Nga Jakin Marena
Rusia atë që deshi ta bënte e bëri. Tensionoi situatën në Kosovë e Ballkan, dhe me shpresën se mund të ringjallë një konflikt të mbyllur në vitin 1999 kur trupat e NATO-s të udhëhequra nga SHBA ndërhynë nga ajri e toka dhe çliruan Kosovën, tashmë Putin pret të “çlirohet” sadopak nga “dara” ku e ka futur kundër-ofensiva ukrainëse dhe Perëndimi.
Hodhën para andej e këndej, sa në Serbi, sa në Kosovë e sidomos në Shqipëri për të arritur në këtë ditë. Nuk hedh para kot Moska, pret të marrë investimin dhe me sa duket po e merr atëherë kur i duhet, tashmë që e ka gjendjen shumë të vështirë në luftën në Ukrainë.
Teksa vera nuk po di të ikë, shpresonte shumë Putini që acari i dimrit ta gjunjëzojë Europën e varur nga gazi rus, me sa duket “zjarri” që kërkon të ndezë në Ballkan, është shpresa e vetme e “ngrohjes” së makinerisë së luftës dhe ekonomisë së lodhur ruse.
Një shenjë deshi Moska, dhe menjëherë e arriti. Falë papjekurisë së klasës politike të Kosovës, e cila ka një kryeministër që deliron dhe e quan veten si qendra e botës. Ka dy kryetarë partish të mëdha opozitare që flenë në b***ë, dhe që mbeten me imazhin pasqyrës që në mëngjes, duke u mburrur më pas pa dalë nga zyra e rehatshme ku vegjetojnë se sa të bukur janë, dhe me ata që kanë shpatulla për t’i dalë zot vendit në burgun e sigurisë së lartë në Hagë me akuza të paqena në kurriz, Rusia arriti që duke shfrytëzuar kamikazin e vet në Ballkan, Serbinë, të tensionojë dhe radikalizojë situatën në veri të Kosovës.
Ishte një artificë e përdorur me shumë efikasitet nga serbët, të shquar për të bërë viktimën edhe atëherë kur kanë shkaktuar me shumicë viktima, sidomos në Kosovë. U shfrytëzua konflikti për zbatimin e marrëveshjes për targat që të tensionohet situata në Veri e gjendja të shkojë “pikiatë” drejt daljes jashtë kontrollit.
Lista serbe udhëroi dorëzimin e armëve dhe spaletave të policisë së saj në Veri, e cila deri më tani ishte e inkuadruar në Policinë dhe forcat e sigurisë së Kosovës, të dorëzojë gjithë pushtetin, deri te mandatet e deputetëve ditën e sotme. Pra një shkëputje totale nga lidhjet me qeverinë e Kosovës dhe shtetin në tërësi.
Dhe të mendosh arësyen se për çfarë ka ndodhur gjithë kjo situatë e tensionuar. Për targat, për një “teneqe”, e cila aspak nuk i mbulon marrëdhëniet e hierakëve të Kosovës me Serbinë, madje kanë dhe pasaporta serbe për vete dhe familjet e tyre. Kanë biznese deri në kufijtë e maksimales, japin e marrin me Serbinë në lëmin ekonomik deri dhe në afera korruptive, të bëra publike nga media në Kosovë dhe që nuk janë përgënjeshtruar asnjëherë me fakte.
Të kuptohemi. Jo se nuk ka të drejtë Kosova të kërkojë reciprocitet me Serbinë edhe për targat. Janë shtet, dhe si i tillë ka paritet në marrëdhëniet ndërshtetërore. Por ama një politikan dallon nga të tjerët, aq më tepër kur është kryeministër, nga zhdërvjelltësia e qeverisjes, marrëdhënieve me partnerët dhe fqinjët, për të arritur më të mirën për popullin e vet. Për atë punë janë zgjedhur, për atë qëllim i ka mandatuar elektorati, pavarësisht se çfarë konjukturash janë aplikuar për të garantuar këtë fitore. Fundja politikë është dhe ndiqen të gjitha mënyrat e ligjshme, qoftë dhe strategji që kanë brenda amoralitetin politik për të ardhur në qeverisje.
