Kreu i ALUIZN-it, zoti Artan Lame, ishte dje në njësinë nr. 7 në Tiranë ku shpërndau leje legalizimi.
Lame u shpreh se në këtë zonë janë plot 3600 ndërtime pa leje që presin të legalizohen.
“Kjo zonë ka rreth 3600 ndërtime pa leje. Janë ndërtime të fillimit të viteve ’90 dhe deri ndërtime të 2014-ës. Shpresoj që pas 2014-ës të mos ketë ndonjë. Ka ndonjë të ndërtuar pas 2014-ës? Jo. Aman të shkretën se pastaj vjen ajo që thotë Kryeministri: “bëja”. 3600 ndërtime që presin legalizimin. Them presin sepse është një zonë që nuk është prekur gati fare, ka shumë pak ndërtime të cilat janë legalizuar, nuk e zë fare në gojë pjesën e legalizimeve para vitit 2013 sepse është gati inekzistente. Inekzistente jo se dua të mburrem por se është realisht dhe do ishte gjë shumë e mirë të ishte bërë që një pjesë e legalizimeve të ishte bërë para vitit 2013, sepse do ishim më pak sot këtu. Një pjesë e njerzve do e kishin zgjidhur hallin e tyre, sot do ishin vetëm ata që kishin mbetur. Madje dhe mund të na tregonin që “Ja, ata përpara i bënë gjysmat, bëjini dhe juve gjysmat”. Për fat të keq puna është që duhet t’i bëjmë të gjitha neve dhe po i bëjmë gjatë kësaj periudhe.”, tha Lame.
Lame tha se për 1300 lndërtime janë bërë matjet në terren, pra afro 1/3 e totalit.
“Nga këto 3600 ndërtime që ka kjo zonë, për rreth 1300 prej tyre janë bërë matjet në terren. Që do të thotë se më tepër se 1/3 kanë përfunduar matjet në terren. Jam i bindur që midis jush ka shumë nga ata që ju kanë ardhur, ju kanë trokitur punonjësit e ALUIZNI-t në shtëpi, kanë bërë matjet dhe është një proces që do të vazhdojë me të njëjtin ritëm pa patur asnjë lidhje me fushatën. Thjesht do të vazhdojë me të njëjtin ritëm për të mbajtur atë premtim që kemi thënë, që në fund të mandatit në zonat e mëdha informale të ketë përfunduar procesi i legalizimeve.
Zonat në këtë njësi që kanë përfunduar procesi i matjeve në terren janë: zona e Doganës, tek Kthesa e Kamzës deri ku puqet me Kasharin, është e gjithë zona mbrapa pallateve HAËAI dhe gjithë pjesa e Fushës së Aviacionit, zona mbrapa konvikteve të Inxhinierisë së Ndërtimit, zona përreth Pallatit të Sportit, pjesërisht zona tek rruga “Artan Lenja” dhe rruga “Babë Rexha”. (Ishalla thuhet në xhami, tek ne thuhet do ta bëjmë).“, theksoi Lame.
Kreu i ALUIZN-it u shpreh se për ata që kanë ndërtuar pas 2009, ligji po diskutohet në komisiinet parlamentare
“Probleme kjo zonë ka patjetër. Ka probleme të cilat varen nga bashkëpunimi me juve, ka probleme të cilat varen vetëm nga administrata dhe në fund të fundit njerëzit nuk dua t’ja dinë çfarë letrash bëjmë ne, njerëzit duan që të përfundojë problemi. Është një pjesë të cilën ne e kemi disktuar edhe me deputeten këtu që ka të bëjë me ndërtimet e bëra pas vitit 2009, jam i bindur që edhe këtu ka qytetarë që kanë ndërtuar pas 2009-ës, të cilët me ligjin aktual nuk mund të futen për legalizim, ndërtimet nga 2009 – 2014. Pikërisht këto ditë po diskutohet në Komisionet Parlamentare dhe javën tjetër kalon në Kuvend ligji që përfshin edhe ndërtimet e pas vitit 2009 në procesin e legalizimit. Kjo zonë ka rreth 1200 ndërtime të kësaj kategorie që futen në procesin e legalizimit, ju hapet rruga për legalizim. Megjithatë sot për sot këto ndërtime janë në fazë pritjeje, por të themi pas javës tjetër, pas votimit të ligjit futen në zgjidhjen përfundimtare të këtij problemi.”, tha Lame.
Nga ana tjetër Lame shtoi se në bashkëpunim me Veliaj në krye të bashkisë pas 21 qershorit dhe me planin për njësinë 7, punët do të vijojnë drejtimin e duhur.
“Problem tjetër që ka Njësia 7 ka të bëjë me një pjesë të madhe të kësaj njësie që në Planin Rregullues të Bashkisë parashikohen ndërtime të larta. Meqënëse ligji i legalizimeve parashikon që aty ku ka toka me ish-pronarë dhe planet rregulluese parashikojnë ndërtime të larta ndërpritet legalizimi, ne jemi duke bashkëpunuar me stafin e kandidatit Veliaj për ta përfshirë rishikimin e këtyre zonave në Planin Rregullues. Nuk ka sens që zonat që kanë mbaruar tashmë ndërtimet, nuk mund të flitet që do ndërtohet sërish në gjithë këto zona përreth nesh, të përfshihen në legalizim duke bërë ndryshimet e duhura në Planin Rregullues. Është një çështje që kërkon thjesht marrëveshje dhe marrëdhënie normale midis shtetit dhe njësisë vendore. Për fat të keq marrëveshje dhe marrëdhënie që deri më tani nuk ka ekzistuar.”, deklaroi Lame.









