Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar besimtarët myslimanë me rastin e Fitër Bajramit, duke theksuar rëndësinë e falënderimit, solidaritetit dhe përmirësimit si individë e si shoqëri.
Kurti në një postim në Facebook shkruan se në këtë ditë Bajrami, mëshira zbret dhe zemrat pastrohen, le të kujtojmë se fëmijët janë amanet i shenjtë.
Në mesazhin e tij, Kurti tha se kjo ditë feste duhet të na gjejë më falënderues për të mirat që kemi, më solidarë me ata që kanë më pak dhe më të përkushtuar ndaj përmirësimit të përbashkët.
Ai veçoi kujdesin ndaj fëmijëve, duke i cilësuar si amanet i shenjtë. “Kujdesi i vërtetë nuk lind nga shërimi, por nga mbrojtja – në ushqimin që u japim, në trupin që ua mbrojmë dhe në dijen që ndriçon mendjen e shpirtin e tyre,” tha Kurti, duke shtuar se nuk duhet të presim sprovën për të treguar mirësi, respekt dhe përkushtim ndaj tyre.
Mesazhi i Kryeministrit Albin Kurti
“Mirëmëngjesi dhe me fat të gjithëve Fitër Bajrami!
Uroj që agjërimi dhe lutjet tuaja të jenë pranuar! Në mesin e begative që gëzojmë sot, të rrethuar me më të dashurit tanë, le të na gjejë kjo ditë feste për besimtarët myslimanë, dhe çdo ditë tjetër e vitit, edhe më falënderues për të mirat që kemi, më solidarë me nevojat e atyre që kanë më pak dhe më të vëmendshëm ndaj përmirësimit si individë dhe si shoqëri.
Në këtë ditë Bajrami, kur mëshira zbret dhe zemrat pastrohen, le të kujtojmë se fëmijët janë amanet i shenjtë.
Kujdesi i vërtetë nuk lind nga shërimi, por nga mbrojtja. Në ushqimin që u japim, në trupin që ua mbrojmë dhe në dijen që ndriçon mendjen e shpirtin e tyre. Le të mos presim sprovën për të treguar mirësi, respekt dhe përkushtim ndaj fëmijëve”, shkruan Kurti.











