Në një dhomë në Institutin për Studimet Islandeze ‘Arni Magnusson’në Rejkjavik, gjendet një dorëshkrim i shekullit XIII-të, mbi një pergamenë të prodhuar nga lëkura e deles të quajtur HauksboÌk. Në këtë libër të veçantë, flitet për një grup burrash nordikë që u larguan nga vendbanimet e tyre në Groenlandë drejt një perëndimi të pacaktuar.
Mes të tjerash aty shkruhet:”Ata lundruan për një kohë të gjatë në det, kur papritur iu shfaqën tokat për të cilët nuk kishin asnjë pritshmëri. Ato qenë plot më fusha gruri të egër dhe vreshta”. Kjo është nga Saga e Erikut të Kuq, dhe rrëfen zbulimin nga djali i tij Leif Erikson të një toke të panjohur, të cilën ai e pagësoi me emrin “Vinland”.
Krahas Sagës së Greonlandezëve, ajo përbën atë që sot njihen si Sagat e Vinlandit, një histori irlandeze gati – historike si dëshmia e ndërveprimit evropian me atë më vonë u quajt Amerika.
Sagat u shkruan shekuj pas ngjarjeve; ndërveprimi fillestar i skandinavëve me Amerikën e Veriut ka ndodhur në shekullin e X para fundit të mijëvjeçarit të parë, ndërsa vikingët nuk lanë prani të qëndrueshme në Botën e Re.
Përkundër kësaj, ata kanë ngecur në imagjinatën e atyre që dëshirojnë të ndajnë mitin nga historia, në përpjekje për të kuptuar popujt e Amerikave. Për shumicën e historisë së tyre, sagat janë interpretuar si rrëfime fantastike duke ia detyruar gjithçka miteve dhe pak historisë.
Ato qenë kategorizuar sipas dëshmive të Shën Brendanit, murgut irlandez i cili mendohet se ka lundruar në Amerikë, ose Princit të Uellsit Madok, që ndoqi të njëjtën rrugë.
Deri një gjysmë shekulli më parë, historia normative theksonte se Kristofor Kolombi ishte i pari evropian që vizitoi kontinentin amerikan. Kjo ndryshoi 55 pesë vjet më parë me zbulimin e një vendbanimi të përkohshëm Viking në L’Anse aux Meadoës në majën veriore të Nju Faundlendit nga një çift norvegjeze, Helge dhe Anne Ingstad.
Si një shembull i mitit dhe letërsisë që përdoret si një çelës për realitetin objektiv historik, zbulimi i Ingstad renditet për nga rëndësia me gërmimet dhe zbulimin në shekullin XIX-të nga Hajnrih Shliman të atyre që pretendohet se janë rrëniojat e qytetit të Trojës, bazuar në leximet e tij të epikës homerike. Për pesë dekada me radhë L’Anse aux Meadoës qe i vetmi vend i konfirmuar i kolonizimit skandinav në Amerikën e Veriut.
Dhe kjo pavarësisht nga pretendimet e rreme të provave për një prani më të gjerë Vikinge, nga trillimet me vende si Kensington Runestone në Minesota tek Penny Maine, ku u gjend një monedhë norvegjeze shumë më tej në jug të L’Anse aux Meadoës, prejardhja e të cilës është më pak e dyshimtë, dhe të paktën do të mund të dëshmojë tregtinë e indianeve me evropianët.
Tanimë ka dëshmi më të mira të asaj që arkeologët kanë supozuar prej një kohë të gjatë – se prania e vikingëve në Amerikë ka qenë më e madhe nga sa kemi patur dëshmi për të. Bazuar në të dhënat satelitore nga hapësira, dhe tanimë nga gërmimet aktuale terren, arkeologia Sara Parkak ka njoftuar ekzistencën e një siti skandinav në Point Rosee në Nju Faundlend, 300 milje në jug të atij të zbuluar nga Ingstad 55 vite më parë.
Sikurse shprehet në një intervistë për Uashington Post, është “vendbanimi më perëndimor skandinav që është zbuluar ndonjëherë”.
Nëse Parkak mund të konfirmojë që vendbanimi ishte më shumë i qëndrueshëm se sa kalimtar, kjo mund të çojë në konfirmimin e më shumë vendeve , me një potencial për të “rishkruar historinë e vikingëve në Amerikën e Veriut”.
Kontaktet para-kolumbiane trans-Atlantike kanë qenë prej kohësh një burim magjepjeje për dijetarët por edhe njerëzit e zakonshëm, me sa duket që nga Epoka e Zbulimeve në shekullin XVI dhe më tej.
Jo një burim dosido, por biri i vete Kolombit, pohoi se marinarët kishin dëgjuar një legjendë mbi “Indianët” që devijuan udhëtimin nga perëndimi, duke u përplasur në brigjet e Galluejit në Irlandë.
Shkrimtarët e shekullit XVI-XVII kanë hedhur hipotezën e një kontakti ndërmjet Botës së Vjetër asaj të Re, të ndodhur shumë kohë para “zbulimit” të Kolombit.
