Çdo veprim që është kryer me arkivën është me përgjegjësi të madhe dhe vendimi nuk është marrë në SHIK, ai është konsultuar ose është urdhëruar nga lart. Dhe, mbi SHIK-un ka qenë vetëm Presidenti, se për Kryeministrin e kohës, SHIK-u nuk pyeste. Por një gjë duhet ta kemi parasysh, ai President nuk improvizonte, ka bërë shumë zullume, por gjithmonë i ka kopsitur mirë. Amnistia që bëri ishte një nga kopsitjet më të sigurta…
Pasardhësi i Bashkim Gazidedes në krye të Shërbimit Informativ Kombëtar, Prof. Fatos Klosi, në këtë intervistë ekskluzive për ‘DITA’-n u jep përgjigje një sërë pyetjesh që ne i bëmë pas publikimit për dy ditë me radhë të një procesverbali për zhdukjen e shumë dosjeve të rëndësishme të ish-Sigurimit të Shtetit gjatë periudhës 1949-1991.
Sikurse e kemi theksuar gjatë dy ditëve të fundit, ky akt ka ndodhur në periudhën kur në pushtet ishte Partia Demokratike gjatë viteve 1992-97, kur shef i Shërbimit Informativ ishte Bashkim Gazidede, ndërsa president i vendit ishte Sali Berisha.
E theksojmë këtë fakt, pasi, ashtu si dikur Sigurimi i Shtetit ishte arma më e dashur e partisë në pushtet, edhe kur demokratët erdhën në pushtet, u vazhdua në të njëjtën linjë. Fatos Klosi në këtë intervistë e lë të nënkuptohet qartë se në vitin e zi 1997 kur mori flakë e u dogj Shqipëria, drejtuesve të shtetit të asaj kohe, më shumë se çdo gjë u ka interesuar zhdukja e këtyre dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit? Pse? Shumë hamendësime mund të bëhen.
Shërbimi Informativ ishte arma më e dashur e PD-së, në të vërtetë e Sali Berishës, i cili kontrollonte gjithçka nëpërmjet këtij shërbimi. Fatos Klosi e thotë fare troç se “mbi SHIK-un ka qenë vetëm Presidenti, se për Kryeministrin e kohës, SHIK-u nuk pyeste.” Më qartë nuk ka se si thuhet.
Këtu duket se fle edhe lepuri: Pse Sali Berisha është përpjekur që fajet dhe krimet e Bashkim Gazidedes t’ia kalojë Irakli Koçollarit, që ishte paraardhësi i Gazidedes, “gjeneralit’ që mori përsipër të bëhej kryekomandant për shtypjen e revoltave popullore në pranverë të vitit 1997?
Pavarësisht se Fatos Klosi është nga të vetmit shefa të Shërbimit Informativ që komunikon me shtypin, ai e njeh shumë mirë profesionin dhe përgjegjësinë, ndaj ka dhe konvencionet që merren lehtësisht me mend për të mos i thënë të gjitha publikisht. Shto këtu edhe fakti se kanë kaluar mbi njëzet vjet nga ajo kohë… Gjithsesi, edhe nga kjo intervistë lakonike e zotit Klosi, ka shumë nëntekste dhe shumë gjëra merren lehtësisht me mend pse kanë ndodhur dhe si kanë ndodhur…
Intervistoi Xhevdet Shehu
– Zoti Klosi, gazeta “DITA” po boton për herë të parë procesverbalin e një inventari mbi gjendjen e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit që nisi menjëherë pas largimit të Gazidedes nga SHISH dhe zgjati 3 vjet me radhë fletë më fletë, kohë kur ju keni qenë shef i Shërbimit Informativ. Përse e keni kërkuar këtë inventar në atë kohë?
– Shpjegimi është shumë i thjeshtë. Unë mora drejtimin e SHIK-ut në gusht të vitit 1997, pas disa muaj që gjithë vendi ishte në një situatë të pazakontë. SHIK-u i kohës ishte i implikuar gjerësisht në ato ngjarje. Shumica dërrmuese e kuadrove të tij, duke e ndjerë veten fajtorë për të me bëmat e tyre, e kishin lënë Shërbimin dhe vendin. Për këtë arsye ne nuk morëm asgjë në dorëzim. Boll të kujtojmë që shumica e godinave të Shërbimit, përveç Tiranës, Fierit dhe Elbasanit, ishin të djegura apo të bastisura dhe të shkatërruara.
