Frrok Çupi
Mos mendoni se kam gabuar gjininë teksa shkruaj ‘lajmëtari’ si mbiemër mashkullor për ‘Sonila’ si emër femëror. Gabimi është diku tjetër, në thelb. El Chapo, lordi famëkeq meksikan i drogës, i burgosur përjetë, gabimin më të rëndë e bëri se pasi vrau 4000 vetë, rekrutoi aktoren Kate del Castillo, e cila bëri disa intervista rreth tij. Aty ra Lordi i Drogës.
Sonila jonë shqiptare është aq sa gazetare edhe aktore, ose më shumë aktore, sepse si gazetare nuk i mbetet gjë në këtë jetë: Mbetet një show i vilës mafioze të Ilir Metës dhe lavdërimet për bosët e saj Francesco Becchetti dhe Ylli Ndroqi . Mbrëmë, sapo u konfiskuan pronat e dyshimta të bosit të saj, ajo tha një naivitet me lot: ‘Kudo ku shkoj unë- tha- aty më ndjekin sekuestrimet’. Kjo është lajmëtarja, pas Kate del Castillo. Edhe ajo bënte sikur kishte lënë zemrën te Jacquin Gusman Loera, i njohur si El Chapo; por në fakt aty kishte kuletën. Kur u intervistua nga ‘The New Yorker’, Kate i nxori të gjitha në shesh.
Pse po sjell mes nesh këtë krijesë interesante, Sonilën, sa origjinale aq edhe ‘a fatto’?
1.
Sonila Meço është një punonjëse e mirë televizive. Në fakt u kurseva ta quaj gazetare, sepse nuk është gazetare. Herë thotë se është ekonomiste, herë pedagoge…, po ç’ rëndësi ka. Ndoshta problemi është te unë që gazetarin e quaj një njeri mendjehapur, të ditur, që raporton, ose krijon, ose mendon dhe shkruan. Këtu mes nesh, që prej vitit 1945 kur në Radio Tirana vërshuan partizanet nga mali, spikeri quhet gazetar. Që atëherë gazetar i mirë quhet ai që ka zërin dhe posturën tërheqëse por që vetëm lexon lajmet e të tjerëve. Domethënë kafaz. Sonila është një nga këta. Kur bëri intervistën në shtëpinë e Metës ku laheshin macet në banja floriri, për televizionin Agon, mori miliona ‘likes’. Por kur erdhi puna që të mblidheshin rripat e drejtësisë prej shtetit amerikan, Sonila dhe Monika e fshinë intervistën nga çdo youtube. Për këtë them se vepra e Sonilës është si ‘sh… e pulës’, siç thonë në Veri, dmth., zhduket pa u dukur. Edhe filmi i planifikuar i Kate del Catillo me El Chappo, u shua para se të ngrihej më këmbë.
Kjo botë rri më këmbë jo pse e keqja nuk është e madhe, por sepse e mira është më e fuqishme se e keqja. Sonila si edhe zonja Kate, fatkeqësisht, janë vendosur në anën e gabuar; sa herë këto shkëlqejnë- shkëlqejnë mbi mullarë që po bien, domethënë janë lajmëtare të fatkeqësisë së dikujt.
2.
A është tharmi i ‘Sonilës’ si i zogut albatros- lajmëtar i shkatërrimit?, apo është vetë thelbi i bosëve që kryejnë akte kriminale dhe prandaj bien? Kjo është çështja, si pula vezën apo veza pulën.
Sinqerisht më vjen keq për këtë Sonilë të shkretë që krijon lidhje ombelikale me pronarë vetëshkatërrues; më vjen keq sa për gazetarinë që përfaqëson, aq edhe për vetë Sonilën. Kjo grua, si gjithë bota ka nevojë për lekë e pasuri dhe pasuria rri në duar të tjera. Mirëpo dua të bëj një pyetje që askush nuk i jep përgjigje: Pse El Chapo, psh., zgjodhi aktoren Kate? Mes nesh, si njerëz, kemi të tillë që, ngado shkojnë, lëshojnë një lëng ‘lakmuesi’ për mafien dhe mafia i nuhat e i kap. Për shembull, si erdhi Sonila në Televizionin Agon Channel?
Qe koha kur Sandri i Klanit e kishte pushuar nga puna. U tha se Sonila është bosh. Lajmin e dëgjoi Francesco Becchetti. “A ta marrim këtu në Agon?”, më pyeti, teksa Agon Channel po ngrihej. “Gjykoje, pastaj vendos, por po e more ajo ka kusht që të marrë edhe burrin me vete”, i thashë.
