Mafia shqiptare ose krimi i organizuar shqiptar janë termat e përdorur për organizatat kriminale me bazë në Shqipëri apo të përbëra nga grupe shqiptare.
Krimi i organizuar shqiptar është shumë aktiv në Shqipëri, SHBA dhe vendet e BE-së duke marrë pjesë në trafikime droge, armësh, njerëzish dhe organesh njerëzore. Skenari penal shqiptar është i karakterizuar nga krime të shumta, që në kompleksitetin e tyre, përbëjnë kapacitetet më të larta kriminale në botë. Vetëm në Shqipëri, ka mbi 15 familje mafioze që kontrollojnë krimin e organizuar.
Sipas raporteve të Wikileaks, mafia shqiptare ka monopolizuar përkatësitë e ndryshme ndërkombëtare që nga lindja në Izrael, deri në perëndim në Amerikë te Jugut. Këto raporte kryesisht tregojnë një lidhje të fortë mes politikanëve dhe familjeve të ndryshme të mafias shqiptare. Sipas Institutit të Kërkimeve për Studime Evropiane dhe Amerikane (RIEAS), grupet e mafias shqiptare në të vërtetë janë organizata hibride (sektorë te ndryshëm të shoqërisë), të përfshirë shpesh në të dy aktivitetet, kriminale dhe politike. Mafia shqiptare, në tërësinë e saj, përbën një prej elementeve më të lartë gjeneruese të krimit në botë, duke kombinuar karakteristikat “tradicionale” te cilat rritin padepërtueshmërinë, besueshmërinë dhe forcën – me elemente moderne dhe inovative.
Krimi shqiptar ka bërë rrugë edhe jashtë vendit amë me kriminalitetin botëror, duke shfrytëzuar mundësitë dhe integrimin e tij në të gjithë rrjetin.
“Tirana Observer” në një raport ekskluziv boton sot historitë e mafiozëve më të mëdhenj shqiptarë që kanë operuar në botë. Historitë e tyre dhe profilet.
Joey Lika, John Gotti shqiptar
Xhevdet (Joey) Lika është i quajtur “Mbreti i botës së krimit e drogës në Nju Jork”. Xhevdet Lika (Njihej ndryshe edhe me emrin Ismail Lika) ishte një amerikano-shqiptar i cili ishte i njohur dhe një figurë kryesore në botën e krimit në Nju York.
Në librin “Contract Killer” nga Hoffman dhe Headley, shkruhej se “edhe pse jo në lartësinë e “Al Capone” ose “John Gotti,” Xhevdet “Joey” Lika ishte i njohur në botën e krimit ndërkombëtar. Ai nuk i donte italianët dhe ata e kishin frikë për shkak se ai ishte shumë i dhunshëm. Mafiozët e tij ishin të gatshëm të bënin atentat ndaj John Gotti, Paul Castellano, apo edhe Presidentit Reagan, në qoftë se Lika ua kërkonte. Nuk kishte asnjë mënyrë për të ndaluar njerëz të tillë si Xhevdet Lika, dhe mafiozët e dinin këtë.”
Organizata e Likës shpërndante heroinë në lagjet artistike të Manhatanit duke përdorur dyqanet kineze. Droga merrej nga ish-Jugosllavia dhe Turqia ku Lika kishte bashkëpunëtorë.
Joey Lika punoi i vetëm deri në vitin 1980, më pas iu bashkua Xhevdet Mustafës. Xhevdet Mustafa u vra në Shqipëri pasi donte të rrëzonte Enver Hoxhën.
Nga ana tjetër, Lika, vazhdonte trafikun e heroinës në SHBA duke qenë mjaft i sukseshëm. Por në vitin 1981 bëri një gabim.
Joey Lika së bashku me dy anëtarë të bandës, M.Bici dhe V. Vulaj qëlluan për vdekje një tjetër shqiptar. M. Saljanin. Por një kishari i këtij të fundit i mbijetoi përplasjes së armatosur dhe u bë dëshmitar i mbrojtur i drejtësisë amerikane. Këtu merr fund edhe saga Likës. Sipas policisë amerikane ai transportonte drogë me vlerë 125 milionë dollarë nga Ballkani dhe e shiste në Nju Jork, Kaliforni, Teksas dhe Ilinois. Gjyqi i tij u drejtua nga prokurori Xhuliani. Ky i fundit deklaroi se ishte hera e parë në jetën e tij që ishte kërcënuar. Sipas mediave amerikane, Xhuliani u kërcënua për vdekje nga babai i Likës. Gjyqi ndaj tij u mbush plot me familjarë shqiptarë. Joey Lika u dënua me dënim të përjetshëm. Ai nuk apeloi ndaj dënimit, pasi ngaqë kishte vrarë një shqiptar, ai tani ishte në gjak me familjen e viktimës, në këtrë mënyrë e dinte që vendi më i sigurtë për të ishte burgu.
