishe bërë, më përtërihej e gjallë, gjer në detajin më të thjeshtë.
Me shkuarjen tënde në amshim Miku im, përveç familjes së ngushtë, Ti hidhërove edhe shumë miq e dashamirë në polici dhe mbarë vendin, pasi ishe gur themeli për institucionin e Policisë së Shtetit. Kontributi dhe roli i Juaj si Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit në periudhën e tranzicionit të vështirë shqiptar nga 1 gushti 1990 deri maj 1992 ishte i qenësishëm, si për një tranzicion sa më pak traumatik në rendin dhe qetësinë publike, ashtu dhe për “vendosjen e forcës së shtetit dhe ligjit në gjithë territorin e Republikës”.
Në çdo moment ishte simbol i sakrificës, durimit, qetësisë, urtësisë, thjeshtësisë dhe këmbënguljes. Gjatë punës Tende arrite të kaloje në shumë sfida, duke pasur gjithmonë sukses dhe duke krijuar modele të shëndosha e të qëndrueshme. Ishe dhe do të ngelesh shëmbëlltyrë për breza të tëra punonjësish policie.
Të gjithë kishin dëshirë dhe kënaqësi të të përshëndesnin në rrugë. Por kjo ishte e dyanshme, pasi edhe Ti ua ktheje në po atë mënyrë përshëndetjet. Ky komunikim njerëzor ishte tipari Yt i shprehur. Ishte shenja që ke mbjellë në të gjithë Shqipërinë, si në rrethe profesionale ashtu edhe në ato shoqërore, si në viset nga ishe Kuçi (i origjinës tënde), Delvina (ku linde dhe rrite), Durrësi, Tirana dhe gjithë Shqipëria, ku shërbeve me aq devotshmëri dhe përkushtim. Ndaj dhe ka për Ty kaq shumë mirënjohje. Mirënjohja është ajo që i jep pikëllimit për humbjen Tënde një tjetër përmasë, e zbut atë.
Fjala “ishte” duket e ngushtë dhe e pavend për njerëz me cilësi e dhunti të rralla, si ato të Drejtor Fadilit. Njeriu pasionant dhe i paqëm, polici i përkorë, drejtuesi vizionar e tolerant, qytetari modest dhe familjari i mrekullueshëm, mbeten tiparet e tua. Miku im, Ti mbetesh përherë një “prej shërbëtorëve të përkushtuar të shtetit dhe të vendit, njëri prej drejtuesve më të dashur të Policisë së Shtetit”.
Miku im ishte Policia ajo trokiti tek Ty, apo ishe Ti që u nise me përkushtim drejt saj? Është vështirë ta them. Por mendoj se sido që të ketë qenë, ishte një fat, një fat për të gjithë, ishte një nder ajo trokitje e dyanshme, Ti te Policia dhe Policia te Ty.
Qe viti 1972, një vit i hershëm tanimë, kur mbarove studimet dhe u emërove në Drejtorinë e Tiranës, por nga ajo kohë e deri sa u largove nga kjo jetë nuk iu ndave më këtij shërbimi(si kur ishe në detyrë, ashtu dhe kur të largonin). “Policia është jeta ime”. E thoshe me shaka, por qe një e vërtetë e thjeshtë, si të gjitha të vërtetat e atyre që ndjejnë t’u lëvrojnë në rremba dinjiteti i fjalës detyrë dhe shtet.
Dhe kishe të drejtë sepse me gjithë andrallat e jetës dhe punës në Polici, me një diagramë jo të zakonshme, ku ngritjet e uljet në karrierë, emërimet, lirimet, dorëheqjet e transferimet, ishin jo të rralla. Madje edhe emigrim jashtë vendit. E megjithatë, Ti përsëri mbete po Ai – i njëjti, shtetari i përgjegjshëm.
Miku im, duke përgatitur këtë shkrim po shikoja dosjen Tënde dhe u çudita kur lexova motivacionin e largimit Tuaj nga Policia në janarin e vitit 2004, si Zëvendësdrejtor i Përgjithshëm e Policisë së Shtetit “largohet nga Policia e Shtetit pasi ka plotësuar kushtet e kontratës së pranimit”. Motivacion jo vetëm i paligjshëm, por edhe i turpshëm. Duke i thirrur kujtesës më kujtua ajo kohë, kur duke pirë kafe së bashku unë Ju thashë kujdes se do të largojnë. Ju u habitët dhe e kundërshtuat këtë parashikim (por për fat të keq unë kisha të drejtë). Edhe më vonë kur “miqtë e tu”, morën detyra të larta, nuk kishin dëshirë të rikthenin. Madje jo vetëm Ty…Çudi!!!, Ata gjetën rrugën më të shkurtër për t’ju mbajtur larg, duke ju trajtuar me pension të parakohshëm.
