Viti 2021 është konceptuar nga qeveria dhe mazhoranca si viti i rimëkëmbjes dhe ekonomisë, pas pasojave të tërmetit të nëntorit të vitit 2019 dhe pandemisë që preku vendin.
Ermonela Felaj, Deputete e Partisë Socialiste dhe Kryetare e Komisionit Parlamentar të Sigurisë Kombëtare, në një interviste për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, theksoi se kjo qeveri dhe kjo mazhorancë meritojnë një mandate të tretë, pasi puna e mirë e realizuar fletë vetë dhe faktet janë nën syrin e të gjithë shqiptarëve.
“Viti që po mbyllim ishte një vit i vështirë për të gjithë. Filloi me pasojat e tërmetit që nuk ishin thjesht materiale, por dhe njerëzore dhe mandej pandemia që është bërë problem në të gjithë botën dhe ka patur impaktin e vetë tek çdokush”,- tha Felaj për ATSH.
“Deri më tash kemi arritur t’i përballojmë të dyja këto fatkeqësi mjaft mirë. Po t’i referohemi të dhënave lidhur me rekuperimin e pasojave që erdhën nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, teksa kemi patur dhe tërmetin e qershorit 2019 në Devoll dhe shtatorit 2019 sërish në Durrës, në të gjitha rastet kemi arritur ta përballojmë me sukses këtë situate. Askush nuk u la pa strehë, pa ndihmë”,- theksoi Felaj.
“Ka nisur procesi i rindërtimit, një pjesë e mirë e qytetarëve janë akomoduar në banesat e tyre të reja. Ndërkohë për pjesën tjetër, duhet të ketë besimin se brenda vitit 2021 do të jenë të gjithë të strehuar. Nuk duhet të harrojmë që të gjithë familjet e dëmtuara, janë mbështetur financiarisht nga qeveria, pasi marrin bonus qiraje, që ju lejon atyre mundësinë të jetojnë diku tjetër, deri sa rindërtimi të mbaroj”,- tha Felaj.
“Nuk ka qenë sipërmarrje e lehtë dhe rezultatet e mira nuk janë për t’u vetëlavdëruar, por i’a arritëm ta menaxhonim mjaft mirë këtë fatkeqësi, duke qenë në territor, duke lobuar fort brenda e jashtë vendit, sidomos jashtë vendit, duke siguruar fondin e rindërtimit. Edhe financat tona publike sa i takon vitit 2021 janë konceptuar të përdoren në mënyrë të tillë, që të sigurojnë nga njëra anë, rekuperimin e gjithë pasojave të tërmetit të 26 nëntorit dhe nga krahu tjetër të sigurojnë rimëkëmbjen ekonomike”,- theksoi Felaj.
“Lidhur me pandeminë, masat e marra, nga marsi deri më tani, kanë shërbyer për të mbajtur nën kontroll fenomenin. Nuk ka qenë e lehtë dhe nuk është e lehtë për askënd përballja me COVID 19, por mendoj që duhet të jemi besimplotë, që do ia dalim edhe kësaj të keqeje, lëvizjet e fundit të Kryeministrit për sigurimin e vaksinës anti covid janë më shumë se sa një lajm i mirë për shqiptarët, pasi presim që në fillim të vitit të ardhshëm të nis vaksinimi i kategorive vulnerabël dhe më të ekspozuara ndaj COVID 19. Besoj se qeveria e mazhoranca e meritojnë vlerësimin pozitiv për menaxhimin e këtyre fatkeqësive shumë të rënda të vitit 2020”,- thekson Felaj për ATSH.
“Sa i takon sigurisë, nuk do mjaftonte një intervistë për t’i thënë të gjitha. Besoj se Ministria e Brendshme ka qenë në krye të detyrës për realizimin e atyre politikave që bëjnë të mundur rritjen e sigurisë në vend. Perceptimi i publikut, këtu kam parasysh barometrin e sigurisë të shprehur së fundmi nga barometri suedez i sigurisë që ka një vlerësimin shumë të mirë për Policinë e Shtetit dhe mbetet organi më i besuar”,- tha ajo.
