Gjykata Kushtetuese ka lënë në fuqi ligjin për kompensimin e pronave, duke rrezuar kështu kërkesën e Komunitetit Mysliman Shqiptar.
Kujtojmë se KMSH në padi kundërshtohet metodologjia e përllogaritjes së kompensimit financiar për pronat ndaj të cilave ka ndryshuar zëri kadastral.
NDRYSHIMET LIGJORE
Me ndryshimet e bëra në vitin 2022 u rishikua skema e kompensimit për ato familje që preken nga ndryshimi i zërit kadastral. Pra, bëhet fjalë për ato familje që kanë patur një tokë, e cila aktualisht ka statusin e tokës truall por në momentin e konfiskimit rezulton jashtë vijës së verdhë. Në këto raste, ligji përcakton që pronarët të përfitojnë 10 për qind të vlerës së kompensimit. Nga ndryshimet preken edhe ato familje që kanë përfituar më herët një pjesë të pronës, pra iu është kthyer. Nëse me ligjin e mëparshëm këto familje konsideroheshin të kompensuara, me skemën e re do të marrin 10 për qind të diferencës ndërmjet pronës së mbetur dhe asaj të kthyer.
“Agjencia e Trajtimit të Pronave ka konstatuar 3758 vendime me të drejtë kompensimi që preken nga ndryshimet ligjore, fatura financiare e të cilëve arrin në 15 miliardë lekë: nga të cilat: 1025 vendime të njohura për kompensim me vlerë pozitive. Vlera e publikuar për këto vendime para ndryshimeve ligjore ishte 2,209,000,380.13 lekë dhe shkon në 6,897,168,379.95 lekë; 1253 vendime të njohura për kompensim të cilat sipas ligjit nr. 133/2015 konsideroheshin të ezauruara dhe që sipas formulës së re të ligjit, marrin vlerë pozitive. Vlera e publikuar për këto vendime para ndryshimeve ligjore ishte – 49,497,717,941.49 lekë dhe shkon në 10,327,352,689.06 lekë dhe 1480 vendime, për të cilat subjekti konsiderohet i kompensuar (me vlerë negative) dhe rezulton po i tillë edhe sipas formulës së re (thjesht zvogëlohet vlera negative). Vlera e publikuar për këto vendime para ndryshimeve ligjore ishte – 104,234,304,718.19 lekë dhe shkon në – 7,133,468,610.45 lekë”, citohet në raportin e Agjencisë.
Që nga hyrja në fuqi e ligjit të ri të pronave 133/ 2015 deri në dhjetor të 2023, ATP ka ekzekutuar 812 vednime me një vlerë prej 7.8 miliardë lekësh. Krahas vlerës financiare është shpërndarë 717.8 ha tokë nga fondi fizik me një vlerë prej 1,460,359,567.11 lekë./m.j