Ekskluzive JAVANEWS/ Tensionet mes PS-LSI janë përshkallëzuar dhe akuzat e fundit nga partia e Ilir Metës duket se kanë mbyllur përgjithmonë derën e një koalicioni të mundshëm pas 25 Qershorit. Beteja e Edi Ramës për të siguruar 71 mandatet i vetëm ka irrituar aleatin 4-vjeçar. Ilir Meta i cili pas afro 1 muaji do të marrë postin e presidentit, duket se ka lënë pas sjelljen e tij ‘presidenciale’ kur ishte kryetar i partisë dhe ka shpërthyer në akuza të ashpra. Tashmë që ai pret të behet president është angazhuar fort në fushatën e partisë së tij, njësoj si të ishte kryetar i saj.
Pas akuzave të ashpra, Meta dha një kërcënim që nuk ishte lakuar deri më sot. Ai paralajmëroi se nuk do të dekretojë kryeministrin që do të dalë pas zgjedhjeve të 25 Qershorit shkruan JavaNews. Ky u duk një mesazh i qartë në drejtim të Ramës që shihet si favorit edhe nga sondazhet e deritanishme.
Por, çfarë parashikon kushtetuta, e cila është busulla e presidentit të republikës. Në kapitullin e pestë ku flitet për Këshillin e Ministrave, përcaktohet edhe mandatimi i kryeministrit. Në pikën 1, të nenit 96 shprehimisht thuhet:
“Presidenti i Republikës, në fillim të legjislaturës, si dhe kur vendi i Kryeministrit mbetet vakant, emëron Kryeministrin me propozim të partisë ose koalicionit të partive, që ka shumicën e vendeve në Kuvend”.
Pra, në këtë pikë përcaktohet qartë se presidenti është i detyruar të mandatojë kryeministrin e propozuar nga partia apo koalicioni që ka siguruar shumicën në parlament nga zgjedhjet shkruan JavaNews. Në këtë pikë, por edhe në dispozitat e tjera të kapitullit të 5-të të kushtetutës, presidentit nuk i jepet asnjë atribut për të refuzuar dekretimin.
Pyetja që ngrihet është se si do të veprohet në rast se ndodhemi para faktit të kryer dhe refuzohet mandatimi i qeverisë. Ky do të ishte një rast i paprecedentë dhe do të ndodheshim para një situate me shumë të panjohura. Por ajo që duket e sigurt tashmë është se pas 25 Qershorit vendi mund të përballet me një krizë institucionale.
Përtej aspektit juridik, ky bllokim dekretesh do kishte dhe një skeptok tjetër të natyrës diplomatike e politike. Në ndryshim nga Maqedonia, Shqipëria është shumë më e ekspozuar ndaj presionit ndëkrombëtar, përkatësisht influencës amerikane dhe asaj evropiane. Do të ishte një veprim vetëvrasës për cilindo kryetar shteti, të tentonte të bllokonte qeverinë e re, ndëkrohë që ndërkombëtarët do të kishin certifikuar procesin zgjedhor./JavaNews/A.Malasi