Bosi shqiptar në SHBA, Aleks Rudaj
Organizata kriminale e drejtuar nga gangsteri shqiptar Aleks Rudaj e quajti veten Familja e Gjashtë. Ata e shikonin veten si në të njëjtin nivel me pesë familjet e La Cosa Nostra-s së Nju Jorkut. Por pas një periudhë 10-vjeçare ata nuk dolën të ishin më shumë se sa një bandë rrugësh.
Në një profil që i bënin mediat amerikan mafiozit shqiptar, shkruhej: “Aleks Rudaj nisi si një bashkëpunëtor i familjes kriminale Gambino. Ai nuk është i vetmi shqiptar që e bëri këtë. Shqiptarët vijnë nga një e shkuar e ngjashme si italo-amerikanët apo italianët, dhe nuk kanë asnjë problem te përshtaten me grupet e huaja mafioze. Mafia kryesisht i përdorte shqiptarët si zbatues të urdhrave për të vrarë njerëzit. Ndërsa shqiptarët ishin duke u marrë me krime duke ndyrë duart e tyre, mafiozët italianë ishin shumë larg nga çdo gjakderdhje inkriminuese, pa dyshim duke numëruar paratë që fitonin duke vrarë një rival.
Nga fillim të viteve 1990, Rudaj e kuptoi se ai mund të përdorte njerëzit e tij shqiptarë për të formuar skuadrën e tij. Dalëngadalë ai dhe një grup shqiptarësh, por dhe italianësh, disa prej tyre ish-bashkëpunëtorë te Cosa Nostra-s, filluan të marrin përsipër kumarin e paligjshëm në Morris Park dhe në Westchester County.
Pas këtij suksesi, ata vendosën të shkojnë për një çmim më të madh: Territorin që pretendohej nga mafia italiane. Në verën e vitit 2001 ata vendosën të krijonin një grup të madh. Në qershor Rudaj dhe mbi dhjetëra njerëz të tij hynë në një sallon kumari të drejtuar nga anëtarët e krimit të familjes Lucchese në Astoria, Queens. Grupi i armatosur e bëri të qartë se ata ishin tashmë në krye të kumarit të paligjshëm në Astoria.
Edhe pse ata po merrnin territorin, grupi i Rudaj ende kishte respekt të madh për modelet e krimit të organizuar. Kur bosi i familjes Gambino John Gotti vdiq nga kanceri në qershor të vitit 2002, Aleks Rudaj dhe disa anëtarë të ekipit të tij i shkuan në varr për ta respektuar Por sigurisht lufta e tyre me Cosa Nostra-n nuk ishin personale por vetëm biznes.
Liderit të familjes Gambino, Arnold Squitieri, i kishte ardhur në majë të hundës kjo histori dhe kërkoi të bënte një bisedë me këta mafiozë. Biseda u zhvillua në një stacion gazi në një zonë pushimi pranë New Jersey-t. Squitieri nuk kishte ardhur vetëm. Njëzet mafiozë të armatosur të familjes Gambino shoqëronin shefin e tyre. Aleks Rudaj nga ana tjetër kishte arritur vetëm me gjashtë anëtarë të grupit të tij. Sipas agjentit të fshehtë të FBI-së Joaquin Garcia, i cili ishte i infiltruar ne familjen kriminale Gambino gjatë kësaj periudhe, Squitieri i tha Rudajt se lojës së tij i kishte ardhur fundi dhe se ata duhet të ndalonin zgjerimin e operacioneve të tyre. Shqiptarët dhe Gambinot pastaj nxorrën armët e tyre. Duke e ditur se ata ishin të paktë në numër shqiptarët kërcënuan se do të hidhnin në erë stacionin e gazit me të gjithë ata që ndodheshin në të. Kjo i dha fund diskutimit, dhe të dy grupet u tërhoqën prapa.
