Nga Stefano Marcelli
Të gjithë e dinë se çfarë është ruleta ruse: një lojë fati në të cilën lojtarët drejtojnë një revolver që përmban vetëm një plumb në tëmthin e tyre, duke vënë bast nëse gjuajtja do të shkrepë apo jo.
Dhe ja që kriza e vazhdueshme mes Serbisë dhe Kosovës i ngjan pikërisht kësaj loje makabre.
Veçse nuk janë dy liderët ata që janë në rrezik, por qytetarët e tyre ata që rrezikojnë të humbasin një mundësi jetike për të ardhmen e tyre: anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe fillimin e një faze të zhvillimit ekonomik dhe social.
Deri më tani, lojën e ka menaxhuar kryeministri kosovar Kurti, i cili nxiti tensione jo vetëm me Serbinë, por mbi të gjitha me aleatët perëndimorë, duke shkuar një hap larg prishjes përfundimtare të marrëdhënieve.
Por, me rrëmbimin e tre policëve kosovarë nga forca serbe, fqinji i tij Vuçiç, i cili deri më tani kishte mbetur në prapavijë duke u paraqitur si viktimë, e barazoi lojën me goditjen e radhës.
Reagimi ndaj këtij përshkallëzimi të tensionit mes dy vendeve nga SHBA-të dhe BE-ja ka qenë shumë i ashpër dhe tani kanë mbetur vetëm pak orë para skadimit të një ultimatumi, i cili në mungesë të hapave de-shkallëzues nga Prishtina dhe Beogradi do të t’i lërë vendin sanksioneve të rënda ndaj tyre.
Por ku po shkon strategjia e ndjekur nga Serbia dhe Kosova? Në këtë pikë nuk ka gjasa, të paktën duke u bazuar në atë që shohim, që të dy liderët të kenë ndërmend të bien dakord për t’u ulur në të njëjtën tryezë për të nisur një proces depërshkallëzimi dhe rimarrjen e procesit të dialogut.
Ndërsa nga Prishtina, Kurti pretendon sovranitetin e plotë të vendit të tij dhe gjithashtu pavarësinë nga Perëndimi, duke refuzuar çdo propozim për marrëveshje, në Beograd qeveria serbe i është rikthyer pretendimit ndaj Kosovës si krahinë dhe territor të saj.
Jemi kthyer papritur në klimën që pasoi përfundimin e luftës në ish-Jugosllavi dhe sanksionoi pavarësinë e shtetit të ri kosovar.
Nëse Vuçiç duket se ka zgjedhur përfundimisht pjesën lindore të lavjerrësit politik (midis BE-së dhe Rusisë) me të cilën ka luajtur deri më tani, Kurti duket se po ndjek shkëputjen nga pozicioni pro-atlantik dhe pro-evropian i vendit të tij për ta izoluar atë nga bota perëndimore dhe për ta vënë kështu në dispozicion të ndikimit ruso-kinez.
Nëse do të ishte legjitim shpjegimi i politikës me psikologji, mund të thuhet se Kurti po kalon tashmë atë fazë tipike të adoleshencës që themeluesi i psikanalizës Sigmund Freud e quajti “vrasja e babait”, duke iu larguar rolit mbrojtës të SHBA-ve.
Nuk ka dyshim se gjendja aktuale e tensionit në kufirin Kosovë-Serbi përmbush ëndrrën e vjetër ruse për destabilizimin e rajonit të Ballkanit dhe hapjen (përmes Serbisë) të një fronti të ri konflikti me NATO-n.
Zgjerimi i konfliktit ruso-ukrainas në Ballkan, për Putini-n sot do të shërbente për të demonstruar qëndrueshmërinë e regjimit të tij dhe aftësinë për të zgjeruar zonat e ndikimit ndërkombëtarisht.
Nga ana tjetër, Albin Kurti prej vitesh më parë, ka deklaruar që në fillim të aventurës së tij politike objektivin e largimit të Kosovës nga zona e ndikimit amerikan, pasi nuk e shihte më në një epokë paslufte si një aleat strategjik.
Të kërcënosh Kurtin tani për ta larguar nga takimet e nivelit të lartë ndërkombëtar nuk duket të jetë një masë që mund ta shtyjë atë të rimendojë: qëndrimi i kryeministrit kosovar në javët e fundit duket se po ndjek në fakt izolimin politik të vendit të tij dhe prishjen e marrëdhënieve me Perëndimin.
Prandaj, nëse është e qartë se Kurti dhe Vuçiç po luajnë një lojë që vjen nga Moska, pyetja që i bëjmë vetes është nëse të dy popujt mund të ndajnë zgjedhjen për të parë të ardhmen e tyre në Lindje dhe jo në Perëndim.
Pavarësisht nacionalizmit që është rindezur kohët e fundit, shumica dërrmuese e serbëve gjithmonë e kanë shprehur qartë vullnetin e tyre për t’u bashkuar me Evropën.
Dhe ne besojmë se edhe kosovarët e ndajnë këtë zgjedhje dhe nuk kanë ndërmend të heqin dorë nga e ardhmja e tyre në Evropë dhe nga fondet e miliona eurove që mund të vijnë nga Brukseli.
Por, mbi të gjitha, a mund të heqin dorë kosovarët nga mbrojtja që u garantohet sot nga një kontingjent ushtarak që arrin në pesë mijë ushtarë? Kurti nuk ka mjete në dorë për t’i rezistuar një sulmi të armatosur nga ushtria serbe dhe milicia çetnike..
Kështu që kërcënimi më serioz që Perëndimi mund t’i bënte Kurtit do të ishte të kënaqte dëshirat e tij sovrane për pavarësi duke paraljamëruar tërheqje të kontingjentit të NATO-s të vendosur në vend që nga lindja e tij.
Nëse kjo do të ndodhte (ky është vetëm një paradoks, pasi divorci Nato-Kosovë nuk mund të ndodhë), Serbia do të rifitonte provincën e saj të mëparshme me shpejtësi.
Mbeten pak orë për të kuptuar se si do të përfundojë loja vetëvrasëse e ruletës ruse që Kurti dhe Vuçiç po luajnë në lëkurën e qytetarëve të tyre.