Kuvendi mblidhet sot në orën 10:00 në seancë plenare, e cila pritet të shoqërohet me diskutime dhe debate, pasi në rendin e ditës janë parashikuar dy interpelanca dhe një seancë pyetje–përgjigje mes deputetëve dhe anëtarëve të qeverisë.
Seanca do të nisë me miratimin e procesverbaleve të seancave të datave 27 janar dhe 3 shkurt 2026, si dhe me njoftimet përkatëse.
Në vijim, do të zhvillohen dy interpelanca me Ministren e Arsimit, Mirela Kumbaro, të kërkuara përkatësisht nga deputeti Erald Kapri dhe deputetja Erisa Xhixho. Po ashtu, është parashikuar një seancë pyetje–përgjigje me Ministren e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, me kërkesë të deputetit Erion Braçe.
Në seancën e sotme pritet diskutimi e më pas miratimi edhe i disa projektligjeve të rëndësishme. Deputetët do të shqyrtojnë projektligjin “Për shërbimin e jashtëm në Republikën e Shqipërisë”, si dhe ndryshime në ligjin “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë” dhe në ligjin “Për tatimin mbi vlerën e shtuar”. Gjithashtu, pritet të diskutohet projektligji “Për disa ndryshime në ligjin ‘Për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë’”.
Seanca do të përfshijë edhe shqyrtimin e një projektvendimi për miratimin e strukturës dhe klasifikimit të pagave të personelit me kohë jo të plotë të Komisionit Qendror të zgjedhjeve, si dhe ndryshime në përbërjen e komisioneve të përhershme parlamentare.
Në përfundim, deputetët do të kenë mundësi të diskutojnë për çështje jashtë rendit të ditës, sipas parashikimeve të Rregullores së Kuvendit.