Në këto kondita, gjithë dokumentacioni arkivor dhe operativ i Shërbimit ishte grumbulluar në Tiranë dhe duhej inventarizuar, për të ditur se çfarë materiale po merrnim.
Më pas, pas ringritjes së godinave në të gjithë vendin, materialet e ardhura nga baza, u rishpërndanë në degët e rretheve.
– Nga të dhënat e inventarit rezulton se ka mjaft mungesa dosjesh dhe, ajo që bie në sy më tepër është “Dosja e drejtimit të Ambasadës jugosllave” ku përfshihet periudha 1948-1991. Përse është zhdukur kjo dosje, sipas jush?
– Ne inventarizuam gjithë materialet arkivorë dhe operativë, ato që Shërbimi kishte trashëguar nga ish-Sigurimi i Shtetit dhe ato që ai kish prodhuar, gjatë punës së tij. Për materialet e Sigurimit dolën shumë probleme, pasi për to ne nuk gjetëm një inventar të rregullt të mbajtur nga Shërbimi. Pas shumë kërkimeve gjetëm vetëm Proces-verbale të mbajtura gjatë procesit të kalimit të materialeve nga Ministria e Brendshme në SHIK-un e porsa formuar.
Kështu që rezultatet e Inventarit që bëmë, i krahasuam me këto Procesverbale. Rezultatet e këtij krahasimi, që ju tashmë i keni botuar, treguan se kishte shumë mungesa. Ekipi që e bëri këtë inventar, natyrisht, nuk i ka parë dosjet që mungonin, prandaj nuk e di përmbajtjen e tyre, dhe ne vetëm mund të hamendësojmë. Arsyeja, e para që të vjen ndër mend është se, dikujt nga ata që vendosnin, nuk i pëlqente përmbajtja e tyre dhe është shfrytëzuar situata e turbullt e krijuar në gjysmën e parë të vitit ’97, për “t’iu gjetur vendin”.
– Mendoni se ish-Sigurimi i Shtetit ka qenë më serioz se shërbimi inteligjent që erdhi më pas. Pra, pasi u përmbys diktatura?
– Sigurisht, Sigurimi i Shtetit ka qenë shumë më serioz se Shërbim pas tij, në mbajtjen dhe administrimin e dokumentacionit arkivor dhe operativ, kishte rregulla të qarta dhe që zbatoheshin me rigorozitet. Dënohej rëndë edhe neglizhenca më e vogël, le më pastaj, dëmtimet e qëllimshme.
– Ju e pranoni se shumë dosje të ish-Sigurimit janë ekzekutuar apo zhdukur. Pse ishin të interesuar t’i zhduknin ato dosje ata që erdhën në pushtet pas vitit 1990?
– E thashë pak më parë arsyen më të thjeshtë. Por për ta nxjerrë të vërtetën, duheshin vënë para përgjegjësisë ata që e ngacmuan fondin, dhe kjo duhesh bërë me kohë, por shefat që i kishin urdhëruar ata, i dolën përpara këtij skenari.
Është dënuar nga regjimi i Berishës, për t’ia lënë fajin atij, për asgjësim të paligjshëm të materialeve, Kryetari i parë i SHIK-ut, Irakli Koçollari, sigurisht që ishte një skenar farsë. Më pas, me amnistinë e vitit 1997 që bëri Berisha, ky krim u amnistua dhe asnjë tjetër nuk u çua para gjykatësve.
– A mund të ketë të dhëna se në të kanë qenë emra të cilët kanë pasur mundësi ta zhdukin?
– Një gjë duhet ta keni të qartë, çdo veprim që është kryer me arkivën është me përgjegjësi të madhe dhe vendimi nuk është marrë në SHIK, ai është konsultuar ose është urdhëruar nga lart. Dhe, mbi SHIK-un ka qenë vetëm Presidenti, se për Kryeministrin e kohës, SHIK-u nuk pyeste.
Por një gjë duhet ta kemi parasysh, ai President nuk improvizonte, ka bërë shumë zullume, por gjithmonë i ka kopsitur mirë. Amnistia që bëri ishte një nga kopsitjet më të sigurta.
