Sipas Kushtetueses,Gjykata e Lartë nuk i ka dhënë përgjigje pretendimeve të Aldo Bares dhe ky fakt përbën një cënim të drejtës së eksesit për pretendimet kushtetuese që ai ka ngritur. Po kështu Gjykata e Lartë nuk ka pranuar rekursin e Aldo Bares, për shkak se ai ka ngritur pretendime kushtetuese. Ky fakt sipas Gjykatës Kushtetuese përbën një cënim të së drejtës, pasi Gjykata e Lartë duhet t’i jepte përgjigje pretendimeve dhe jo të rrëzonte kërkesën në dhomën e këshillimit. Për sa i përket pretendimeve të Aldo Bares për gjykim të shkurtuar, mbledhjen e provave në mënyrë të paligjshme, cenimin e së drejtës së mbrojtjes, të së drejtës për t’u gjykuar brenda një afati të arsyeshëm, parimin e prezumimit të pafajësisë, parimin e gjykimit dy herë për një vepër penale etj, Gjykata Kushtetuese thotë se nuk mund të japë mendim për to, përderisa kjo çështje do të merret përsëri në shqyrtim nga Gjykata e Lartë.
VENDIMI I PLOTE
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, e përbërë nga: Bashkim Dedja, Kryetar, Vladimir Kristo, Vitore Tusha, Fatmir Hoxha, Gani Dizdari, Besnik Imeraj, Fatos Lulo, anëtarë, me sekretare Belma Lleshi, në datën 31.01.2017 mori në shqyrtim në seancë plenare, mbi bazë dokumentesh, çështjen me nr. 85/21 Akti që i përket:
KËRKUES: ALDO BARE
SUBJEKT I INTERESUAR:
PROKURORIA E PËRGJITHSHME
OBJEKTI: Shfuqizimi si të papajtueshme me Kushtetutën i vendimeve nr.00-2015-2087, datë 02.07.2015 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë; nr.49, datë 16.07.2012 të Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda; nr.24, datë 25.01.2012 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë; nr.54, datë 03.10.2011 të Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda; nr.17, datë 28.03.2011 të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë.
BAZA LIGJORE: Nenet 30, 31, 32, 42, 131/f, 134/1/i dhe 142 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë; neni 6 i KEDNJ-së dhe neni 4 i protokollit 7 të kësaj konvente; ligji nr.8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”.
GJYKATA KUSHTETUESE,
pasi dëgjoi relatorin e çështjes Fatos Lulo, mori në shqyrtim pretendimet me shkrim të kërkuesit Aldo Bare, që kërkoi pranimin e kërkesës, prapësimet me shkrim të subjektit të interesuar, Prokurorisë së Përgjithshme, që kërkoi rrëzimin e kërkesës, si dhe diskutoi çështjen në tërësi,
VËREN:
I
1. Kërkuesi Aldo Bare (Alfred Shkurti) është marrë si i pandehur dhe është dërguar për gjykim për një sërë veprash penale të parashikuara nga nenet 78, 151, 333 dhe 334 të Kodit Penal (KP).
2. Me vendimin nr.17, datë 28.03.2011 Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë ka vendosur: “Deklarimin fajtor të të pandehurit Aldo Bare (i quajtur ndryshe Alfred Shkurti) për kryerjen e veprës penale të “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese kundër dy ose më shumë personave” në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 79, shkronja “dh”, 25 dhe 22 të KP-së, kundër shtetasit G.K. e A.D. dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me 23 (njëzetë e tre) vjet burgim; deklarimin fajtor të pandehurit Aldo Bare (i quajtur ndryshe Alfred Shkurti) për kryerjen e veprës penale “Vrasjes me paramendim”, parashikuar nga neni 78/2 i KP-së, si dhe në aplikim të nenit 3/3 të KP-së të shtetasit XH.D. si vepër penale të kryer në kuadër të Organizatës Kriminale, të parashikuar nga neni 334, paragrafi i dytë i KP-së, dhe në bazë të këtyre dispozitave dënimin e tij me burgim të përjetshëm; deklarimin fajtor të të pandehurit Aldo Bare (i quajtur ndryshe Alfred Shkurti) për kryerjen e veprës penale të “Vrasjes me paramendim”, parashikuar nga neni 78/2 i KP-së, si dhe në aplikim të nenit 3/3 të KP-së, të shtetasit N.Z. si vepër penale të kryer në kuadër të Organizatës Kriminale, të parashikuar nga neni 334, paragrafi i dytë i KP-së, dhe në bazë të këtyre dispozitave dënimin e tij me 25 (njëzetë e pesë) vjet burgim; deklarimin fajtor të të pandehurit Aldo Bare (i quajtur ndryshe Alfred Shkurti) për kryerjen e veprës penale të “Vrasjes me paramendim” mbetur në tentativë, parashikuar nga nenet 78/2-22 të KP-së, si dhe në aplikim të nenit 3/3 të KP-së, të shtetasit G.S. si vepër penale të kryer në kuadër të Organizatës Kriminale, të parashikuar nga neni 334, paragrafi i dytë i KP-së, dhe në bazë të këtyre dispozitave dënimin e tij me 25 (njëzetë e pesë) vjet burgim; deklarimin fajtor të pandehurit Aldo Bare (i quajtur ndryshe Alfred Shkurti), për kryerjen e veprës penale të “Vrasjes me paramendim” mbetur në tentativë, parashikuar nga neni 78/2-22 i KP-së, si dhe në aplikim të nenit 3/3 të KP-së, të shtetasit M.A. si vepër penale të kryer në kuadër të Organizatës Kriminale, të parashikuar nga neni 334, paragrafi i dytë i KP-së, dhe në bazë të këtyre dispozitave dënimin e tij me 25 (njëzetë e pesë) vjet burgim; deklarimin fajtor të pandehurit Aldo Bare (i quajtur ndryshe Alfred Shkurti), për kryerjen e veprës penale të “Vrasjes me paramendim”, parashikuar nga neni 78/2 i KP-së, si dhe në aplikim të nenit 3/3 të KP-së, të shtetasit M.A. si vepër penale të kryer në kuadër të Organizatës Kriminale, të parashikuar nga neni 334, paragrafi i dytë i KP-së, dhe në bazë të këtyre dispozitave dënimin e tij me 25 (njëzetë e pesë) vjet burgim; deklarimin fajtor të pandehurit Aldo Bare (i quajtur ndryshe Alfred Shkurti), për kryerjen e veprës penale të “Prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe të municionit”, parashikuar nga neni 278/2 i KP-së, dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me 5 (pesë) vjet burgim; deklarimin fajtor të pandehurit Aldo Bare (i quajtur ndryshe Alfred Shkurti), për kryerjen e veprës penale të “Shkatërrimit të pronës me zjarr”, e parashikuar nga neni 151/2 i KP-së, si dhe në aplikim të nenit 3/3 të KP-së, si vepër penale e kryer në kuadër të Organizatës Kriminale, të parashikuar nga neni 334, paragrafi i dytë i KP-së, dhe në bazë të këtyre dispozitave dënimin e tij me 10 (dhjetë) vjet burgim; deklarimin fajtor të pandehurit Aldo Bare (i quajtur ndryshe Alfred Shkurti) për kryerjen e veprës penale të “Krijimit të organizatës kriminale”, parashikuar nga neni 333 i KP-së, në aplikim të nenit 3/3 të KP-së, dhe në bazë të këtyre dispozitave dënimin e tij me 8 (tetë) vjet burgim. Në zbatim të nenit 55 të KP-së “Caktimi i dënimeve për disa vepra penale” gjykata në përfundim i jep dënimin e vetëm burgim të përjetshëm të pandehurit Aldo Bare (i quajtur ndryshe Alfred Shkurti)”.
