Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Korçës mbrëmjen e së hënës. Një 57-vjeçar është gjetur i vrarë në banesën e tij në Lagjen numër 7, në rrugën “Ismail Qemali” të këtij qyteti.
Trupi u gjet nga bashkëshortja dhe fillimisht u dyshua për një vetëvrasje, pasi fqinjët nuk kishin dëgjuar asnjë zhurmë. Mirëpo, nga hetimet paraprake të oficerëve të Policisë dyshohet së në fakt kemi të bëjmë me vrasje.
Viktimë ka mbetur Gramos Nako, baba i tre fëmijëve. 57-vjeçari rezulton se është emigrant prej shumë kohësh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nako u gjet i ekzekutuar me armë zjarri nga bashkëshortja e tij, Natasha Nako.
Çifti kishte vetëm dy ditë që ishte kthyer nga Turqia, ku ndodheshin me pushime bashkë me fëmijët. “Më datë 08.07.2019, në lagjen nr. 7, në banesë është gjetur nga bashkëshortja shtetasi G.N., 57 vjeç, i pajetë, i vrarë me armë zjarri në rrethana ende të paqarta. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes”, bëhet e ditur zyrtarisht nga ana e Policisë së Korçës.
Viktima Gramos Nako, 57 vjeç
Pista e vetëvrasjes është përjashtuar nga konstatimi në vendin e ngjarjes i dy gëzhojave të një arme tip pistoletë. Në bazë të dyshimeve të ngritura nga grupi hetimor që po punon për zbardhjen e ngjarjes, dyshohet se 57-vjeçari është vrarë në një tentativë për ta grabitur. Gramos Nako mund të ketë bërë rezistencë ndaj autorëve dhe konfrontimi ka përfunduar me eliminimin e tij fizik.
Ende nuk dihen autorët dhe numri i personave të përfshirë në këtë krim të rëndë. Grupi hetimor ka sekuestruar kamerat e sigurisë së bizneseve pranë banesës së familjes Nako, në mënyrë që të bien në gjurmët e autorëve të vrasjes, si dhe ka shoqëruar për të marrë në pyetje mbi 10 persona, të cilët mund të kenë dijeni mbi ngjarjen.
Grabitësit mund të kenë pasur informacion për rikthimin e emigrantit nga SHBA dhe nisur nga ky fakt, kanë pasur pritshmëri se në banesë mund të mbante sasi të mëdha monetare. Nga ana e grupit hetimor nuk konfirmohet fakti nëse autorët kanë arritur apo jo të marrin para pas kësaj ngjarjeje.
Vrasja ka ndodhur mbrëmjen e së hënës, në momentin kur në banesë nuk ndodhej askush përveç 57-vjeçarit. Gramos Nako mësohet se prej vitesh jetonte bashkë me gruan dhe tre djemtë në Filadelfia të SHBA-ve.
g.kosovari