– Mund të jetë Sali Berisha njëri prej tyre? Apo të tjerë në PD?
– Në se më pyet, mund apo jo, sigurisht që mund, por vetëm kaq, se nuk kam parë gjë.
– Një tjetër pikë e konkluzioneve të grupit që ka bërë inventarin del së mungojnë dokumente SRV, të cilat thuhet së janë shfrytëzuar barbarisht për qëllime politike nëpërmjet botimit në media, si për shembull listat e “vdekjes”. Përse nuk keni bërë një kallëzim për një shkelje kaq të rëndë?
– Edhe kallëzimi është bërë. Në marrëveshje me Komisionin Bezhani, i cili ishte shumë i interesuar për përmbajtjet e dosjeve të Sigurimit (jo vetëm emrat e dosjeve) vendosëm që kallëzimin ta bënte Komisioni, dhe ashtu u bë. Pas ca kohe, Prokuroria ktheu përgjigjen që krimet e kësaj natyre para prillit të ’97 ishin amnistuar dhe nuk mund të ndiqeshin.
Për këto probleme, pas kryerjes së inventarit dhe konstatimeve pasonjëse, ne kemi raportuar dhe në Komisionin e Sigurisë në Kuvend, tek Presidenti dhe Kryeministri.
Raporti i plotë i dokumenteve të zhdukura nga SHISH
INFORMACION PËR INVENTARIN
Mbi përfundimin e inventarizimit dhe marrjen në dorëzim të materialeve të ish-Sigurimit të Shtetit
Drejtorit të Shërbimit Informativ Kombëtar,
Zotit Fatos Klosi
Në zbatim të urdhrit Tuaj, ju vëmë në dijeni se përfundoi para afatit kohor inventarizimi i imët (fletë më fletë) dhe marrja në dorëzim e fondit të mbyllur të ish-Sigurimit të Shtetit, e cila u krye në një periudhë 3-vjeçare kohe nëpërmjet dy fazave:
Faza e parë
Pasi konstatuam se në Drejtoritë e Aparatit Qendror si dhe në Degët e SHIK-ut në rrethe, ruheshin dhe administroheshin dokumentacione operative të të gjitha llojeve të ish fondit të mbyllur të Sigurimit të Shtetit, në kundërshtim me Ligjin e FHIK-ut dhe atë të Arkivave, organizuam menjëherë grumbullimin, evidentimin, inventarizimin dhe marrjen e tyre në dorëzim. Si rrjedhojë, u grumbulluan dhe u inventarizuan 2325 dosje të ndryshme operative, 1419 dosje të R.S.I. si dhe 3584 dokumente e materiale të ndryshme operative që ndodheshin gjendje pothuajse në të gjitha Drejtoritë dhe Degët e SHIK-ut në rrethe; duk mundësuar punën që Shërbimi Informativ Kombëtar të ketë në përdorim të përditshëm vetëm dokumentet që ka prodhuar e prodhon si SHIK.
Faza e dytë
Dhe më kryesorja ishte fiksimi, inventarizimi, marrja në dorëzim dhe sistemimi i fondit arkivor të ish-Sigurimit të Shtetit që gjetëm në arkivin tonë. Kjo ishte edhe faza më e vështirë me të cilën u përball Dega e Arkivit, pasi:
– Arkivi u gjend në situatë kaotike. 80 % e materialit të futur në arka dhe thasë ishin të vendosura dhe të shpërndara nëpër dhomat e arkivit, ku materiale në arka të një fondi ishin bashkuar me një fond tjetër, (shpesh për të gjetur materialet për shfrytëzim detyroheshim të lëviznim mbi 50 arka), pjesa më e madhe e arkave metalike dhe e materialeve SRV ishin të hapura (pa dryna) edhe ato arka që ishin me dryn, detyroheshim t’i hapnim me forcë pasi nuk gjenim çelësat e tyre,etj.
-Procesverbalet e dorëzimit të fondeve arkivore i gjenim me vështirësi, gjë që fillimisht na krijonte mjaft pengesa serioze për të verifikuar në kohë e me cilësi materialin konkret të kërkuar.
