Me 102 vota pro, dy kunduër dhe një abstenim, Kuvendi i Shqipërisë miratoi projektligjin për “Amnistinë”.
Prej tij përfitojnë 175 të dënuar, të cilët tashmë do të rishohin lirinë.
Më konkretisht nga amnistia hapen dyert e burgut për 150 meshkuj, 23 gra dhe dy të mitur.
Po ashtu përfitojnë edhe femrat dhe të miturit, të cilët janë dënuar me tre vite burgim.
Kush përfiton nga amnistia
-Amnistohen personat e dënuar meshkuj me vendim gjyqësor të formës së prerë, me burgim deri në 2 vjet ose çdo lloj dënimi tjetër më të butë, duke përfshirë gjobën, pezullimin e dënimit me burgim ose çdo lloj dënimi tjetër alternativ, për dënime të dhëna,deri në datën 30.09.2019, pavarësisht nga koha e mbetur nga dënimi.
– Amnistohen personat e dënuar femra dhe të mitur me vendim gjyqësor të formës së prerë, me burgim deri në 3 vjet ose çdo lloj dënimi tjetër më të butë, duke përfshirë gjobën, pezullimin e dënimit me burgim ose çdo lloj dënimi tjetër alternativ, për dënime të dhëna deri në datën 30.09.2019, pavarësisht nga koha e mbetur nga dënimi.
– Amnistohen personat e dënuar meshkuj me burgim, të cilëve, deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, u kanë mbetur pa vuajtur nga ky dënim deri në 2 vjet.
– Amnistohen personat femra dhe të mitur të dënuar me burgim, të cilëve, deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, u kanë mbetur pa vuajtur nga ky dënim deri në 3 vjet.
– Amnistohen personat e dënuar femra, që, në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë baras ose mbi moshën 50 vjeç.
– Amnistohen personat e dënuar meshkuj, që, në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë baras ose mbi moshën 60 vjeç.
– Amnistohen personat e dënuar me burgim, të cilët, në kohën e kryerjes së veprës penale, kanë qenë baras ose nën moshën 18 vjeç.
– Të gjithë të dënuarve femra dhe të mitur që nuk plotësojnë kriteret për të përfituar amnisti, sipas paragrafëve 2, 4, 5 dhe 7 të këtij neni, u zbritet 1/3 e dënimit të mbetur, pavarësisht kritereve ndaluese të parashikuara në nenin 4, të këtij ligji. Nuk përfitojnë sipas këtij paragrafi, personat e dënuar përsëritës të së njëjtës vepër penale.