Në librin e tij “Kufijtë e Perandorisë Britanike”, astrologu i oborrit mbretëror Elizabetian, Xhon Di, argumentoi se zbulimi i Amerikave nga Madoku i Uellsit hidhte poshtë pretendimet spanjolle mbi kontinentin, me rrënjët gjenealogjike kelte të mbretëreshës britanike, të cilat e konfirmonin këtë të fundit si trashëgimtaren e vërtetë të Botës së Re.
Besimi se indianët amerikanë janë pasardhësit e hebrenjve të lashtë, është në qendër të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.
Legjenda e Madok ka qenë hulumtuar edhe nga poema epike e poetit romantik Robert Saudhej që mban emrin e princit. Dhe nga një kërkim në internet do të gjeni argumente dhe ”prova” (disa provokuese, ca të tjera më pak), se grupet duke filluar nga egjiptianët, fenikasit, romakëve, afrikanët perëndimorë dhe kinezët, kishin shkelur në Amerikë para vitit 1492.
Por i vetmi grupim indian jo-amerikan, që është konfirmuar se ka qenë në kontinent në epokën para-kolombiane, janë skandinavët në Kanada. Puna interesante dhe e shkëlqyer e arkeologëve Parkak dhe çiftit Ingstad, na jep mundësinë për të shqyrtuar se cila është saktësisht puna e historisë. Mundësia e përplasjes së anijeve romake përgjatë bregdetit brazilian, apo princave afrikanë që frymëzuan Olmekët janë hipoteza interesante, për të mos thënë dramatike dhe romantike.
Ka ndërkaq pasoja të dukshme politike dhe kulturore. Udhëtimet e Kolombit u shndërruan në një moment krenarie në mesin e emigrantëve katolike dhe në mënyrë të veçantë atyre italianë, të cilët dëshironin të dëshmonin të drejtën e tyre, për t’i përkitur një vendi të dominuar nga anglo-protestantët.
Megjithatë sot ekspeditat e tij janë parë me të drejtë si akte të spastrimit etnik, së pari në një histori të gjatë dhe të turpshme gjenocidesh, të cilat shpesh shenjuan kontaktit midis evropianëve dhe amerikanëve vendas.
Çështja se “Kush e zbuloi Amerikën?”, nuk ka qenë kurrë neutrale. Por është ndërkohë edhe një pyetje që në shumë aspekte është kategorikisht e gabuar, sepse pa marrë parasysh se cili grupim shkeli kontinentin i pari, përgjigja është se vetë kombi nuk u “zbulua” asnjëherë, dhe se ai vetëm është “shpikur”.
Ne duhet të rivlerësojmë punën e shkëlqyer të kritikut, historianit dhe filozofit meksikan Edmundo O’Gorman, i cili në librin e tij të vitit 1958 “Shpikja e Amerikës”, shqyrtoi diskurset komplekse kulturore, letrare, teologjike dhe politike, të marra së bashku për të sintetizuar një realitet të quajtur “Amerika”, e cila u projektua mbi hapësirat tokësore hemisferës perëndimore që qenë tashmë të banuara nga njerëz, të cilët u quajtën nga evropianët indianë, dhe që me gjasë nuk ishin vizituar nga ndonjë komunitet tjetër prëj mijëvjeçarësh.
O’Gorman argumentoi se “Amerika”, që më shumë një koncept intelektual sesa një vend i vërtetë, dhe se një lexim i kujdesshëm i teksteve fillestare të zbulimit në fund të shekullit XV dhe fillimin e atij të XVI-të, dëshmojnë mbi mënyrën se si ato toka sapo u rizbuluan, u shndërruan në diçka të quajtur “Amerika”. Prandaj, vikingët, fenikasit ose egjiptasit, apo edhe indianët nuk do të mund të “zbulonin” Amerikën pasi s’kishte gjë për t’u zbuluar, vetëm për t’u shpikur.
Sikurse vë në dukje O’Gorman “kontinenti amerikan ka qenë gjithmonë aty duke pritur me durim përgjatë shekujve për t’iu zbuluar vetë njeriut të parë që si në një përrallë, do të vinte për ta prekur”.
Sipas këtij formulimi “zbulimi i Amerikës”, ka më pak të bëjë me ata që qenë diku në një moment të caktuar, por me projektimin e miteve evropiane të ndryshme si Hesperides, Atlantis, Cockaigne, Ultima Thule, dhe pas udhëtimeve të Kolombi dhe Vespuçit, Utopisë, në kontinentin amerikan. Kjo është e rëndësishme sepse na kujton se historia është një disiplinë e ndërmjetme, mes botës së faktit objektiv dhe asaj mitike të përfaqësimit të njeriut.
Historia është një lente nëpërmjet së cilës ne analizojmë se çfarë ka ndodhur, por edhe atë që njerëzit kanë besuar mbi atë që ndodhi, dhe që është shpesh po aq e rëndësishme. Në këtë mënyrë, historia s’mund të jetë kurrë një shkencë e mirëfilltë, por një vijë kufitare ndërmjet empirizmit dhe imagjinatës.
Kështu ne kujtojmë se Amerika nuk u zbulua as tek brigjet shkëmbore të Nju Faundlendit dhe as plazhet me rërë të bardhë të Karaibeve, por u shpik në pergamenët e atyre që i rrëfyen këto udhëtime.
“History News Network”/bota.al