-Materiali arkivor mbahej për ruajtje dhe shfrytëzim në kundërshtim me Ligjin, jo vetëm pa inventar, por një pjesë e mirë e procesverbaleve të dorëzimit të ish Degëve P. Brendshme të rretheve, ishin të pa firmosura si dhe të pa shënuar në to komisionin apo edhe individin që i ka marrë në dorëzim.
Të dyja këto faza për nga pikëpamja e kërkesave të zbatimit ligjit dhe rregullave të Drejtorisë Përgjithshme të Arkivave, u realizuan nëpërmjet një pune të kualifikuar profesionale dhe ndjenje të lartë përgjegjësie, sipas një metodike të hartuar nga Dega e Arkivit dhe miratuar nga Drejtoria. Në të përcaktohej qartë jo vetëm taktika dhe strategjia e inventarizimit, por edhe problemet tekniko-administrative që do zgjidhte ky proces, duke filluar qysh nga akt-marrëveshjet (solidare) të arkivisteve fondruajtëse , organizimin e vogël të punës, plotësimin e regjistrave inventar të fondeve Model 14, në bërjen e procesverbaleve të marrjes në dorëzim për secilin fond më vete, në përcaktimin e rregullave të ruajtjes së sekretit dhe të vazhdimësisë së punës me komisionin “Bezhani” e shfrytëzimin e arkivit dhe deri në sistemimin përfundimtar të tij.
I theksuam këto jo vetëm se janë kërkesa te domosdoshme të zbatimit të ligjit si dhe pasqyrojnë kulturë tekniko-profesionale, por edhe për faktin se përfundimi i inventarizimit na përballi me shqetësime serioze në fushën e dokumentacionit dhe të pasqyrimit të punës nga paraardhësit tanë si:
– Mungesa e plotë e dokumentacioni që të pasqyrojë punën dhe aktivitetin e kësaj dege (me përjashtim të Komisionit “Mezini”); ka gjurmë të kësaj pune si kompjuterizimi R.S.I. dhe i disa fondeve, autorizime shfrytëzimi, fotokopjime, krijimi i fletoreve të fondeve, pa llogaritur këtu mungesat në informacione apo relacione te-ndryshme , tematika -pune e plane, analiza periodike e vjetore pune, ndonëse urdhri i titullarit për këto të fundit ka qenë, e cila është e pa dokumentuar e evidentuar.
Pa u zgjatur në vështirësitë dhe pengesat tona, si fizike ashtu edhe në marrjen e përgjegjësive mbi vete, arritëm të përfundojmë inventarizimin i cili përbëhet nga dy fonde kryesore të ish-Ministrisë së Brendshme, Sigurimi i Shtetit, si:
Fondin i kundërzbulimit ( ish Drejtoria I-rë), ku përfshihen materialet operative të arkivuara të Degës IV (kartoteka), Degës XIII-të që vepronte në drejtim të përfaqësive diplomatike të akredituara në vendin tonë, Degës X-të (shifra) në Aparatin Qendror dhe vazhdon me 26 njësitë administrative që fillojnë me ish-Drejtorin P. Brendshme Tiranë si dhe me Degët e P.Brendshme: “B.Curri”, Kukës, Shkodër, Pukë, Rrëshen, Dibër, Burrel, Lezhë, Krujë, Durrës, Kavajë, Elbasan, Lushnjë, Gramsh, Fier, Berat, Vlorë, Librazhd, Pogradec, Korçë, Ersekë, Tepelenë, Përmet, Gjirokastër dhe Sarandë i cili përveç se u inventarizua, u sistemua sipas kësaj strukture.
Fondin i zbulimit (ish Drejtoria II-të) , ku përfshihen materialet operative të arkivuara me emërtesat : fondi i Drejtorisë II-të që përmban materiale operative të arkivuara të degëve të kësaj drejtorie si dhe fondi i Kosovës, fondi i të huajve, fondi i të arratisurve, fondi ekonomik, fondin e veçantë, fondi administrativ dhe fondi i shifrës së këtij shërbimi, i cili përveç se u inventarizua, u sistemua sipas kësaj strukture.
-Dy fondet e mësipërme përmbajnë të gjitha materialet agjenturore-operative të ish-Sigurimit të Shtetit qysh nga koha e krijimit të tij e deri më 2 Korrik 1991 me shkrirjen me ligj të këtij organi.
