Policia belge ka nisur tashmë kërkimin për personin e tretë, që dyshohet të ketë qenë pjesë e sulmit në aeroportin e Zaventem, ku dy bomba shpërthyen duke i marrë jetën të paktën 14 personave e duke lënë të plagosur disa dhjetëra të tjerë.
Pak orë më parë, forcat xheniere çaktivizuan bombën e tretë në aeroport, e cila nuk kishte shpërthyer dhe sipas hetimeve të deritanishme, dyshohet se personi në foto ka qenë terroristi i tretë, pas dy kamikazëve që shpërthyen bashkë me veten edhe bombat në aeroport.
Aktualisht, policia ka kërkuar edhe ndihmën e qytetarëve duke dhënë fotografinë e personit që po shoqërohej nga dy terroristët e tjerë, në përpjekje për ta gjetur atë, pasi ka dyshime se ai është në arrati dhe brenda territorit të Belgjikës.