Ky është 55 – vjeçari Adil Doçi, personi i cili qëlloi për vdekje me thikë në një lokal në Kamëz, Olsi Kaptinën. Ai është shpallur në kërkim nga policia, por ende nuk është bërë i mundur ndalimi i tij.
Burimet nga grupi hetimor thonë se Doçi nuk është banues në Kamëz, por ishte frekuentues i rregullt i lokalit, pasi aty ushtrohej edhe prostitucion. Viktima dhe autori kanë qënë në të njëjtin ambient, por nuk njiheshin me njëri – tjetrin. Dyshohet se 34 – vjeçari Kaptina ka bërë ironi ndaj 55 – vjeçarit Doçi, duke i thënë se ky nuk ishte ambient për të. Në këtë moment sqarojnë burimet, ata janë përleshur dhe Adil Doçi e ka qëlluar disa herë më thikë në bark. Pas kësaj autori është larguar nga vendi i ngjarjes.
Ndërsa 34 – vjeçari Kaptina mbeti fillimisht i plagosur. Ai u dërgua në spital nga një afërm i tij, por nuk mundi t’i mbijetojë plagëve të marra, duke gjetur vdekjen mëngjesin e të henës. Policia ka shoqëruar pronaren e lokalit, ku ndodhi ngjarja. I njëjti lokal, dy vite më parë ishte mbyllur për shkak se aty ushtrohej prostitucion.