Ministria e Arsimit ka publikuar Udhëzimin nr. 17, datë 18.9.2026, i cili sjell disa ndryshime dhe shtesa të rëndësishme në Udhëzimin nr. 9, datë 2.6.2026, që rregullon procedurat e njësimit të diplomave të institucioneve arsimore të huaja ose të ngjashme me to, të lëshuara nga shkollat private të arsimit të mesëm të lartë të licencuara në Republikën e Shqipërisë.
Me ndryshimin e bërë në pikën 1 të udhëzimit të ri, fusha e njohjes dhe njësimit të diplomave zgjerohet. Pika 3 e udhëzimit kryesor shtohet me shkronjën “d”, e cila përfshin zyrtarisht:
“d) Diploma të lëshuara, në përfundim të programeve të tjera ndërkombëtare, nga shkolla private të arsimit të mesëm të lartë, të licencuara në Republikën e Shqipërisë”.
Përditësimi i dokumentacionit dhe digjitalizimi përmes sistemit SMIP
Udhëzimi ndryshon gjithashtu dokumentet e kërkuara për procedurën e njësimit (pika 6), duke lehtësuar dhe përshtatur procedurat me mjetet digjitale zyrtare.
Diploma dorëzohet në kopje të njësuar me origjinalin nga noteri, e përkthyer nga një përkthyes i licencuar në Shqipëri, shoqëruar me vërtetimin përkatës të përkthimit.
Lista e notave (transkripti ose dëftesat vjetore) tani mund të shkarkohet drejtpërdrejt nga sistemi SMIP dhe të jetë e pajisur me vulë elektronike. Përndryshe, pranohet vërtetimi zyrtar i lëshuar nga institucioni arsimor, i pajisur me fotografinë e nxënësit dhe verifikimin e zyrës vendore arsimore parauniversitare.
Rezultatet e provimeve (kur ato janë zhvilluar) duhet të dorëzohen në kopje të njësuar dhe të përkthyera nga një përkthyes i licencuar.
Ngarkohen për zbatimin e këtij udhëzimi Sekretari i Përgjithshëm, Drejtoria e Përgjithshme e Zhvillimit për Arsimin Parauniversitar, Qendra e Shërbimeve Arsimore (QSHA), si dhe vetë shkollat private të arsimit të mesëm të lartë që zhvillojnë mësimin në gjuhë të huaj në vend.
Udhëzimi i firmosur nga Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro Furxhi, hyn në fuqi menjëherë pas botimit në Fletoren Zyrtare.