3. Mbi ankimin e mbrojtjes, Gjykata e Apelit për Krime të Rënda, me vendimin nr.54, datë 03.10.2011, ka vendosur: “Prishjen e vendimit nr.17, datë 28.03.2011 të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë dhe kthimin e çështjes për rigjykim në po atë gjykatë, me tjetër trup gjykues.”.
4. Mbi rekursin e prokurorit dhe të mbrojtjes, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, me vendimin nr.00-2012-415 (24), datë 25.01.2012, ka vendosur: “Prishjen e vendimit nr.54, datë 03.10.2011 të Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda dhe kthimin e çështjes për rishqyrtim në po atë gjykatë, me një tjetër trup gjykues.”.
5. Gjykata e Apelit për Krime të Rënda Tiranë, me vendimin nr.49, datë 16.07.2012, ka vendosur: “Lënien në fuqi të vendimit nr.17, datë 28.03.2011 të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë.”.
6. Mbi rekursin e prokurorit dhe të mbrojtjes, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, me vendimin nr.00-2015-2087, datë 02.07.2015, ka vendosur: “Mospranimin e rekursit të paraqitur nga Prokuroria pranë Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda Tiranë dhe të rekursit të paraqitur nga i gjykuari Aldo Bare (Alfred Shkurti) kundër vendimit nr.49, datë 16.07.2012 të Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda Tiranë.”.
II
7. Kërkuesi i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese (Gjykata) duke kërkuar shfuqizimin e vendimeve objekt shqyrtimi me pretendimin se këto vendime i kanë cenuar të drejtën për një proces të rregullt ligjor në drejtimet e mëposhtme:
7.1. Gjykatat kanë cenuar nenin 31 të Kushtetutës dhe të drejtën e mbrojtjes, pasi në rastin konkret ai nuk është njoftuar në mënyrën e duhur për akuzën dhe aktet e dosjes hetimore në ngarkim të tij. Në vendimin e datës 11.06.2007 të prokurorëve për marrjen të pandehur të kërkuesit ndodhet shënimi se ky vendim i është njoftuar të pandehurit dhe mbrojtësit të tij. Po ky vendim, në kundërshtim me nenin 34 të Kodit të Procedurës Penale (KPP), nuk i është komunikuar dhe njoftuar kërkuesit. Gjithashtu, edhe prokuroria nuk ia ka bërë me dije gjykatës se po shtonte një akuzë të re. Në seancën e datës 03.02.2010 gjykata e shkallës së parë ka vendosur të vazhdojë gjykimin pa praninë e kërkuesit, megjithëse ishte kërkuar prej tij pjesëmarrja në këtë fazë të gjykimit.
7.2. Gjykatat kanë cenuar të drejtën për t’u gjykuar brenda një afati të arsyeshëm, pasi çështja penale në ngarkim të Aldo Bares (Alfred Shkurti) etj. është regjistruar në Prokurorinë për Krime të Rënda Tiranë në datën 07.02.2006 me nr.15 procedimi. Në total afati i hetimeve për Aldo Baren (Alfred Shkurti) ka kaluar afatin maksimal të hetimeve, i cili është dy vjet.
7.3. Gjykatat nuk kanë pranuar kërkesën për t’u proceduar me gjykim të shkurtuar. Kjo kërkesë u refuzua nga ana e gjykatës, megjithëse siç rezultoi më vonë gjatë zhvillimit të procesit gjykata i pranoi të gjitha aktet e përpiluara gjatë hetimeve paraprake nga ana e organit të akuzës pa rrëzuar asnjë prej tyre. Kërkesa për gjykimin e shkurtuar nuk kishte asnjë arsye ligjore për t’u refuzuar, pasi çështja mund të zgjidhej në gjendjen që ishin aktet, pra duke u mbështetur tek aktet e përpiluara gjatë hetimeve paraprake.
7.4. Gjykatat kanë cenuar parimin e gjykimit nga një gjykatë e paanshme dhe e caktuar me ligj, pasi çështja në ngarkim të Aldo Bares (Alfred Shkurtit) është gjykuar me gjyqtarë të deleguar me vendim të KLD-së nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë. Pavarësisht se këta gjyqtarë ishin të deleguar, përsëri në caktimin e tyre KLD-ja duhej t’u përmbahej parimeve të përgjithshme për një gjykatë të pavarur dhe të paanshme. Kryesuesja e trupit gjykues nuk i përket Kolegjit Penal por atij Civil të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, prandaj ajo nuk mund të gjykojë një çështje penale.
7.5. Gjykatat kanë cenuar parimin e prezumimit të pafajësisë, pasi Gjykata për Krime të Rënda u është referuar disa vendimeve të tjera penale që janë dhënë për disa të pandehur të tjerë, ku pretendohet se ka ekzistuar një organizatë kriminale e drejtuar nga kërkuesi, dhe bazuar në këto vendime ajo e ka deklaruar kërkuesin fajtor edhe për këtë vepër. I gjithë procedimi penal kundër të ashtuquajturës “Banda e Lushnjës” ka qenë objekt i sulmeve, fjalimeve dhe deklaratave politike nga ana e funksionarëve të lartë të shtetit duke krijuar një perceptim krejtësisht të gabuar si te gjykata, ashtu dhe tek opinioni publik.