Por ama, kur të lutet partneri strategjik dhe miku më i madh, SHBA por dhe BE, që për “targat” të bëhen lëshime, duke përcaktuar një afat kohor për zbatimin e kësaj marrëveshjeje, madje dhe duke dalë vetë garant, atëherë duhet të dëgjuar. Një kërkesë të tillë të përsëritur e bëri SHBA, vend i cili ndajmë të gjithë të njejtin qëndrim dhe kjo nuk ka asnjë diskutim, s’mund të veprojë kundër Kosovës.
Pavarësisht se ishte në të drejtën legjitime për vetëvendosje, për hir të së vërtetës shteti i dytë shqiptar në Ballkan është krijuar me mbështetjen e fortë të SHBA dhe aleatëve të saj të NATO-s, nuk është se e çliruan Kosovën vetëm shqiptarët, aq më pak Albin Kurti. Çlirimi i Kosovës erdhi pasi u bombardua qendra e Milosheviçit, pra Beogradi dhe hap pas hapi dhe trupat serbe në Serbi e Kosovë. Për ta mbyllur me intervenimin tokësor dhe çlirimin e plotë të saj, në mbështetje të UÇK që po luftonte në terren për çlirim, që solli dhe instalimin e trupave të vendeve aleate në këtë vend, të cilat janë dhe sot e kësaj dite për të mbrojtur sovranitetin e Kosovës.
Ndoshta ka të “drejtë” Albin Kurti që me “kutin” e tij nuk e njeh shtetin e Kosovës, ka qënë kundër që në krye të herës, pavarësisht se çfarë thotë sot që është kryeministër, duke bërë hapa pas. Ishte në burgjet e Serbisë kur u çlirua Kosova, nuk e ka parë as në TV hyrjen e trupave të NATO-s përkrah atyre të UÇK, në Kosovën e çliruar. Kushedi çfarë ka “bilbiluar” në atë burg, nëse ka thënë të vërteta apo të pavërteta aty. “Druri” t’i nxjerr dhe ato që ke menduar, jo më ato që ke thënë apo që di e nuk di. Këto mbeten mister, por nëse një ditë hapen “çitapet” jemi të sigurtë se do të çuditet dynjaja. Këtë e di dhe Albini vetë, që bën si “esenca” e nacionalizmës.
I thamë këto për të treguar dhe njëherë atë që dinë të gjithë, se SHBA nuk vepron kurrë kundër Kosovës, shtetin që e ka mbështetur që në krye të herës për t’u bërë shtet e më pas në të gjithë elementët. Sado i shëmtuar të jetë bërë ky shtet nga keqqeverisja e këtyre viteve. SHBA-të janë të bindura, ashtu sikurse ne si dhe pjesa më e madhe e botës se u veprua në mënyrën e duhur për popullin e Kosovës, të cilin e shpëtoi nga genocidi i paparë në mes të Europës në “metrat” e fundit të shekullit të 20-të. Anipse shtetit të dytë shqiptar në Ballkan po i vihen “stërkëmbësa” nga të paudhët.
Ekzistencën e këtij shteti të krijuar me sakrificën e shqiptarëve dhe të aleatëve e vë në diskutim një klasë politike, thjeshtë e vetëm nga papjekuria por dhe nga deliranca e mania për të marrë duartrokitjet e njerëzve pa atdhe dhe të provuar botërisht si maskarenj funksionalë në politikën shqiptare këtej dhe andej kufirit. Që kanë shitur vendin dhe interesat për një grusht para.
Eshtë një sjellje kastravecësh politikë kjo nga klasa qeverisëse në Prishtinë, por dhe nga ata që i mbështesin, duke refuzuar këshillën dhe lutjet e SHBA që kërkojnë shmangien e tensioneve në Ballkan, tashmë që Rusia është thuajse në gjunjë, në përballjen me kundër-ofensivën ukrainase prapa të cilës qëndron në bllok Perëndimi. Kaq gjë duhej ta kishin mësuar klasa qeverisëse në Kosovë, që të mos e hedhin vendin në zjarr për një “teneqe”.