“Nuk është një besim i ndërtuar rastësisht, por është punuar vit pas viti për të rritur performancën e Policisë së Shtetit, që është në vijën e parë sa i takon ruajtjes së rendit dhe sigurisë. Të dhëna që na vijnë nga matjet që bëjnë organizata të ndryshme të shoqërisë civile, apo statistika mbështesin një fakt të tillë. Nëse shohim statistikat, shifrat lidhur me veprat më të rënda më të rënda, kundër jetës dhe shëndetit, ka një rënie drastike të numrit të tyre. Kjo dëshmon edhe njëherë, se investimi në rritje të performancës dhe mbështetja financiare ne logjistikë ka dhënë rezultatet e padiskutueshme”,- deklaron Felaj.
Deputetja Felaj tha se brenda këtij seksioni synohet miratimi i ndryshimeve ligjore në ligjin organik të Presidentit.
“Më lejoni më së pari se nuk është se ka një ligj për Presidentin e Republikës. Mënyra se si zgjidhet Presidenti dhe kushtet përcaktohen në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Ai është një organ kushtetues dhe kjo imponon që, nëse do miratohet një ligj për Presidentin e Shqipërisë duhet shumicë e cilësuar. Në kuvendin ka patur një iniciativë dhe është një grup deputetësh që po punon për këtë ligj dhe në fund të kësaj legjislature shpresoj të kemi një ligj për institucionin e Presidentit të Republikës, një ligj ku të reflektohet roli i Presidentit të Republikës. Edhe debatet e fundit, duhet të gjejnë zgjidhjet në ligjin organik të këtij institucionit”,- tha Felaj për ATSH.
Duke folur për ndryshimet në kabinetin qeverisës, Felaj tha se “fillimisht vlerësoj dorëheqjen e Sandër Lleshajt si një akt, i cili tregon qëndrimin personal të zotit Lleshi ndaj institucionit që ai drejtonte. Akti i zotit Lleshi shprehu dhe përgjegjësinë e kësaj mazhorance kundrejt publikut”,- tha deputetja socialiste.
“Rasti në fjalë u trajtua gjerësisht në opinionin publik, madje pati dhe përballje me forcat e policisë, por në fund të ditës u tregua qartë, që përgjegjësia e vrasjes së të riut në Tiranë, ishte individuale dhe s’mund të implikonte të gjithë Policinë e Shtetit, por duhet të shërbente si një moment reflektimi në mënyrë të vazhdueshme në mënyrën e komunikimit dhe sjelljes me qytetarët”,- tha ajo.
Felaj e cilësoi si të gjetur, emërimin e Blendi Çuçit tek Ministria e Brendshme. “Sa i takon emërimit të zotit Çuçi në këtë pozicion, e gjej si një emërim të gjetur. Është një e drejtë e Kryeministrit, që i’a jep kushtetuta. Kolegu Çuçi është një kolegë prej disa kohësh në mazhorancë dhe ka mbajtur detyra të rëndësishme si në mandatin e parë, dhe tanimë edhe në mandatin e dytë”.
Duke folur për emërimin e Niko Peleshit, tek Ministria e Mbrojtjes, Felaj u shpreh besimplotë për një ecuri pozitive.
“Besoj fort që çdo njëri prej tyre që ka drejtuar Ministrin ka dhënë dhe do të jap kontributin e tij e do lërë gjurmën e tij në Ministrinë e Mbrojtjes.Ne jemi prej mbi dhjetë vite anëtarë të NATO-s. Për vitin 2021 pritet fillimi i punës së bazën e Kuçovë, si bazë e parë e NATO-s në Ballkan dhe Shqipëri. Privilegj për kolegun Peleshi, që do jetë në finalizimin e kësaj nisme”, tha ajo.
“Dhe sa i takon sigurisë, janë ndërmarrë reformat të rëndësishme në Policinë e Shtetit, si vetingu në polici, reformë që synon që në trupën e Policisë së Shtetit të ketë njerëz me integritet të lartë pune. Gjatë këtyre viteve punë, çelja e akademisë së sigurisë publike ka qenë një moment i rëndësishëm që i hapi rrugën rekrutimit të punonjësve të ri të policisë së shtetit. Rritja e kuotës së atyre që vijnë nga jashtë policisë së shtetit, që u bë 3%, nga 1% që ishte, bëri që edhe persona që kanë studiuar për informatik, ekonomik apo të tjera, të mund të arsimohen, të trajnohen si punonjës të Policisë së Shtetit, përmes akademisë së sigurisë publike”,- tha ajo.