7.6. Gjykatat kanë cenuar nenin 32/2 të Kushtetutës, sepse e kanë dënuar kërkuesin në bazë të provave të mbledhura në mënyrë të paligjshme. Shtetasi G.S. paraqitet në seancën e datës 07.04.2010, në të cilën pyetet si i pandehur në një procedim të lidhur. Me gjithë kundërshtimin e mbrojtjes për të qartësuar statusin e tij, pasi ai u paraqit i lirë në sallën e gjyqit, gjykata vazhdoi me pyetjen e tij me cilësinë e të pandehurit në një procedim të lidhur. Gjykata duhej të saktësonte nëse ky shtetas ishte i pandehur dhe i lidhur me akuzat e Aldo Bares apo ishte dëshmitar, si dhe duhej të kishte pasur parasysh kërkesat e nenit 156/1/b të KPP-së.
7.6.1. Përveç sa më sipër, kërkuesi pretendon cenimin e nenit 32 të Kushtetutës në disa aspekte të cilat sqarohen në vijim:
7.6.1.1. Mosrespektimi i nenit 24/5 të KPP-së. Me vendim të ish drejtorit të Drejtorisë kundër Krimit të Organizuar, Z.SH., në mënyrë haptazi të kundërligjshme janë shfuqizuar disa vendime pushimi, në kundërshtim me nenin 24/5 të KPP-së.
Mosrespektimi i nenit 128 të KPP-së dhe deklarimi i kërkuesit fajtor bazuar në akte absolutisht të pavlefshme. Gjatë marrjes në pyetje të shtetasve L.D., S.D. dhe A.D. nuk është paraqitur asnjë mjet dhe asnjë dokument identifikimi që të vërtetojë identitetin e tyre.
Gjykatat kanë cenuar parimin e mosdënimit pa ligj, parashikuar në nenin 29 të Kushtetutës, pasi për sa i takon akuzës së “shkatërrimit të pronës me zjarr” të shtetasit SH.H., ajo është parashkruar. Banesa është djegur në datën 22 gusht 1998 dhe procedimi penal për këtë vepër ka nisur në vitin 1998, i cili më pas është pezulluar. Në vitin 2005 për këtë çështje kanë rifilluar hetimet. Neni 66 i KP-së parashikon se nuk mund të bëhet ndjekje penale kur nga kryerja e veprës deri në çastin e marrjes së personit si të pandehur kanë kaluar dhjetë vjet, për krimet që parashikojnë dënim nga pesë gjer në dhjetë vjet burgim. Kjo vepër në kohën që është kryer është kualifikuar sipas nenit 151/1 të KP-së, i cili parashikonte dënimin deri në 5 vjet dhe ndjekja penale për këtë vepër është parashkruar. Gjithashtu, duke krahasuar dispozitat e parashikuara të KP-së lidhur me veprën penale të organizatës kriminale, rezulton se neni 333 i Kodit në fuqi në kohën e kryerjes së veprave penale parashikonte se krijimi i bandës së armatosur apo organizatës kriminale ose pjesëmarrja në to, me qëllim kryerjen e krimeve, dënohej nga pesë gjer në pesëmbëdhjetë vjet, kurse me ndryshimet që iu bën Kodit në vitin 2004, organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal u parashikuan si vepra penale më vete dhe, në bazë të nenit 333 të KP-së, krijimi, organizimi ose drejtimi i organizatave kriminale dënohen me burgim nga pesë deri në pesëmbëdhjetë vjet, kurse pjesëmarrja në një organizatë kriminale dënohet me burgim nga katër deri në tetë vjet.
Gjykatat kanë cenuar parimin ne bis in idem, pasi në rastin e gjykimit të kërkuesit Aldo Bare (Alfred Shkurti), ai është akuzuar sërish për një vepër për të cilën një vendim i mëparshëm e ka shpallur të pafajshëm. Kërkuesi i gjykuar njëherë dhe i deklaruar i pafajshëm me vendim penal të formës së prerë për veprën penale të pjesëmarrjes në bandën e armatosur, tashmë gjykohet për të njëjtën vepër, por nën titullin e krijimit të organizatës kriminale, një vepër penale që parashikohet nga e njëjta dispozite, neni 333 i KP-së.
Gjykatat kanë cenuar të drejtën për një vendim të arsyetuar, pasi vendimi nr.17 datë 28.04.2011 i Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda është absolutisht i pavlefshëm sepse i mungon dispozitivi. Konkretisht, Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda nuk është shprehur për njërën prej akuzave në ngarkim të kërkuesit, pikërisht për akuzën e vrasjes me paramendim të shtetasit L.B.
Gjykata e Lartë ka cenuar të drejtën e aksesit, pasi në rekursin e paraqitur në Gjykatën e Lartë janë paraqitur pretendime, që kanë të bëjnë me shkeljen e parimeve themelore të procesit gjyqësor, si dhe këto pretendime gjejnë pasqyrim në materialet e çështjes. Gjykata e Lartë, duke mos u dhënë përgjigje pretendimeve të natyrës kushtetuese të ngritura nga kërkuesi, ka cenuar të drejtën e aksesit. 8. Subjekti i interesuar, Prokuroria e Përgjithshme, pretendon se kërkesa e paraqitur nga kërkuesi nuk përmban asnjë element të cenimit të të drejtave kushtetuese të procesit të rregullt ligjor, duke parashtruar si vijon:
8.1. Pretendimi i kërkuesit për cenimin e së drejtës së mbrojtjes është i pabazuar, pasi për vrasjen e shtetasit L.B. prokuroria nuk rezulton të ketë ngritur akuzë ndaj kërkuesit. Edhe në konkluzionet përfundimtare të prokurorisë nga prokurori i seancës pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, kjo vepër u është atribuuar shtetasve I.S. dhe A.B. Për sa i përket pretendimit për vazhdimin e gjykimit në mungesë të kërkuesit në seancën e datës 03.02.2010, vlen të theksohet fakti se mungesa e kërkuesit në seancë ka qenë plotësisht e vullnetshme dhe se nuk rezulton të ketë pasur ndonjë pengesë objektive që e ka penguar atë të marrë pjesë në seancë.
8.2. Pretendimi i kërkuesit për cenimin e së drejtës për t’u gjykuar brenda një afati të arsyeshëm është i pabazuar, pasi këtë pretendim kërkuesi e lidh vetëm me fazën e hetimeve paraprake dhe nuk e ka shtrirë edhe për kohëzgjatjen e procesit gjyqësor. Nga vendimet gjyqësore rezulton se ky pretendim i kërkuesit i është nënshtruar shqyrtimit të gjykatave dhe ka marrë përgjigje të arsyetuar në vendimet gjyqësore.