Nga viti 2006 të gjithë personat të përfshirë në këtë bisedë ishin në burg. Rudaj dhe Familja e tij e gjashtë ishte nxjerrë nga rruga në tetor të vitit 2004 dhe ishte ngarkuar me një shumëllojshmëri akuzash. Pas një gjyqi Rudaj dhe ndjekësit e tij kryesore u shpallën të gjithë fajtorë. Në vitin 2006 Rudaj, në atë kohë 38 vjeç, u dënua me 27 vjet burg. Rivali i tij Arnold u dënua për një rast shantazhi dhe u dërgua në burg për shtatë vjet. Ndryshimi mes Rudajt dhe familjeve tradicionale të Cosa Nostra-s? Arnols Squitieri pas burgosjes e kishte caktuar pasardhësin e familjes, Rudaj jo, në këtë mënyrë familja Gambino operon ende, e Rudajt jo”.
John Alite
John Eduard Alite alias “Johnny Alletto” ka lindur në shtator të vitit 1962. Alite është një mafioz amerikan nga Nju York-u, me origjinë shqiptare. Bashkëpunëtor i ngushtë dhe i konsideruar “krahu i djathtë” i familjes mafioze Gambino dhe padrinos së saj, John Angeli
Gotti-t në vitet 1980-1990 dhe deri në fillim të dekadës së parë të shekullit 21. Në vitin 2003, mafiozi amerikano-shqiptar John Alite mësoi se ishte në shënjestër për ta vrarë, dhe largohet në fshehtësi nga Amerika drejt Europës, duke lëvizur në njëzet vende europiane, përfshi këtu edhe vendin e origjinës, Shqipërinë. Më pas nga Europa, John Alite lëvizi në Amerikën e Jugut. Ndërkohë, John Alite shpallet në kërkim ndërkombëtar nga Interpoli, si një nga “most wanted”. Gjatë kohës që Alite jetonte dhe rrinte i fshehur në Brazil, zbulohet, dhe me një urdhër-arrest nga Interpoli, arrestohet për llogari të autoriteteve federale amerikane. Në vitin 2011, John Alite u dënua me 10 vjet burg, për akuzat si pjesëmarrës në një mori krimesh, sikundër: vrasje, vënie gjobash, drogë, vjedhje dhe fshehje të krimeve. Gjatë viteve në burg John Alite bashkëpunoi me autoritetet federale amerikane, duke dëshmuar para tyre kundër familjes mafioze Gambino, Gotti-t, Charles Carneglia dhe kundër ish-bashkëpunëtorëve të tij, dëshmi që tronditën thellë Perandorinë e Krimit të familjes mafioze Gambino, të fundmit e Cosa Nostra-s. Alite lirohet nga burgu me kusht, me statusin e të penduarit dhe me statusin e mbrojtjes së dëshmitarit, duke mos i bërë kështu dhjetë vitet burg, që ai u dënua fillimisht.
Në një periudhë kohore 25-vjeçare të karrierës së tij si gangster, John Alite masakroi shumë njerëz, duke i goditur me thikë, duke i qëlluar me armë, duke i rrahur nëpër klube me shkopa bejsbolli etj. Ai nuk ndjehet aspak krenar për këtë, por as nuk dëshiron të fshihet prej tyre. Ashtu ishte e nuk donte të fshihej. Por nuk është më ashtu tani. Të paktën tani në vitin 2016, ai po përpiqet të rikthejë jetën e tij, nga një vrasës me pagesë dhe ish-pjesëtar i bandave kriminale po përpiqet të jetojë një jetë normale në moshën 55-vjeçare.
Përmes shpërndarjes së drogës, kumarit dhe operacioneve kriminale, Alite u bë një milioner. Si ai i humbi paratë dhe si e rifitoi respektin për veten është pjesë e historisë së tij. Historia e John Alite është unike. Është një vështrim i brendshëm në botën e korruptuar e të pabesë të Mafias Amerikane të shekullit 21. Nëse doni nder dhe besnikëri, shikoni filmin Kumbari. Nëse doni realitet, flisni me John Alite.