Kur ta kërkon aleati i madh, SHBA, që ta shtysh afatin e zbatimit të marrëveshjes për targat dhe një vit duhet ta bësh patjetër. Për t’i hequr Serbisë e pas saj Rusisë dhe shansin e vetëm për të tensionuar situatën në veri të Kosovës dhe për pasojë dhe në Ballkan. Pasi shtetet në Ballkan janë si gurët e dominosë, bie njëri dhe pas tij bien të gjithë. Janë “reaksion” zinxhir. Përfituesi i vetëm është Rusia. Por dhe ata, të cilët kanë marrë para prej saj për ta destabilizuar këtë rajon. Justifikojnë paratë që e marra nga Putin.
Ndoshta Albin Kurti është në pozitë të vështirë, pasi nuk e ka fuqinë politike të futet në negociata për marrëveshjen me Serbinë, sikurse ia kanë kërkuar SHBA dhe aleatët e tjerë të mëdhenj. Nuk ka takatin madje as “kartabiankën” për këtë punë, ndaj nuk i dhemb fare Kosova. Fundja nuk ka shkrepur një pushkë për të, u mësua me protesta në rrugë duke ngritur ‘stekën’ e premtimeve, dhe kur vjen në pushtet nuk mund të realizojë as 1 përqind të atyre që ka kërkuar në opozitë.
E sigurtë është se nuk ka as autoritetin për të marrë vendime, për diçka që nuk e ka të veten. Shtetin e Kosovës e bënë aleatët, që mbështetën luftën e udhëhequr nga komandantët e UÇK, të cilët për fatin e keq të Kosovës janë në burgun e Hagës, me akuza të stisura nga serbët dhe rusët mbi kurriz. Po të ishin në Prishtinë ata që udhëhoqën luftën e UÇK, që Kurti nuk e njeh madje e denigron bashkë me Presidenten Vjosa Osmani, pra po të ishin Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi i cili ka qënë dhe kreu i grupit parlamentar të Vetëvendosjes, situata do kishte marrë drejtim në Kosovë me kohë e vakt.
Por Albini i do në Hagë ata, dhe tashmë që është i vetëm në Prishtinë, me duart e lira, nuk di çfarë të bëjë. Ndaj i mëshon elementëve anësore si targat, duke mos pyetur as për kërkesat e aleatit tonë të madh, SHBA. Ndoshta për të justifikuar dhe humbjen në zgjedhjet e radhës, pasi shqiptarët e Kosovës më në fund e njohën Albin Kurtin. E dinë se është një vlerë në opozitë, por një hiç në qeverisje.
Do të ishte e udhës që kryeministri i Kosovës të mos dëgjonte as ata që i rrahin shpatullat për zgjidhjen e situatës për targat në Veriun e Kosovës me Serbinë, ata që i përkëdhelin egon e tij si “lider i shqiptarizmës”, për ta shtyrë duke “kënduar” drejt greminës politike. Bashkë me të dhe Kosovën, që për fatin e keq të shqiptarëve, ndonëse fitoi luftën po humbet paqen.
Albin Kurti duhet të heqë dorë nga këshillat që merr nga Tirana, nga elementët më negativë të politikës së Shqipërisë, të cilët bëjnë si sovranistë dhe që nuk pyesin për SHBA, vend të cilin e cilësojnë si të uzurpuar nga Soros. Dhe Edi Rama, kuptohet. Ia kanë dhënë këtë “kredibilitet” me pa të drejtë, duke e quajtur njeriun që bashkë me Sorosin bëjnë çfarë të duan me politikën zyrtare të Uashingtonit. Një gjë e pamenduar kjo as nga vetë Rama.