8.3. I pabazuar është edhe pretendimi për mospranimin e kërkesës për gjykim të shkurtuar, pasi interpretimi i ligjit material dhe atij procedural, zbatimi i tij në çështjet konkrete, si dhe vlerësimi i fakteve dhe rrethanave janë çështje që ndajnë juridiksionin e gjykatave të zakonshme nga juridiksioni kushtetues. Pretendimi i kërkuesit për mospranimin e kërkesës për gjykim të shkurtuar hyn në juridiksionin e gjykatave të zakonshme dhe nuk mund të ngrihet në nivel kushtetues.
8.4. Edhe pretendimi për cenimin e parimit të gjykimit nga një gjykatë e paanshme është i pabazuar, pasi neni 15 i ligjit nr.8436, datë 28.12.1998 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikës e Shqipërisë” (në fuqi në momentin e regjistrimit të çështjes penale në gjykatë) parashikonte se ndarja e çështjeve gjyqësore në të gjitha hallkat e sistemit gjyqësor bëhej me short, sipas procedurave të caktuara me ligj. Në këtë kuptim, procedurat e shortit, të cilave u referohet kjo dispozitë ligjore, janë të zbatueshme për ndarjen e çështjeve gjyqësore dhe ato nuk i referohen procedurës që zhvillohet nga KLD-ja për delegimin e gjyqtarëve. Në caktimin e kryesuesit të trupit gjykues, Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda ka zhvilluar procedurën e hedhjes së shortit.
8.5. Pretendimi për cenimin e parimit të prezumimit të pafajësisë është i pabazuar, pasi nuk rezulton se në vendimet gjyqësore të ketë ndonjë të dhënë, e cila të tregojë se gjykatat e kanë filluar procesin me paragjykimin se kërkuesi i ka kryer veprat penale për të cilat akuzohej dhe në to nuk përmendet ndonjë deklarim formal ose arsyetim, i cili të tregojë se gjykatat e kanë konsideruar fajtor kërkuesin para se të jepej vendimi përfundimtar për fajësinë e tij. Nuk rezulton, gjithashtu, që gjykata të ketë kaluar barrën e provës nga prokurori tek i gjykuari apo të mos kenë vlerësuar dyshimet në favor të tij.
8.6. Pretendimi i kërkuesit se është dënuar në bazë të provave të mbledhura në mënyrë të paligjshme nuk është pjesë e juridiksionit kushtetues, pasi vlerësimi juridik i rrethanave, provave të çështjes, si dhe interpretimi i ligjit, përfshirë edhe kualifikimin e veprave penale, janë në kompetencë të gjykatave të juridiksionit të zakonshëm. Për sa i përket të pandehurit G.S. gjykatat kanë analizuar pozitën procedurale të tij në procesin penal. Për sa i përket pretendimit për zotësinë juridike të shtetasve A.D., L.D. dhe S.D. për shkak të mosverifikimit të identitetit të tyre në momentin e marrjes së deklarimeve, ky pretendim nuk qëndron.
8.7. Pretendimi i kërkuesit së është cenuar ndalimi kushtetues i mosdënimit pa ligj është i pabazuar për këto arsye: vepra penale e “shkatërrimit të pronës me zjarr”, e parashikuar nga neni 151/2 i KP-së nuk është parashkruar. Akuza për këtë vepër i është komunikuar kërkuesit dhe pretendimi i kërkuesit se kjo vepër është kualifikuar sipas nenit 151/1 të KP-së nuk qëndron. Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda në vendimin e saj nr.17, datë 28.03.2011, këtë vepër penale e ka kualifikuar sipas nenit 151/2 të KP-së. Neni 151/2 i KP-së parashikon se “kur nga vepra penale janë shkaktuar pasoja të rënda materiale, dënohet me burgim gjer në 10 vjet”. Në këto kushte neni 151/2 i KP-së parashikon një dënim gjer në dhjetë vjet burgim. Sipas nenit 66 të KP-së afati i parashkrimit për këtë vepër është 10 vjet.
8.8. Pretendimi i kërkuesit se është cenuar parimi ne bis in idem nuk është i bazuar, pasi në çështjen në shqyrtim kërkuesi është gjetur fajtor, ndër të tjera, për veprën penale të pjesëmarrjes në organizatë kriminale dhe jo në bandë të armatosur, sipas parashikimeve të nenit 333 të KP-së. Gjykata e Apelit Durrës, me vendimin nr.289, datë 21.12.2001, ka vendosur pushimin e gjykimit për kërkuesin për akuzën e “Krijimit dhe pjesëmarrjes në bandë të armatosur”, parashikuar nga neni 333 i KP-së, pasi nuk provohet fajësia. Në kohën kur është gjykuar kërkuesi për pjesëmarrje në bandë të armatosur, KP-ja bënte dallim ndërmjet pjesëmarrjes në bandë të armatosur dhe në organizatë kriminale.
8.9. Vendimet e gjykatave e kanë respektuar parimin e arsyetimi, pasi ato i kanë përmbushur standardet e përcaktuara nga jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese lidhur me parimin e arsyetimit. Në lidhje me pretendimin e kërkuesit për një akuzë të re të ngritur nga prokuroria në fund të procesit, si dhe të mosshprehjes së gjykatës në dispozitivin e vendimit, ky pretendim nuk qëndron dhe për këtë është shprehur edhe Gjykata e Apelit për Krime të Rënda në vendimin e saj.
8.10. Pretendimi i kërkuesit për cenimin e së drejtës së aksesit nuk qëndron, pasi Kolegji Penal që ka vendosur mospranimin e rekursit ka vepruar në përputhje me kompetencat e tij ligjore. Në jurisprudencë konstante, në rast se Kolegji në dhomën e këshillimit krijon bindjen se shkaqet e ngritura në rekurs janë haptazi të pabazuara, pasi nuk bëjnë pjesë në ato shkaqe që parashikon dispozita ligjore ose nuk gjejnë mbështetje në aktet e dosjes gjyqësore, atëherë është në funksionin e tij të vendosë në pajtim me kërkesat ligjore mospranimin e çështjes për shqyrtim në seancë gjyqësore.
III
Vlerësimi i Gjykatës Kushtetuese
A. Për legjitimimin e kërkuesit
9. Gjykata vëren se kërkuesi legjitimohet ratione personae, në kuptim të neneve 131/f dhe 134/1/i të Kushtetutës dhe ratione temporis, pasi kërkesa është paraqitur brenda afatit ligjor 2-vjeçar të parashikuar në nenin 30 të ligjit nr.8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar.
