Janë zhvilluar këtë të shtunë të gjithë ndeshjet e javës së 35-të të Katëgorisë Superiore që është dhe java e parafundit për këtë sezon, ku u dhuruan disa rezultate surprizë.
Vllaznia ka marrë një tre pikësh të artë në sfidën e zhvilluar në “Loro Boriçi” kundër Kukësit me rezultatin 2-1. Një fitore që i jep shpresë shkodranëve për të mbijetuar në Kategorinë Superiore pasi tashmë distanca me Kamzën është vetëm dy pikë dhe gjithçka do të vendoset në javën e ardhshme që do të jetë dhe e fundit për këtë sezon futbollistik. Golat për skuadrën kuqeblu në këtë sfidë u shënuan nga ana e Çinarit dhe Kalasë që përmbysën avantazhin e verilindorëve që shënuan të parët me anë të Balde.
Me këtë fitore Vllaznia ngjitet në kuotën e 41 pikëve, dy më pak se Kamza që sot bëri një hap fals në fushën e saj përballë Laçit. Një humbje e rëndë për skuadrën e drejtuar nga tekniku Jualian Ahmataj, të cilët humbën mundësinë më të mirë për të siguaruar mbijetesën. Një 90 minutësh dramatik u zhvillua mes këtyre dy ekipeve ku në fund kurbinasit dolën fitimtar nga kjo transfertë e vështirë. Ndërkohë, me këtë disfatë Kamza rrezikon shumë për t’iu bashkuar Lushnjes në Kategorinë e Parë të cilët mbetën po në kuotën e 43 pikëve në vendin e tetë. Ndërkohë, për Laçin ky është një tre pikësh me vlerë Europe pasi ruan vendin e katërt me 53 pikë.
Partizani ka marrë një tjetër fitore duke mundur në transfertë ekipin e Flamurtarit me rezultatin 1-2. Golat për të kuqtë në këtë takim u shënuan nga ana e Abdurrahimit dhe Prognit, ndërsa për kuqezinjtë golin e vetëm e shënoi Musta. Pas kësaj fitoreje Partizani renditet në vendin e pestë me 53-pikë duke mbajtur gjallë shpresat për një vend që të dërgon në Europë, ndërsa Flamurtari renditet në vendin shtatë me 45 pikë.
Në takimet e tjera Luftëtari fitoi në fushën e saj kundër Skënderbeut me shifrat 3-1 me gola të shënuar nga Liçaj, Ramadani dhe Bregu, kurse për korçarët shënoi Soue.
Kurse takimi i luajtur në “Niko Dovana” mes Teutës dhe Lushnjes u mbyll me rezultatin 6-2 në favor të bregdetarëve që siguruan qëndrim në Kategorinë Superiore.