Shkrimtari Ismail Kadare u vlerësua nga Franca me titullin prestigjioz “Oficer i Madh i Legjionit të Nderit” në vitin 2020, dekoratë që iu dorëzua dje nga vetë presidenti i Francës, Emmanuel Macron.
“Për këtë rol si poet i Ballkanit, si rapsod i Europës, si lajmëtar i lirisë, për këtë lidhje drithëruese që ju mishëroni kaq çmueshëm mes Shqipërisë dhe Francës, kam nderin sot t’ju ngre në gradën e oficerit të madh, në urdhrin e Legjionit të Nderit,” – u shpreh presidenti francez, teksa i dorëzoi shkrimtarit Ismail Kadare dekoratën e nderit.
Legjioni i Nderit është titulli më i lartë shtetëror i dhënë nga Franca që prej kohës së Napoleon Bonapartit, në vitin 1802. Legjioni i Nderit jepet për meritat ushtarake dhe civile. Urdhri i Legjionit renditet me shkallë që vinë në rritje: Kalorës, Oficer, Komandant, Oficer i Madh dhe Kryqi i Madh.
Për rastësi, ishte Jusuf Vrioni, i biri i Iliaz Vrionit, i cili me përkthimin e tij brilant të romanit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” për lexuesin frëng i dha famën ndërkombëtare veprës së Kadaresë.
Të tjerë emra që janë nderuar me Urdhrin e Legjionit të Nderit janë shkrimtari Fatos Kongoli në gradën kalorës (2010); Drita Hadaj, Kryetarja e Aleancës Franceze të Tiranës në gradën oficere (2014) dhe kryeministri Edi Rama në gradën komandant (2017).
/f.s