10. Gjithashtu, Gjykata vlerëson se kërkuesi prima facie legjitimohet edhe ratione materiae, pasi pretendimet e tij hyjnë në juridiksionin kushtetues. Këto pretendime janë shqyrtuar në vijim në këndvështrim të standardeve që imponon procesi i rregullt ligjor në kuptimin kushtetues.
B. Për pretendimin e cenimit të së drejtës së aksesit
11. Kërkuesi pretendon se në rekursin e paraqitur në Gjykatë të Lartë ka paraqitur pretendime, që kanë të bëjnë me shkeljen e parimeve themelore të procesit gjyqësor, si dhe këto pretendime gjejnë pasqyrim në materialet e çështjes. Gjykata e Lartë, duke mos u dhënë përgjigje pretendimeve të natyrës kushtetuese të ngritura nga kërkuesi, ka cenuar të drejtën e aksesit.
12. Gjykata ka pranuar se kontrolli kushtetues që ajo ushtron ndaj vendimeve gjyqësore është i kufizuar vetëm në funksion të mbrojtjes së të drejtave kushtetuese të çdo individi për një proces të rregullt ligjor. Në këtë vështrim, Gjykata mund të vlerësojë mënyrën e interpretimit dhe të zbatimit të ligjit, që në parim u takon gjykatave të sistemit të zakonshëm, vetëm nëse përmes këtij procesi janë cenuar të drejtat kushtetuese të individit për një proces të rregullt ligjor. Në këto raste Gjykata analizon ligjin, faktin dhe rrethanën përkatëse në atë dimension që ka ndikim mbi të drejtat dhe liritë e parashikuara nga neni 42 i Kushtetutës dhe neni 6 i KEDNJ-së, gjë që përbën juridiksionin e saj kushtetues. Detyra e kësaj Gjykate nuk është zgjidhja e një çështjeje konkrete, por identifikimi i fakteve të natyrës kushtetuese, të cilat shërbejnë për realizimin e kompetencave të saj (shih vendimet nr.14, datë 03.06.2009; nr.84, datë 30.12.2016 të Gjykatës Kushtetuese).
13. Në këtë këndvështrim, Gjykata ka vlerësuar se Gjykata e Lartë, rast pas rasti, duhet t’u japë përgjigje problemeve ligjore, që në praktikë lidhen me interpretimin e ligjit. Sipas Gjykatës, në të tilla raste kërkuesi duke mos marrë përgjigje për pretendimet e tij me natyrë kushtetuese, për shkak të vendimit të mospranimit të rekursit, i cenohet jo vetëm e drejta e aksesit, në kuptim të nenit 42 të Kushtetutës, por edhe e drejta e ankimit në kuptimin substancial, e parashikuar në nenin 43 të Kushtetutës (shih vendimet nr.73, datë 16.12.2016; nr.24, datë 25.04.2016 të Gjykatës Kushtetuese).
14. E drejta për t’iu drejtuar gjykatës përbën një nga elementet e procesit të rregullt ligjor, në kuptim të nenit 42 të Kushtetutës dhe nenit 6 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut. Kjo e drejtë e individit është garanci për administrimin e mirë të drejtësisë, prandaj çdo interpretim i ngushtë i nenit 42 të Kushtetutës dhe i nenit 6 të KEDNJ-së nuk përputhet me qëllimet dhe objektin e tyre. Në këtë kuptim, e drejta e individit për t’iu drejtuar gjykatës nuk përfshin vetëm të drejtën për të hapur një proces, por edhe të drejtën për të pasur, nga ana e gjykatës, një zgjidhje përfundimtare në lidhje me mosmarrëveshjen objekt gjykimi, pasi aksesi në gjykatë duhet të jetë substantiv dhe jo thjesht formal. Mohimi i së drejtës për t’iu drejtuar gjykatës dhe për të marrë një përgjigje përfundimtare prej saj lidhur me pretendimet e ngritura përbën cenim të së drejtës themelore për një proces të rregullt ligjor (shih vendimet nr.84, datë 30.12.2016; nr.14, datë 03.06.2009 të Gjykatës Kushtetuese).
15. Gjithashtu, Gjykata ka vlerësuar se neni 42 i Kushtetutës sanksionon në vetvete jo vetëm të drejtën e individit për t’iu drejtuar gjykatës, por edhe detyrimin e shtetit që t’ia garantojë atij këtë akses. Gjykata ka konsideruar se sipas këtij neni detyrimi për të garantuar të drejtën efektive të aksesit në gjykatë nuk nënkupton thjesht mungesën e një ndërhyrjeje, por mund të kërkojë edhe ndërmarrjen e veprimeve pozitive nga ana e shtetit. Në rast se mohohet një e drejtë e tillë, procesi konsiderohet jo i rregullt, sepse aksesi në gjykatë është para së gjithash një kusht kryesor për të realizuar mbrojtjen e të drejtave të tjera. Shteti i së drejtës nuk mund të konceptohet pa u njohur individëve të drejtën dhe mundësinë për t’iu drejtuar gjykatës (shih vendimet nr.84, datë 30.12.2016; nr.67, datë 17.11.2015 të Gjykatës Kushtetuese).
16. Gjykata është shprehur se përdorimi i mjetit procedural të përshtatshëm ankimues në formë e në përmbajtje, siç është sanksionuar në Kodin e Procedurës Penale, nuk përbën një kërkesë formale, por një kërkesë që lidhet me thelbin e së drejtës së mbrojtjes dhe të pjesëmarrjes aktive në gjykim. Mostrajtimi i mjetit procedural në mënyrë substanciale cenon të drejtën e mbrojtjes së të gjykuarit dhe njëkohësisht aksesin e tij në Gjykatën e Lartë (shih vendimet nr.84, datë 30.12.2016; nr.21, datë 24.07.2006 të Gjykatës Kushtetuese).
17. Gjykata në këtë drejtim ka theksuar se është kompetencë e Kolegjit Civil/Penal (dhoma e këshillimit) të analizojë dhe vlerësojë nëse shkaqet e ngritura në rekurs janë në përputhje me kërkesat e ligjit. Megjithatë, ky standard nuk duhet kuptuar sikur i mundëson Gjykatës së Lartë ushtrimin e kompetencës së mësipërme në mënyrë diskrecionale. Gjykata ka theksuar se standardet kushtetuese për një proces të rregullt ligjor duhen respektuar në të gjitha fazat e gjykimit, përfshirë këtu shqyrtimin e rekursit nga Gjykata e Lartë në dhomën e këshillimit. Rekursi është mjeti procedural në dispozicion të kërkuesit, me anë të të cilit ai mund të ketë akses në Gjykatën e Lartë, duke e investuar këtë të fundit me shqyrtimin e pretendimeve të tij (shih vendimet nr.73, datë 16.12.2016; nr.24, datë 25.04.2016 të Gjykatës Kushtetuese).