Shqiptari John Alite nuk është një gangster i sajuar, por është gjithçka që ai arriti të fitonte zemrën e mafiozëve më të mëdhenj e të famshëm, falë aftësive dhe inteligjencës së tij. Me një modesti në të shprehur dhe të qeshurën prej babaxhani, krenar përtej krenarisë për origjinën e tij shqiptare, këtë e tregojnë krahët dhe trupi i tij, që është i mbuluar nga tatuazhet e shumta me flamuj shqiptarë, me shqiponjën dhe Skënderbeun. Ndjenjat e tij të shqiptarisë i ka trashëguar edhe te dy djemtë e tij. Fjala më e preferuar dhe e dashur e tij në shqip është fjala “SHQIPE”. Bashkëkombasit e tij shqiptarë i thërret vetëm me fjalën: Shqipe! Në një intervistë ai rrëfeu edhe rrënjët e tij shqiptare, historinë e jetës së tij, si u përfshi në botën e krimit, që nga një fëmijë mjaft i pafajshëm në një zbatues rigoroz i rregullave të Gotti-t dhe duke u shndërruar në një njeri i pamëshirshëm në një mori krimesh mafioze.
Princ Dobroshi
Princ Dobroshi ishte një nga figurat kryesore të heroinës në Europë. Ai lindi më 2 prill 1964 në Serbi. Në vitin 1993, ai u kap në Norvegji dhe në vitin 1994 u dënua me 14 vjet burg për trafikim heroine, me akuza nga Suedia e Danimarka. Në një operacion të koordinuar mirë, ai arriti të arratisej nga burgu Ullesmos në vitin 1997. Si vend të ri për të jetuar zgjodhi Republikën Çeke dhe shumë shpejt dominoni mafien shqiptare të drogës. Më 23 shkurt 1999 ai u arrestua në Pragë. Edhe pse i planifikuan atentat në burgun e Çekisë, Dobroshi arriti të ekstradohej në kohë për në Norvegji për të përfunduar dënimin e tij. Pas përfundimit të dënimit të tij për sjellje të mirë, u zhvendos në Pejë. Që nga viti 2006 jeton në Kosovë, ndërsa gruaja dhe dy fëmijët e tij në Pragë.
Naser Kelmendi
Naser Kelmendi ishte kreu i një perandorie kriminale të Ballkanit, e njohur nga autoritetet boshnjake. Sipas një raporti të paraqitur nga Interpoli, familja kriminale Kelmendi drejtonte një nga organizatat më të fuqishme kriminale jo vetëm në Bosnje, por në të gjithë rajonin. Organizata Kelmendi ka qenë e përfshirë në trafikimin e drogës, të cigareve dhe pastrimit të parave. Sipas Interpolit, ndikimi i organizatës arrinte në Mal të Zi, Kosovë, Maqedoni, Kroaci, Serbi, Gjermani dhe SHBA. Sipas CIA-s Kelmendi ishte një nga familjet më të forta kriminale shqiptare në Ballkan. Organizata Kelmendi ka qenë dominuese edhe në trafikun e kokainës dhe heroinës, si dhe anhidridit acetik, një përbërës themelor në prodhimin e heroinës. Naser Kelmendi u arrestua më 5 maj të vitit 2013.
Zef Mustafa
Zef Mustafa lindi në Shqipëri por lëvizi në Amerikë së bashku me prindërit e tij kur ishte i vogël në vitin 1962 për t’u arratisur nga regjimi komunist i Enver Hoxhës. Në moshën 2-vjeçare, e ëma e tij vdiq dhe më pas i vdiq edhe babai pas 9 vjetësh. Mustafa ishte shumë i lidhur me familjen kriminale Gambino. Kur u rrit konsiderohej një person shumë i dhunshëm dhe i etur për gjak. Ishte gjithashtu mik i John Gotti-t. Zefi frikësonte edhe mafiozët më të zgjuar.
“I urrej këta dreq shqiptarësh,” tha një bos në familjen kriminale Genoveze në një përgjim të FBI-së disa vite më parë për bandën e Mustafës.
“Nëse ju del përpara një shqiptar dhe një ujk, vrit shqiptarin. Me ta nuk flitet”.
Mustafa njihej si njeriu i shkopit të bejsbollit. Sipas informatorëve të drejtësisë, Mustafa u ka thyer kokën shumë njerëzve.
Një nga avokatët që punoi për mbrojtjen e Mustafës thoshte: “Edhe kriminelët më të zgjuar frikësoheshin nga ai”.
Mendohet se arriti të ndërtojë pasuri më të madhe se sa Aleks Rudaj, madje më shumë se dhe sa vetë anëtarët e Gambinos. U arrestua në vitin 1993./Express/a.m.