Kryeministri Edi Rama, gjatë një bashkëbisedimi me operatorët turistikë në Vlorë, ka deklaruar se qyteti bregdetar ka potencial të jashtëzakonshëm. Rama tha se Vlora ka mundësi të bëhet si ato vende në Portugali, Spanjë apo Turqi, ku jetojnë të huaj. Po ashtu, kryeministri nuk la pa ironizuar edhe lajmet për vizitën e Ivanka Trump në jug të Shqipërisë, teksa tha se “e bëjnë sikur vjen çdo dy muaj”, duke shtuar se në të ardhmen ajo do të vijë, por ende nuk jemi në atë fazë.
“Dua për këtë qytet që atë që kemi mbjellë ta korrim jo vetëm në një sezon. Çështja është që investimet e bëra kur askush nuk besonte te turizmi në Vlorë kërkojnë turistë. Shiheni dhe bëjeni vetë, por unë dua garanci për jetëgjatësinë e këtyre investimeve që keni bërë. Ne po zhvillojmë projekte të jashtëzakonshme, por pyetja është: sa njerëz do të sjellin ato projekte strategjike? Vlora ka mundësi të bëhet si ato vende në Portugali, Spanjë apo Turqi, ku të vijnë dhe të jetojnë edhe të huaj.
Shqipëria, në gjithë këto turbullira përreth, është një vend ku jetohet me siguri. Dje isha në Dhërmi me disa miq, jo me Ivankën, kuptohet, sepse e bëjnë sikur vjen në Vlorë çdo dy muaj. Do të vijë ajo çdo dy muaj, por nuk jemi ende në atë fazë”, tha Rama.











