Revista prestigjioze “France Football” njoftoi se për 2020 nuk do të jepet çmimi i Topit të Artë që i takon lojtarit më të mirë në botë. Kjo është hera e parë që nga viti 1956 që kur ka filluar të shpërndahet ky çmim që trofeu nuk i dorëzohet askujt.
Revista “France Football” ka sqaruar se për shkak të pandemisë viti futbollistik është jo normal dhe për këtë arsye nuk do të jepet çmimi i madh i Topit të Artë.
Kryeredaktori i “France Football”, Pascal Ferré, tha se nuk ishin plotësuar të gjitha kushtet për mbajtjen e edicionit të vitit 2020.
“Për herë të parë që prej vitit 1956, Topi i Artë nuk do të akordohet, sepse besojmë që ky vit kaq i veçantë nuk mund të trajtohet si normal”, tha ai.
Vitin e shkuar Topin e Artë e fitoi Lionel Mesi që ishte dhe trofeu i tij e gjashtë në karrierë.
/e.rr