Në arkivin tonë ndodhen gjithashtu edhe 135 dosje operative, fashikuj me implikime, me materiale për ish-anëtarë e kandidatë të PPSH, që i përkasin grupit të Mehmet Shehut, Kadri Hazbiut, Feçor Shehut, fëmijëve të tyre dhe 24 ish-shtetarëve dhe lidhjeve miqësore e shoqërore të tyre si dhe dy volume “Përgatitja e Prokurorit Përgjithshëm” (për këtë grup).
Këto dosje operative janë tërhequr nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave ku ruheshin për llogari të Fondit të ish-KQ të PPSH pa asnjë lloj dokumenti. Meqenëse janë dosje operative, kemi mendimin të shfrytëzohen dhe të administrohen nga ne. Gjithashtu, krahas këtyre fondeve kemi edhe fondin e “të vdekurve” i cili përbëhet nga 6270 dosje të ndryshme. Të shprehur në shifra, këto fonde përfaqësohen: Fondi kundërzbulimit që ka 12335 dosje operative, 7891 dosje RSl pjesa më e madhe e të cilave janë të shoqëruara me dosjen e punës dhe 6097 njësi të ndryshme dokumentare që përbëhet nga procesverbale të ndryshme, regjistra e libra evidence, studime, përshkrime, tema, shkresa dhe dokumentacione të ndryshme operative.
Fondi i zbulimit që ka 28256 dosje operative, 3802 dosje RSI dhe kandidatësh për bp. si dhe 2266 njësi të ndryshme dokumentare që përbëhen nga procesverbale të ndryshme, regjistra e libra evidence, studime, përshkrime , tema , shkresa dhe dokumentacione të ndryshme operative. Të gjitha këto materiale u evidentuan në regjistrin inventar te fondit “Model 14” fletë për fletë, me një numër total fletësh të inventarizuara rreth 5.380.000 dhe me numrin total prej 58554 dosjesh të ndryshme, 9372 dokumentacione të ndryshme si dhe 215794 kartela të ndryshme. I tërë ky volum është futur e sistemuar në 1240 arka metalike dhe dy dollapë druri të mëdhenj me sirtarë , të ndara në 5 dhomat e arkivit.
Nga inventarizimi dhe ballafaqimi përfundimtar me këtë dokumentacion, na rezultojnë këto mungesa:
-Në fondin e kundërzbulimit mungojnë 82 dosje përpunimi dhe drejtimi, 3 dosje RSI (agjenture), 27 dosje hetimore e gjyqësore, 16 dosje dhe fashikuj të tjerë, 18 regjistra të ndryshëm dhe 146 njësi të tjera emërtuese, ku përfshihen procesverbale, lista veçimi, libra evidence, shkresa, dokumentacione të ndryshme, etj. ‘
-Në fondin e zbulimit mungojnë 52 dosje agjenture dhe të kandidatëve në studim (të fondit të veçantë) dhe 3 njësi dosje të ndryshme.
— Në këtë informacion po ju evidentojmë vetëm disa nga mungesat më kryesore dhe që për mendimin tonë janë të qëllimshme, si më poshtë:
-Dosja e drejtimit të ambasadës jugosllave, ku përfshihet periudha e viteve 1948-1991. Kjo dosje përfshin në vetvete 11 volume (fashikuj) të cilat totalisht kapin shifrën prej 3887 fletësh .
-Të gjithë regjistrat kryesorë të punës operative të ish-Degës P.Brendshme Mirditë (Rrëshen), degë e cila mbulonte dhe ish-Repartin e Riedukimit Spaç, si: regjistri i përpunimeve, regjistri i agjenturës, regjistri i këshillimeve dhe demaskimeve, regjistri i denoncimeve për krimet kundër shtetit (KKSH), regjistër për përpunimet paraprak e 2A, regjistër për të arratisurit, regjistër i dosjeve dhe fashikujve, regjistër për të riatdhesuarit, regjistër për informatat, regjistër për problemet e centralizuara, regjistër për të internuarit dhe të dëbuarit, etj.
Në arkiv mungojnë gjithashtu dhe 27 materiale SRV. Dokumentet e SRV janë shfrytëzuar barbarisht për qëllime politike nëpërmjet botimit në media, si përshembull listat “e vdekjes” etj.
