Vladimir Hysi ishte Ministër i Rendit Publik i Shqipërisë në periudhën dhjetor, 1991 – 13 prill, 1992, humbi jetën tragjikisht sot në qytetin e Durrësit duke u rrëzuar nga kati i 7 i një pallati.
Hysi ishte pjesë e qeverisë teknike me kryeministër Vilson Ahmetin.
Kjo qeveri u quajt “kujdestare” deri në zgjedhje dhe jetoi nga janari 1992 deri në 22 mars, ose më mirë në fillim të prillit sa u formua qeveria e PD-së pas fitores së zgjedhjeve.
Ajo ishte në një farë mënyrë kabinet i Presidentit të atëhershëm Ramiz Alia, pasi s’kishte parlament ku të raportonte sepse ishte i shpërndarë.
Kishte buxhet të limituar që e miratoi në Kuvend vetëm për 3 muaj, buxhet minimal sa për nevojat adekuate dhe punët e përditshme. Por detyra kryesore e saj ishte të organizonte zgjedhjet e 22 marsit në një ambient sa më pak të politizuar.
Ahmeti afroi ekspertë të ekuilibruar politikisht që edhe pse kishin qëndrime pro apo kundër një pale, ishin jo militantë.
Për shembull: Ylli Çabiri, ministër i Tregtisë ishte socialist, por jo anëtar i PS-së. Alfred Moisiu, ministër i Mbrojtjes ishte pranë PD-së, por jo një militant i thekur.
Ndërsa ministri i Rendit, Vladimir Hysi mbahet mend për hapjen e gazetës “Albapol” me kryeredaktor Naim Zoton që u bë një media shumë e suksesshme dhe e pavarur sidomos në mbulimin e kronikës.
Vladimir Hysi është arrestuar më 5 mars 1996 me akuzën e krimeve kundër njerëzimit, shpërdorim detyre dhe veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës. Ai u dënua me 1.5 vjet burg nga gjykata e shkallës së parë dhe Gjykata e Apelit ndërsa Gjykata e Kasacionit atëherë i hodhi poshtë akuzat duke e shpallur të pafajshëm.
Ja përbërja e qeverisë së Vilson Ahmetit:
Vilson Ahmeti – kryeministër
Abdyl Xhaja – zëvendëskryeministër dhe ministër Burimeve Minierave dhe Energjetike
Zyhdi Pepa – zëvendëskryeministër dhe ministër i Bujqësisë
Ilir Boçka – ministër i Punëve të Jashtme
Gjergj Konda – ministër i Ekonomisë
Alfred Moisiu – ministër i Mbrojtjes
Vladimir Hysi – ministër i Rendit Publik
Kudret Çela – ministër i Drejtësisë
Robert çeku – ministër i Financave
Iljaz Mehmeti – ministër i Industrisë së Lehtë dhe Ushqimore
Ylli Çabiri- ministër i Lidhjeve Ekonomike me Jashtë
Robert Gjini – ministër i Tregtisë së Brendshme dhe Turizmit
Luigj Aleksi – ministër i Ndërtimit
Ilir Mati – ministër i Transporteve
Alfred Pema – ministër i Arsimit
Vath Koreshi – ministër i i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve
Kristo Pano – ministër i Shëndetësisë
Ylli Memisha – kryetar i Komisionit të Kontrollit të Shtetit
Petrit Skënde – kryetar i Komitetit të Shkencës dhe Teknikës./express/a.k