18. Po ashtu, jurisprudenca kushtetuese ka theksuar se Gjykata e Lartë, për shkak të pozicionit dhe rolit të saj si gjykatë ligji, ka për detyrë të kontrollojë mënyrën e zbatimit të ligjit material dhe procedural nga ana e gjykatave më të ulëta (shih vendimet nr.84, datë 30.12.2016; nr.14, datë 17.04.2007; nr.35, datë 20.12.2005 të Gjykatës Kushtetuese). Po ashtu, Gjykata, referuar natyrës së gjykimit kushtetues të kërkesave individuale, ka tashmë një qëndrim të konsoliduar, sipas të cilit kontrolli i respektimit të standardeve kushtetuese për një proces të rregullt ligjor është funksion edhe i gjykatave të zakonshme, për më tepër i Gjykatës së Lartë. Një linjë e tillë lidhur me raportin ndërmjet juridiksionit kushtetues dhe juridiksionit të gjykatave të zakonshme, kur është rasti i shqyrtimit nga ana e Gjykatës Kushtetuese të kërkesave individuale, në bazë të nenit 131/f të Kushtetutës, udhëhiqet nga parimi i subsidiaritetit (komplementaritetit) (shih vendimet nr.4, datë 28.02.2006; nr.19, datë 02.04.2012; nr.58, datë 24.12.2012; nr.52, datë 02.12.2013; nr.3, datë 23.01.2014; nr.84, datë 30.12.2016 të Gjykatës Kushtetuese). Për vendimet e dhëna nga Gjykata e Lartë në dhomën e këshillimit dhe referuar natyrës së gjykimit kushtetues të kërkesave individuale, Gjykata ka theksuar se vetëm kur janë të pranishme pretendime, që kanë të bëjnë me shkeljen e parimeve themelore të procesit gjyqësor, si dhe kur këto pretendime gjejnë pasqyrim në materialet e çështjes, vendimi i Kolegjit për mospranimin e rekursit vë në dyshim të drejtën për një proces të rregullt ligjor (shih vendimet nr.19, datë 19.07.2005; nr.22, datë 06.06.2011; nr.18, datë 14.04.2015; nr.84, datë 30.12.2016 të Gjykatës Kushtetuese).
Po ashtu, Gjykata konstaton se kërkuesi në rekursin e paraqitur në Gjykatën e Lartë ka ngritur pretendime të natyrës kushtetuese. Konkretisht, ai ka ngritur pretendimin për cenimin e së drejtës së mbrojtjes, për shkak se nuk është njoftuar në mënyrën e duhur për akuzën dhe aktet e dosjes hetimore në ngarkim të tij. Sipas tij, në vendimin e datës 11.06.2007 të prokurorëve për marrjen si të pandehur ndodhet shënimi se ky vendim i është njoftuar të pandehurit dhe mbrojtësit të tij. Por ky vendim, në kundërshtim me nenin 34 të KPP-së nuk i është komunikuar dhe njoftuar kërkuesit. Në rekurs kërkuesi ka pretenduar se gjykatat kanë cenuar parimin e gjykimit nga një gjykatë e paanshme dhe e caktuar me ligj, pasi gjyqtarët të cilët kanë gjykuar çështjen nuk janë zgjedhur me short. Më tej, kërkuesi ka pretenduar se kryesuesja e trupit gjykues nuk i përket Kolegjit Penal por atij Civil të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, prandaj ajo nuk mund të gjykonte një çështje penale. Por megjithëse nga ana e mbrojtjes u kërkua përjashtimi i saj, kërkesa nuk u pranua. Gjithashtu, kërkuesi ka parashtruar përpara Gjykatës së Lartë se gjykatat kanë cenuar parimin e prezumimit të pafajësisë. Ai ka pretenduar se i gjithë procedimi penal kundër të ashtuquajturës “Banda e Lushnjës” ka qenë objekt i sulmeve, fjalimeve dhe deklaratave politike nga ana e funksionarëve të lartë të shtetit duke krijuar një perceptim krejtësisht të gabuar si te gjykata, ashtu dhe tek opinioni publik. Një tjetër pretendim i kërkuesit ka qenë ai se gjykatat kanë cenuar nenin 32/2 të Kushtetutës sepse e kanë dënuar në bazë të provave të mbledhura në mënyrë të paligjshme. Sipas tij shtetasi G.S. është paraqitur në seancën e datës 07.04.2010 në të cilën është pyetur si i pandehur në një procedim të lidhur. Statusi i këtij personi kishte rëndësi shumë të madhe, pasi moscaktimi i drejtë i pozitës së tij ka çuar në shkelje procedurale në marrjen e provës. Më tej kërkuesi ka pretenduar se me vendim të ish-drejtorit të Drejtorisë kundër Krimit të Organizuar, Z.SH., në mënyrë haptazi të kundërligjshme janë shfuqizuar disa vendime pushimi, në kundërshtim me nenin 24/5 të KPP-së. Kërkuesi ka pretenduar në rekurs se gjykatat kanë cenuar parimin e mosdënimit pa ligj e sanksionuar në nenin 29 të Kushtetutës. Ai ka argumentuar se për sa i takon akuzës së “shkatërrimit të pronës me zjarr” të shtetasit SH.H., ajo është parashkruar. Banesa është djegur në datën 22 gusht 1998 dhe procedimi penal për këtë vepër ka nisur në vitin 1998, i cili më pas është pezulluar. Hetimet për këtë çështje kanë rifilluar në vitin 2005. Sipas kërkuesit neni 66 i KP-së parashikon se nuk mund të bëhet ndjekje penale kur nga kryerja e veprës deri në çastin e marrjes së personit si i pandehur kanë kaluar dhjetë vjet për krimet që parashikojnë dënim nga pesë gjer në dhjetë vjet burgim. Kjo vepër në kohën që është kryer është kualifikuar sipas nenit 151/1 të KP-së, i cili parashikonte dënimin deri në 5 vjet dhe ndjekja penale për këtë vepër është parashkruar. Një pretendim tjetër i kërkuesit në Gjykatën e Lartë ka qenë cenimi i parimit ne bis in idem, sepse ai është akuzuar sërish për një vepër për të cilën një vendim i mëparshëm e ka shpallur të pafajshëm. Ai ka pretenduar se është gjykuar njëherë dhe është deklaruar i pafajshëm me vendim penal të formës së prerë për veprën penale të pjesëmarrjes në bandën e armatosur, dhe është gjykuar prapë për të njëjtën vepër, por nën titullin e krijimit të organizatës kriminale, një vepër penale që parashikohet nga e njëjta dispozite, neni 333 i KP-së. Ai ka pretenduar gjithashtu se gjykatat kanë cenuar të drejtën për një vendim të arsyetuar. Sipas tij vendimi nr.17 datë 28.04.2011 i Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda është absolutisht i pavlefshëm, pasi atij i mungon dispozitivi. Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda nuk është shprehur për njërën prej akuzave në ngarkim të kërkuesit, pikërisht për akuzën e vrasjes me paramendim të shtetasit L.B.20. Për sa më sipër, Gjykata konstaton se kërkuesi ka paraqitur pretendime të natyrës kushtetuese. Në këtë rast, Gjykata e Lartë këtyre pretendimeve duhej t’ju jepte përgjigje dhe nuk duhej të vendoste mospranimin e rekursit në dhomën e këshillimit
21. Gjykata vlerëson se përderisa në rekurs ishin ngritur pretendime me natyrë kushtetuese, Gjykata e Lartë duhej të shprehej për to në respektim të rolit të saj kontrollues si gjykatë ligji dhe parimit të subsidiaritetit.
