Zbardhen të tjera detaje nga nisja e operacionit “Albania” nga qeveria e Melonit. Të hënën anijet me refugjatë pritet të rinisin udhëtimet drejt Shëngjinit dhe sipas mediave italiane, plani është që në brigjet shqiptare të sillen afro 70 refugjatë.
“Emigrantët e mbërritur rishtas në Lampedusa kanë kaluar përzgjedhjen për t’u transferuar në Shqipëri, ku pritet të dërgohen 60-70 persona, një numër shumë më i lartë se përpjekja e parë me vetëm 16 vetë”, thekson La Repubblica.
Sipas saj, në fokus të këtij operacioni janë kryesisht emigrantë tunizianë, për të cilët janë vendosur marrëveshje riatdhesimi me autoritetet italiane.
“Ndërkohë, moti mbetet një faktor vendimtar, pasi deti i qetë është thelbësor për transportin e emigrantëve nga Lampedusa drejt Shqipërisë. Stuhitë e fundit kanë vështirësuar lundrimin dhe kanë sjellë vështirësi të mëdha për anijet civile që shpëtojnë emigrantët në ujërat ndërkombëtare. Megjithatë, duke parë parashikimet për mot më të mirë, autoritetet italiane shpresojnë të përfundojnë operacionin brenda ditëve të ardhshme”, shkruan La Repubblica.