“Janë miratuar mjaft ligje të tjera, dhe janë arritur rezultate që afirmojnë edhe njëherë, që policia shqiptare të mos jetë e izoluar nga partnerët, por tanimë jemi bërë pjesë e Europol dhe shumë marrëveshje të tjera me partner të tjerë, duke na bërë të barabartë me policinë e vendeve të tjera. Kemi marrëveshje me FRONTEX, që ka shërbyer për të sjell ndryshime rrënjësore në menaxhimin e flukseve migratore në pikat kufitare. Ka qenë prania e FRONTEX që ka rritur performancën e punonjësve të pikave kufitare”,- thekson Felaj.
“Shembujt e tjerë janë shembuj që duhen nënvizuar dhe që bëjnë diferencën mes asaj që është bërë përpara dhe asaj që kemi bërë ne me Policinë e Shtetit. Sot në të gjitha drejtoritë e policisë kërkohet të rritet standardi i punës. Nëse në fillim u bë një sallë operative në drejtorinë e Policisë së Tiranës, dhe pati pajisje, kamera trupore të policisë, më besoni që kjo soy është kërkesë që e bëjnë drejtoritë e policisë në qarqe. Është shumë e nevojshme që policia e shtetit të mbështetet mirë financiarisht, të rinovohet sa i takon moshës, të plotësohet me numra. Kemi mesatare të ulët të raportit të punonjësve të të policisë së shtetit-qytetarë. Të mbështeten më mirë financiarisht, gjë që ka ndodhur me buxhetin e vitit që vjen, 2021”,- tha Felaj.
“Ministria e Brendshme dhe Ministria e Mbrojtjes, kanë qenë ministritë më të buxhetuara. Edhe pse viti 2020 shënohet si vit i vështir për shkak të tërmetit e pandemisë, realisht mbështetja në policinë e shtetit nuk mungon. Kjo sepse, në të shënon momente të rëndësishëm që kanë të bëjnë me kryerjen e investimeve në ndërtesa apo godina ku kryhen aktivitetin policia e shtetit”,- thekson Felaj.
Lidhur me zgjedhjet e 25 prillit, ajo tha se, fushata do bëhet shtëpi më shtëpi, teksa shtoi se rezultatet e arritura, tregojnë se kjo mazhorancë meriton dhe një mandat të tretë.
“Zgjedhjet e 25 prillit, puna s’do nis në muajt e fundit, gjatë gjithë kohës jemi përpjekur me këmbëngulje që të realizojmë të gjitha synimet dhe premtimet e bëra. Në këtë pikë, sigurisht që pandemia na vështirëson disa gjëra, por mendoj që gjithçka është e zgjidhshme. Do komunikojmë në grupe më të vogla, do përçojmë mesazhin shtëpi më shtëpi. Fundi i vitit 2019 dhe 2020 nuk na lejuan të ecnim siç dëshironin, për shkak të pandemisë dhe tërmetit, por kemi të gjithë ambicien, dëshirën dhe meritojmë të besohemi për një mandate të tretë për të vijuar punët tona e për të çuar përpara Shqipërinë. Hapat e bërë deri më tani janë të rëndësishëm dhe të pakrahasueshëm em çfarë ndodhte në Shqipëri në vitin 2013, por këto nuk janë të mjaftueshëm pasi qytetarët presin nga ne dhe ne presim më shumë nga vetja. Na duhet një komunikim shumë i gjerë, me çdo kategori, me çdo fashë moshe dhe për të patur sa më shumë mbështetje për skuadrën e PS. Jam besimplotë që do realizojmë një fitore në 25 prill dhe këtë besim e mbështes në punën e organizimin që na kanë dhënë qytetarët”,- përfundoi Felaj.
/a.r