22. Si përfundim, nisur nga sa më sipër, Gjykata çmon se në çështjen e kërkuesit Gjykata e Lartë ka lejuar një proces të parregullt ligjor, pasi është mohuar aksesi në kuptimin substancial duke mos marrë përgjigje për pretendimet e ngritura prej tij, në kuptim të neneve 42 dhe 43 të Kushtetutës, për respektimin e standardeve kushtetuese të procesit.
C. Për pretendimet e tjera
23. Për sa u takon pretendimeve të tjera të kërkuesit, që kanë të bëjnë me kërkesën për gjykim të shkurtuar, mbledhjen e provave në mënyrë të paligjshme, cenimin e së drejtës së mbrojtjes, të së drejtës për t’u gjykuar brenda një afati të arsyeshëm, parimin e mosdënimit pa ligj, parimin e gjykimit nga një gjykatë e paanshme dhe e caktuar me ligj, parimin e prezumimit të pafajësisë, parimin e gjykimit dy herë për një vepër penale (ne bis in idem), si dhe parimin e arsyetimit të vendimeve gjyqësore, Gjykata vlerëson të mos ndalet në analizimin e tyre, për sa kohë çështja do të merret përsëri në shqyrtim nga Gjykata e Lartë, e cila në funksion të rolit të saj si gjykatë e ligjit dhe si kontrolluese e respektimit të standardeve kushtetuese nga gjykatat më të ulëta duhet t’u japë përgjigje të arsyetuar pretendimeve të mësipërme të ngritura në rekurs.
PËR KËTO ARSYE,
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, në mbështetje të neneve 131/f dhe 134/1/i të Kushtetutës, si dhe të neneve 72 e vijues të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me shumicë votash,
V E N D O S I:
Pranimin pjesërisht të kërkesës.
Shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë të vendimit nr.00-2015-2087, datë 02.07.2015 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë.
Dërgimin e çështjes për rishqyrtim në Gjykatën e Lartë.Ky vendim është përfundimtar, i formës së prerë dhe hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare.
MENDIM PAKICE
1. Shumica ka vendosur pranimin e kërkesës së shtetasit Aldo Bare dhe ka shfuqizuar si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë vendimin nr.00-2015-2087, datë 02.07.2015 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë (dhomë këshillimi). Nuk pajtohemi me vendimin e shumicës për arsyet si më poshtë.
2. Nga rrethanat e çështjes rezulton se kërkuesi, pasi është dënuar nga gjykatat e juridiksionit të zakonshëm dhe ka shteruar mjetet, i është drejtuar kësaj Gjykate duke pretenduar cenimin e së drejtës së mbrojtjes, për shkak se nuk është njoftuar në mënyrën e duhur për akuzën dhe aktet e dosjes hetimore në ngarkim të tij; cenimin e së drejtës për t’u gjykuar brenda një afati të arsyeshëm; cenimin e parimit të gjykimit nga një gjykatë e paanshme dhe e caktuar me ligj; cenimin e parimit të prezumimit të pafajësisë; cenimin e parimit të mosdeklarimit fajtor mbi bazën e të dhënave të mbledhura në mënyrë të paligjshme, të sanksionuar në nenin 32/2 të Kushtetutës; cenimin e parimit të mosdënimit pa ligj, të përcaktuar në nenin 29 të Kushtetutës; cenimin e parimit ne bis in idem; cenimin e së drejtës për të pasur një vendim të arsyetuar; cenimin e së drejtës së aksesit.
3. Shumica ka ritheksuar qëndrimin e jurisprudencës të kësaj Gjykate, sipas së cilës, referuar natyrës së gjykimit kushtetues të kërkesave individuale, kontrolli i respektimit të standardeve për një proces të rregullt ligjor është funksion edhe i gjykatave të zakonshme, për më tepër i Gjykatës së Lartë. Një linjë e tillë lidhur me raportin ndërmjet juridiksionit kushtetues dhe juridiksionit të gjykatave të zakonshme, kur është rasti i shqyrtimit nga ana e Gjykatës Kushtetuese të kërkesave individuale, në bazë të nenit 131/f të Kushtetutës, udhëhiqet nga parimi i subsidiaritetit (komplementaritetit) (shih vendimin nr.84, datë 30.12.2016 të Gjykatës Kushtetuese). Për vendimet e dhëna nga Gjykata e Lartë në dhomën e këshillimit, Gjykata ka theksuar se vetëm kur janë të pranishme pretendime, që kanë të bëjnë me shkeljen e parimeve themelore të procesit gjyqësor, si dhe kur këto pretendime gjejnë pasqyrim në materialet e çështjes, vendimi i Kolegjit për mospranimin e rekursit vë në dyshim të drejtën për një proces të rregullt ligjor (shih vendimet nr.19, datë 19.07.2005; nr.22, datë 06.06.2011; nr.18, datë 14.04.2015; nr.84, datë 30.12.2016 të Gjykatës Kushtetuese). Bazuar në këto standarde shumica ka arritur në përfundimin se përderisa në rekurs ishin ngritur pretendime me natyrë kushtetuese, Gjykata e Lartë duhej të shprehej për to në respektim të rolit të saj kontrollues dhe parimit të subsidiaritetit (shih paragrafët nr.18 dhe nr.21 të vendimit të shumicës).