Ata që e këshillojnë Kurtin në Tiranë, që e duartrokasin dhe i thonë që “të qëndrojë fort”, janë të shpallur “non grata” nga SHBA, Britania por dhe vendet e BE e vendet e tjera e trajtojnë si “non grata”. E kanë sanksionuar për korrupsion madhor, minim të demokracisë dhe shantazhim të drejtësisë. Kjo është ana zyrtare. Pasi SHBA nuk ia fal ‘flirtin’ me Serbinë, me Rusinë e Iranin. Sidomos me Moskën, e cila e ka dorovitur këtë “non gratë” me mbi 500 mijë euro, thjeshtë dhe vetëm për ta përdorur kur t’ia lypë nevoja për destabilizimin e Ballkanit.
Në Shqipëri këtij “dinozauri” nuk ia “vërshëllen” askush, e njohin me dhëmbë e dhëmballë, nuk i shkon njeri prapa. Sado të përpiqet për të destabilizuar vendin. Ia kanë “marrë dorën” në Tiranë, e kanë delegjitimuar tërësisht, ndaj sillet si plak i rrjedhur nepsli për pushtet rrugëve të vendit.
Eshtë e pafalshme që kryeministri i Kosovës të dëgjojë “non gratat” në Tiranë për zgjidhjen e problemeve me fqinjin e saj Serbinë, pas të cilës qëndron Rusia që po fërkon duart, dhe nuk dëgjon aleatët strategjikë që kanë bërë dhe bëjnë për Kosovën, SHBA-të e BE.
Përpos papjekuri politike, ky është dhe karagjozllëk politik. Të bësh sovranistin njëlloj si “non gratat” në Tiranë dhe për më tepër ta kesh aleat, ndonëse të panatyrshëm këtë soj politikani, dhe të dëgjosh këshillat e tij apo deri dhe ta imitosh në sjelljen me aleatët e mëdhenj, është një vetëvrasje jo vetëm politike për vetë Kurtin, por dhe për tërë Kosovën. Pasi ky i Tiranës e ka nga zori, sepse e kanë shpallur “non grata” dhe as dorën nuk i japin, jo më ta mbështesin për të ardhur në pushtet sikurse deklaron lart e poshtë, teksa lëviz sikur t’i ketë “humbur çelësi”. Dhe akoma më tej kur dhe vetë “non grata” e di se sanksionimi nga SHBA ka ardhur përtej asaj që është deklaruar zyrtarisht nga DASH, sepse i ka sjellë dëm Shqipërisë dhe shqiptarëve por dhe aleatëve tanë të mëdhenj me shërbimin ndaj vendeve armike. Për një dorë parash.
Akoma më tepër që për 30 vite me radhë “non grata” ka punuar me mish e me shpirt kundër Kosovës, që nga thyerja e embargos së OKB ndaj Milosheviçit, të cilin e furnizoi me naftë dhe armë për të vrarë dhe në Kosovë, përndjekja dhe zhdukja e veprimtarëve dhe udhëheqësve të UÇK, shkatërrimin e shtetit shqiptar në kulmin e luftës së Kosovës për liri, e deri tek bëma më e fundit, votimi i rezolutës së kreut të deputetëve të partisë së Putin në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, bazuar në raportin e Dick Marty që akuzonte ish komandantët e UÇK për trafik organesh njerëzore. Duke tentuar të zhbëjë themelet mbi të cilat është ngritur shteti i Kosovës dhe duke dërguar Kosovën në Hagë. Thaçi e ish komandantët e UÇK, janë Kosova.
Në fund të herës, ajo që mund të themi është se Albin Kurti duhet të dëgjojë me patjetër këshillat e aleatit të madh SHBA, dhe jo “non gratave” që punuan rëndshëm kundër Kosovës. Për një dorë lekësh. Kurti ta bëjë këtë sëpaku për gjakun e atyre mijëra jetëve të humbura nga genocidi serb. Të lërë delirimin, sovranizmin e rremë dhe të bëjë atë që i thonë aleatët dhe që e kërkojnë të gjithë politikanët e njerëzit e përgjegjshëm në Kosovë, duke hequr dorë nga këshillat dhe imitimi i “boshtit të së keqes” në Tiranë e Prishtinë. Ta bëjë sa nuk është vonë! Kosova po pret.