Reforma në Drejtësi duhet të jetë e drejtë dhe e pamëshirshme ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar apo të paaftë.
Vjet plasi zhurmë e madhe mediatike dhe në institucionet e shtetit, pasi një gjyqtare me emrin Elvana Çiçolli, me një vendim të saj të dyshimtë, la pa ujë një qytet si Përmeti. Vendimi i saj ngjalli dyshime korruptive nga mediat, aqsa u detyrua KLD të fillojë hetimet për gjyqtaren Elvana Çiçolli. Në kronikën e TV Klan, vjet në gusht thuhej se “Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka sekuestruar dosjen e gjyqtares Elvana Çiçolli, vendimi i së cilës ka lënë pa ujë të gjithë qytetin e Përmetit. Dosja e vendimit, që ka shqetësuar qytetarët e Përmetit dhe autoritetet vendore që hartuan projektin për zgjidhjen e problemit të ujit të pijshëm, është marrë nga inspektoret e KLD –së në Gjykatën Administrative në Tiranë. Veprimet për verifikimin e dosjes nisën pas ankesës së bërë në KLD nga Drejtoria e Përgjithshme e Ujësjellës Kanalizimeve, sipas të cilës, vendimi i gjyqtares Çiçolli për ndërprerjen e punimeve të ujësjellësit të ri është marrë në shkelje të ligjit. Gjyqtarja Çiçolli vendosi të ndërpresë punimet për ujësjellësin e ri, një javë pasi kompania që fitoi tenderin e projektit, nisi punimet. Sipas kompanisë fituese, bllokimi i punimeve, përveçse shkelje flagrante e ligjit të prokurimeve publike, është kosto në kohë dhe me pasoja për qytetarët që presin normalizimin e situatës pas 40 vitesh probleme me furnizimin e ujit të pijshëm. Burime të Tv Klan bënë të ditur se inspektoret e KLD –së janë në fazën e verifikimit të dosjes së vendimit të gjyqtares Çiçolli dhe faza finale do të jetë ajo e përcjelljes së kërkesës në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, për nisjen e procedurave për masë ndëshkimore ndaj gjyqtares që la pa ujë një qytet të tërë”.
Gjyqtarja në fjalë është emëruar nga Presidenti Nishani me numër dekreti 8249 me datë 16 korrik 2013.
Skandali i vendimit të saj kaloi me vrull në KLD, ku për të qetësuar publikun vjet u tha nga KLD se Inspektorët po e shqyrtojnë dosjen e saj dhe më pas do të njoftohet publikisht nëse kishte vepruar sipas Ligjit, gjyqtarja në fjalë. Nëse ka shkelur ligjin do t’i propozohej KLD masat disiplinore, pasi vendimi sipas banorëve në qytetin e Përmetit ishte skandaloz. Mëgjithatë KLD prej një viti duhej ta kishte hetuar dhe dhënë vendimet e tij në lidhje me këtë çështje delikate, pasi u la pa ujë një qytet. Si të mos mjaftonte gjyqtarja Elvana Çiçolli rrëzoi vjet në nentor 2017 padinë e banorëve të Tropojës (Margegaj) dhe shoqatave ambientaliste kundër ndërtimit të hidrocentraleve mbi lumin Valbonë. Nuk mund të akuzojmë, pasi do jetë KLD dhe pak më vonë KPK (Komisioni i Pavarur Kualifikimit) që do të japin verdiktin për gjyqtaren, e cila la pa ujë një qytet në Jug dhe vendosi të shkatërrojë një zonë turistike në Veri.
Ndonëse struktura e KLD në sensin e masave ka ndryshuar me Kushtetutë, por prapë KLD nuk e ka humbur rolin e saj, aq më tepër në një dosje të cilën e kishte në shqyrtim. Dyshimet janë se dikush ka ndërhyrë në KLD për t’ia mbyllur dosjen gjyqtares Elvana Çiçolli.
Por edhe nëse KLD hesht apo bën një sy qorr, do jetë KPK që do ta kalojë në “vrimë të gjilperës” gjyqtaren e hidrocentraleve në Valbonë, sepse me atë vendim në gjykatën administrative ajo dërmoi turizmin dhe endrrën e banorëve të zonës turistike në Tropojë.
I pyetur nga “Koha Jone” sekretari i Përgjithshëm i KLD zoti Pjerin Prendi që si ka vendosur KLD për rastin e hetimit të gjyqtares Elvana Çiçolli, ai tha se do ta sqaroj nesër sepse nuk kam informacion për momentin, por di se ka një hetim nga Inspektoriati në KLD./Erion Toli