“Che cazzo!”, psherëtiu Franko. ‘E marrim edhe të shoqin…’. Hapi arkivin e Klanit dhe e pa. “Jo, më tha, me ato buzë të fryra…” dhe Becchetti bënte veprime me gishtërinj para fytyrës duke imituar se si i kishte bërë buzët Sonila, dhe qeshnim. Darka të tëra Franco gatuante ‘aglio olio e peperoncino’ e përqeshte Sonilën. Më shumë i bëhej qejfi gruas shqiptare të italianit kur ky tallte një femër tjetër që nuk donte ta kishte rivale.
Por një ditë Becchetti vendosi të marrë Sonilën, dhe prapë e përqeshte për silikonin. Sot e kësaj dite mes spikereve televizive bëhet gara e silikonit dhe jo gara e zotësisë profesionale. Verën e atij viti, 2014, Sonila i kaloi pushimet në jahtin e Bechettit; ai lundroi me Sonilën deri në Drimadhes, ftoi gazetarët e Klanit bash për të sfiduar Sandrin se ‘ ta mora atë që le”. Këta janë pra, fillimisht i ulin kokën shërbëtorit, pastaj lundrojnë.
Ja kështu përdoren këta të species së gazetarisë prej kushedi kujt. Tani Sonila është vendosur në krah të Ylli Ndroqit, njësoj si në jahtin e Becchettit. Por kjo nuk ka shumë rëndësi, nëse Sonila Meço, ose Andi Bejtja, ose Adi Krasta…, do të merrnin lekët e do të shërbenin profesionin. Hallall!. Këta u morën nga Becchetti, u premtuan për 250 mijë euro, që nuk besoj se i morën, dhe ngaqë nuk i morën iu sulën shtetit të tyre ‘pse na përzure Becchettin”. Puna është ‘pse na përzure pagat që mund t’i merrnim’. Ka shumë njerëz që shiten e blihen, kjo është kohë pazaresh, por mua më rëndon një ‘mesia’ që është profesioni, dhe, e dyta, më rëndon se si shkelen lehtësisht interesat e mëdha të vendit për të mbrojtur mafien.
3.
E treta, kjo nuk është thjesht Sonila, sinqerisht nuk do të doja të ishte kjo tipja që nuk kam as më të voglën keqmbetje. Po ç’ne!… Sonila është vetëm një prej tyre. Por na morën shpirtin njerëz që bëjnë vila me paratë e mafies dhe thonë se janë gazetarë; ngrenë lavdi me parulla politike dhe thonë se janë priftërinj; partitë hyjnë në luftë përkrah mafiozit të huaj kundër shtetit të tyre pse kanë marrë 170 mijë euro në një mbrëmje Gala; mblidhen grusht në mbrojtje të krimit duke shpresuar se do të marrin pushtetin nesër; kanë vjedhur tetë e katër e gjashtë vjet dhe prapë thonë se do të na vijnë në krye…
Më tmerron. Në rastin më të mirë ka hyrë mes nesh ‘gazetaria acid’ që djeg çdo vlerë kombëtare, çdo dialog a kulturë; ka hyrë edhe katolicizmi me harem, islamizmi anti Kastriot; mafiozi votohet më shumë se zoti- tmerre që nuk i ka parashikuar historia njerëzore. Para se të uleshin mbi ne këto fatkeqësi të mëdha, miliona njerëz kanë bërë ‘like’ për banjat e arta në Gjirin e Lalzit dhe miliona po presin të sundojë e keqja… Lajmëtari mund të jetë femër apo mashkull, ç’rëndësi ka!
Madheshtor! Cfare ben pena ne doren e ustait! Respekte o burre i Malesise!
Je i madh Frrok Cupi. Te lumte mendja dhe tastjera
Tjetri ka kthyer te gjithe median si zyra e shtypit te tij, dhe sapo sulmoi nje media qe nuk ndiqte linjen e tij per te dyten here e ti gjen kohe e fryme te merresh me Sonilen.
O Froki, e drejt kjo qe thua per Sonilen, se ti je ekspert ne kete fushe dhe i kupton mire (vetem qe ke nje mangesi kundrejt Soniles, pjeshken). Po na ilumino (ndrico) pak si e ke perdorur “gjuhen” perpara ’90 dhe pas’90!?
Ka ardhur koha qe spikeri, gastori, ahengxhiu e shume zanate te tjere qe sherbejne thjesht si garniture per mbushjen e kohes televizive, te mos klasifikohen si gazetare. Sapuni dhe djathi jane dy artikuj te ndryshem dhe nuk duhet te zevendesojne njeri tjetrin