Ti si gjithmonë edhe këto padrejtësi i merrje me sportivitet dhe tolerancë.
Policia, shërbimi të cilit ti i kushtove jetën, për Ty ishte mënyra të jetuari. Ishte mënyra se si Ti jetoje, se si e kuptoje botën, si hyje në marrëdhënie me të dhe si dialogoje përmes saj me të tjerët.
Drejtor Fadili, për mua (dhe jo vetëm për mua), me punën dhe kontributin Tënd, je dhe do të mbetesh pjesë e historisë së Policisë Shqiptare, pjesë e trashëgimisë së vyer të saj. Ti do të jesh e do kujtohesh përherë si Drejtori i parë i Përgjithshëm i Policisë të re shqiptare.
Jo shumë njerëz në funksionet që Ti ke pasur, do të gjenin kohën e mjaftueshme për t’u shqetësuar edhe për problemet e vendit, ashtu siç bëje Ti – “një qytetar i shkëlqyer”. Kjo pasi për ta “jeta është e shkurtër” dhe se do të kishin jo pak biznese për të menaxhuar.
Por Ti jo. Shkove nga kjo jetë modestisht, i ndershëm dhe krenar për këto cilësi, pa pasuri dhe plëng, thuajse kishe si prijëtar në jetë shëmbëlltyrën e shqiptarëve më të shquar, atyre që dhanë shpirt “me një cironkë në xhep.”
Në dosjen Tuaj Drejtor Fadili, kishte vetëm dekorata të marra para viteve 1990. Pas viteve 90 kishe vetëm një certifikatë mirënjohje në vitin 2016 (kur ishe në pension)akorduar nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë asaj periudhe Zoti Haki Çako.
Sinqerisht, një ndjenjë rebelimi më mbështjell, kur në këto tre dekada e më shumë demokraci nuk kishe asnjë dekoratë për të ta zbukuruar gjoksin, me gjithë kontributin e pazëvendësueshëm që ke dhëne për zhvillimin e Policisë së Shtetit.
Më shumë lëndim ndjeva kur kujtova emrat e të dekoruarve në vite dhe konstatova jo pak nga të dekoruarit ishin individë, anonimë, të paregjistruar jo në kujtesën kolektive, por as në kujtesën e fisit apo lagjes së vet.
Kjo revoltë mu shtua më shumë (jo vetëm si mik, koleg, por edhe si taksapagues i rregullt i këtij shteti) edhe për faktin se as për një ndihmë për të lehtësuar përballimin e shpenzimeve të kurimit të sëmundjes Tuaj (pasi ajo e flamosur zgjati jo pak), nuk u kujtua askush, për të propozuar dhe nxjerrë një VKM, siç është vepruar në jo pak raste për individë të tjerë (jo me mertitat dhe kontributet Tuaja).
O persona me pushtet dhe ishpushtet! Që të quheni dhe të mbeteni njerëz, duajini dhe vlerësojini vlerat humane dhe profesionale të njerëzve që në të gjallë të tyre. Kur ata mbyllin sytë, gjithçka bëhet e magët, shndërrohet në dekor. Si guxuat ta pensiononit Drejtor Fadilin 14 vite para se të mbushte moshën??!!
O miqtë e mij punonjës të Policisë së Shtetit dhe ju, miqtë e mij ishpunonjës të Policisë së Shtetit! Si dhe çfarë duhet të bëjmë për ta dashur, mbështetur, vlerësuar dhe qëndruar pranë njeri-tjetrit në të mirë e të keqe, në fillim pune, ecurie në karrierë e dalje në pension; në lindje, datëlindje apo vdekje, gjeste këto që do ta bënin edhe më humane organizatën tonë? Deri kur do të sillemi kështu, në mënyrë të pavëmendshme me vlerat që i kemi para syve dhe s’i shohim?!
Nuk është ky vetëm një peng. As hatërmetje – është një kujtesë, një qortim për pavëmendje.
U dashka që patjetër të vdesësh që të nderohesh dhe të respektohesh. A nuk mundet t’i duam më shumë kolegët sa janë ende mes nesh.
Në përfundim Miku im dua të falenderoj dhe përgëzoj Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë për organizimin dinjitoz të ceremonisë të përcjelljes Tënde për në banesën e fundit. Megjithatë kjo nuk amniston asgjë nga ato sa thamë më sipër.
Miku im Fadil, me dhemb ikja Jote, nuk do mundem ta pranoj që nuk do jesh më fizikisht mes nesh. Do më mungoj komunikimi që kishim ndërtuar!
Megjithatë jam krenar që udhëtimet e kësaj jete, kam pasur fatin, nderin dhe privilegjin të njiheshim, të takoheshim dhe punoja me Ty dhe në kohën Tënde.
Lamtumirë, i thjeshti dhe i përkushtuari Drejtor Fadili!
Të qoftë dheu i lehtë…. . Lamtumirë !