4. Në jurisprudencën e Gjykatës, kërkesat e individëve, sipas të cilave, Gjykata e Lartë me vendimin e mospranimit në dhomë këshillimi nuk u ka dhënë përgjigje pretendimeve të natyrës kushtetuese të ngritura në rekurs, në varësi të natyrës së çështjes, janë trajtuar në dy mënyra:
– së pari, në zbatim të parimit të subsidiaritetit, në disa raste është vendosur shfuqizimi i vendimit të Gjykatës së Lartë dhe dërgimi i çështjes për rishqyrtim në atë Gjykatë (shih vendimin nr.3, datë 23.02.2016 të Gjykatës Kushtetuese);
– së dyti, në respekt të së drejtës për t’u gjykuar brenda një afati të arsyeshëm, si dhe për ta bërë vendimmarrjen e kësaj Gjykate efektive, kjo e fundit është shprehur për themelin e pretendimeve, duke rrëzuar kërkesën në rastin kur ato rezultojnë haptazi të pabazuara (shih vendimin nr.34, datë 13.06.2016 të Gjykatës Kushtetuese), si dhe duke e pranuar kërkesën nëse i ka vlerësuar ato të bazuara (shih vendimin nr.46, datë 19.07.2016 të Gjykatës Kushtetuese).
5. Qëndrimet e mësipërme nuk lidhen me ndryshimin apo devijimin nga jurisprudenca e Gjykatës, por me veçoritë që paraqet çdo çështje e veçantë e lidhur kjo dhe me efektivitetin e vendimmarrjes të kësaj Gjykate. Mendojmë se në rastin konkret kthimi i çështjes për rishqyrtim në Gjykatën e Lartë nuk përbën një mjet juridik efektiv për zgjidhjen përfundimtare të çështjes.
6. Gjykata, edhe në vështrim të jurisprudencës së GJEDNJ-së, lidhur me interpretimin e nenit 13 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, i cili sanksionon termin “ankim efektiv”, ka theksuar se është e rëndësishme të përcaktohet se çfarë mjetesh, sipas rastit, janë në dispozicion të individit dhe nëse ato i krijojnë atij mundësi reale për zgjidhjen e mosmarrëveshjes në mënyrë efektive. Në këtë drejtim është evidentuar se një ndër kriteret që duhet të plotësojë një ankim për të qenë efektiv është që mjeti të ofrojë mundësi të qarta dhe të sigurta për rivendosjen në vend të së drejtës së pretenduar. Ajo ka përcaktuar, gjithashtu, se mjeti që të jetë efektiv duhet të jetë i përshtatshëm, i disponueshëm dhe efikas për një çështje konkrete (shih vendimin nr.9, datë 15.03.2013 të Gjykatës Kushtetuese).
7. GJEDNJ-ja e ka trajtuar çështjen e efektivitetit të mjetit të ankimit në një perspektivë më të gjerë, duke dhënë disa orientime lidhur me karakteristikat që duhet të ketë një mjet i brendshëm ankimi. GJEDNJ-ja ka konstatuar se mjeti më i mirë i ankimit, si në çdo fushë tjetër, është pa dyshim parandalimi. Ajo ka mbajtur në mënyrë të përsëritur qëndrimin se neni 6/1 imponon mbi shtetet kontraktuese detyrimin për t’i organizuar sistemet e tyre gjyqësore në atë mënyrë që gjykatat të mund të përmbushin secilën nga kërkesat e tij, veçanërisht për sa i përket afatit të arsyeshëm (shih, ndër të tjera, Süßmann kundër Gjermanisë nr.20024/92 pg.55). Kur sistemi gjyqësor ka mangësi në këtë drejtim, një mjet i projektuar për të përshpejtuar procedurat, me qëllim parandalimin e kohëzgjatjes së tepërt të procesit, përbën zgjidhjen më efektive. GJEDNJ-ja në shumë raste i ka njohur këtij lloj ankimi një karakter efektiv në masën që ai lejon përshpejtimin e vendimit gjyqësor në fjalë (shih ndër të tjera Luli kundër Shqipërisë, nr.64480/09, 64482/09, 12874/10, 56935/10, 3129/12 dhe 31355/09, Scordino kundër Italisë nr.36813/97 pg. 184, Bacchini kundër Zvicrës nr.62915/00, Tomé Mota kundër Portugalisë nr.32082/96).
8. Në rastin në shqyrtim, nga materialet e çështjes rezulton se procesi hetimor dhe gjyqësor ndaj kërkuesit, si pretendon dhe ai vetë, është tejzgjatur. Çështja në ngarkim të tij është regjistruar në Prokurorinë për Krime të Rënda Tiranë në datën 07.02.2006 dhe ka përfunduar me shqyrtimin në Gjykatën e Lartë në datën 02.07.2015. Kjo është arsyeja që, sipas pikëpamjes tonë, shumica, për t’u mos u bërë palë me gjykatat e juridiksionit të zakonshëm në zvarritjen e mëtejshme të çështjes, duhet t’i hynte shqyrtimit në themel të pretendimeve të kërkuesit, si mjeti dhe mënyra e vetme efektive për zgjidhjen përfundimtare të çështjes. Shumica nuk mund të mos merrte në konsideratë edhe faktin se shkeljet e pretenduara nga kërkuesi janë të natyrës së tillë që prima facie nuk justifikojnë kthimin e çështjes në Gjykatën e Lartë.
9. Përveç sa më lart, vlerësojmë se një rishqyrtim i çështjes nga ana e Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, në linjën e kërkuar nga shumica, nuk i shërben efektivitetit të gjykimit kushtetues, pasi në eventualitetin e një përgjigjeje negative nga ana e këtij të fundit, vendimi i shumicës nuk do të përmbushte pritshmëritë e kërkuesit, i cili, në këto rrethana, mund t’i drejtohet përsëri kësaj Gjykate, duke shtyrë më tej në kohë zgjidhjen përfundimtare të çështjes.
10. Përfundimisht vlerësojmë se vendimi i shumicës nuk është në funksion të parimit të drejtësisë efektive, pasi jo vetëm që zvarrit një proces të gjatë gjyqësor, por e kthen vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese nga një mjet efektiv, në një akt formal.
Anëtarë: Vitore Tusha, Vladimir Kristo.
– See more at: http://shqiptarja.com/home/1/aldo-bare-zbardhet-vendimi-i-kushtetuesesiu-shkel-n-t–drejtat-409943.html#sthash.Cwtrkjx8.dpuf