Këto mungesa kanë dalë si rrjedhojë e krahasimit të gjendjes së inventarizimit me procesverbalet e dorëzimit, të gjetura nga ne në kohën e ardhjes.
Nuk dimë si mund të konsiderohen procesverbalet tip regjistri të fondit të Kosovës nga të cilët janë fshirë me korrektor (e ndaluar kategorikisht kjo gjë) 538 emra, të cilat dorëzuesi dhe marrësi në dorëzim i justifikojnë në fund të procesverbalit, por që çuditërisht këto dosje janë të evidentuara në kompjuterët e Degës së Arkivit qysh gjatë vitit 1996, kur ky fond është dorëzuar në arkiv në vitin 1995.
Përfundimi i inventarizimit të materialeve të ish-sigurimit të shtetit evidencoi disa probleme e shqetësime të cilat lidhen kryesisht me ruajtjen dhe shfrytëzimin e tij nga paraardhësit, që nga më kryesoret janë: Shfrytëzimi i arkivit është realizua nga ish-drejtuesit e arkivit në tre drejtime kryesore, të cilat bien ndesh me Ligjin Nr.7726, dt29.6.1993 “Për fondin arkivor kombëtar dhe për arkivat” si dhe me ruajtjen e sekretit shtetëror.
Konkretisht:
Pa autorizim me shkrim të titullarit të organit, është kompjuterizuar i gjithë rrjeti i fshehtë informativ i organeve të sigurimit të shtetit (1945-1991), mbi bazën e regjistrave themeltar të agjenturës si dhe një pjesë e madhe e fondit të zbulimit si fondi i veçantë (agjentura aktive, pasive dhe ajo në studim) , fondi i të arratisurve , fondi ekonomik , fondi Kosovës dhe ai i të huajve . Siç del dhe nga hetimi i prokurorisë për “disketat” , ( për problemin e të cilës ju kemi informuar më parë), në kompjuterizimin e këtyre materialeve kanë marrë pjesë edhe punonjës të tjerë jashtë strukturës së degës apo drejtorisë së arkivit dhe pa miratim me shkrim të titullarit të organit.
Pa autorizim me shkrim të titullarit të organit, janë hedhur nëpër fletore e blloqe të ndryshme të pasekretuara (26 të tilla), emrat e ‘ personave që kanë dosje në arkiv si bashkëpunëtor të sigurimit të shtetit apo si përpunime; emra personash të ndryshëm, kopjuar nga procesverbalet e asgjësimit apo listat e veçimit dhe që ju përkasin fondit të kundërzbulimit.
Ndonëse në arkiv janë gjendur disa autorizime të lëshuara nga titullari i organit, që lejojnë persona të veçantë të shfiytëzojnë materialin arkivor, nuk dihet se çështë bërë me këto materiale, pasi nuk gjetëm regjistrin e evidentimit të studiuesve në arkiv; pa shtjelluar në këtë pikë shfrytëzimet masive të arkivit pa autorizim. Vetëm “materiale të ndryshme”, që konsideroheshin ato dosje e materiale operative që shfrytëzoheshin, gjenden të grupuara në dhomën kryesore të arkivit rreth 450 dosje, informacione e materiale të tjera operative.
— Lidhur me shfrytëzimin e arkivit, mendojmë të evidentojmë edhe problemin e fotokopjimit. Kështu, janë fotokopjuar në arkiv materiale të rëndësishme arkivore, paautorizim me shkrim të titullarit të organit. Një pjesë e materialeve të fotokopjuara kanë qenë burim kryesor “informacioni” për median elektronike dhe atë të shkuar.
Zoti Drejtor, në këto ditë kemi filluar përpunimin e materialeve të hedhur në kompjutera dhe do të vazhdojmë me zbatimin e fazës së tretë, atë të kompjuterizimit të inventarëve, të përpunimeve e më vonë në hartimin e një softi të përshtatshëm për studimin e dokumenteve gjendje në arkiv.
Ndërkaq, jemi në pritje të vendimit Tuaj për problemin e mikrofilmimit i cili do të jetë dhe faza ” e katërt” që mendojmë të shoqërohet dhe me përmirësimin rrënjësor të kushteve teknologjike dhe të shfrytëzimit të kësaj pasurie të shërbimit dhe të kombit.
Burimi: http://www.gazetadita.al/kush-i-zhduku-dosjet/