Një ditë më parë EuReporter publikoi një shkrim sipas të cilit ish-kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka marrë para nga kompani të kontrolluara nga biznesmenë rusë. Për këtë u publikuan edhe disa fatura, por vetë faqja e fshiu lajmin më pas dhe u shprehën se e fshinë pasi po investigojnë.
E ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Monika Kryemadhi u shpreh se ky artikull është i sajuar. Sipas saj, portali është paguar nga Mirel Mërtiri biznesmeni i shpallur në kërkim për inceneratorin e Elbasanit. Kryemadhi tha se këtë çështje do ta dërgojë në prokurori.
Blendi Fevziu: Kanë nxjerrë edhe dy fatura. Këta rusët nuk paskan pasur punë të tjera veçse të shpërndajnë lekë në Shqipëri? Se u bëtë të gjithë që merrni…
Monika Kryemadhi: E para njëherë më vjen çudi që vlerat për të cilat kanë vendosur janë vlera qesharake po ta shikoni.
Blendi Fevziu: Për Perëndimin nuk janë qesharake këto. 13 mijë ,5 mijë.
Monika Kryemadhi: Share holders. Edhe qenkan off shore në Zyrih.
Blendi Fevziu: Pse jeni ju aksionere tek kjo kompani?
Monika Kryemadhi: Nuk jam aksionere, nuk kam qenë asnjëherë.
Blendi Fevziu: Pse i keni dhënë shërbime marketingu kësaj kompanie?
Monika Kryemadhi: Nuk i kam dhënë asnjëherë shërbime marketingu.
Blendi Fevziu: Pra është komplet e sajuar?
Monika Kryemadhi: Absolutisht. Vjen si rezultat i shkrimit të Financial Times që u bë për zotin Rama. Kam filluar ta investigoj. Më rezulton që pagesat e kësaj i ka bërë ortaku i Erion Veliaj, zoti Mirel Mërtiri në një portal të tillë.
Blendi Fevziu: Kush?
Monika Kryemadhi: Zoti Mirel Mërtiri ka bërë pagesa për këtë shkrim në mënyrë të tillë që është bërë tashmë e rëndomtë.
Blendi Fevziu: Si është bërë me fatura?
Monika Kryemadhi: Do t’i gjejmë edhe faturat mos i kini merak.
Blendi Fevziu: E keni hamendje apo informacion?
Monika Kryemadhi: Informacion. Ti më thërret mua për koalicionin dhe më pyet për mashtrimet e kësaj. E dyta, unë do ti drejtohem edhe prokurorisë së Tiranës, SPAK-ut që ta hetojë këtë çështje sepse përdorimi i të dhënave personale të njerëzve pavarësisht, siç jam unë, siç ishte dhe çështja e operacione plastike që thonin që nxirrnin shuma dhe paguheshin në një servis makinash. Dmth operacionet plastike ishin kryer në një servis makinash. Problematikat që ka sot mazhoranca janë shumë të mëdha saqë kanë shkuar në një portal që shquhet i lidhur ngushtë me kompanitë kineze, i lidhur ngushtë me Partinë Komuniste kineze. Ky është një portal i investuar gjatë gjithë kohës së Covid nga qeveria kineze.











