“Një parti nuk mund të ketë edhe postin e kryeministrit, atë të kryetarit të kuvendit si dhe presidentin”, kështu u shpreh kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, pas takimit që pati të hënën me kryeministrin dhe kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, një takim i thirrur nga ky i fundit për gjetjen e një zgjidhjeje për presidentin e ri të vendit.
“Çdo marrëveshje që siguron kuorumin për presidentin e ardhshëm është e mirëseardhur. Për këtë duhet pasur diskutime me të gjitha partitë. Jo, nuk kemi diskutuar ende emra konkretë. Siç e dini, tri pozita nuk mund t’i takojnë një partie politike”, tha ai.
Kreu i LDK-së ndërkohë kujtoi se për gjetjen e një konsensusi kanë mbetur më pak se tre javë kohë, por duke theksuar ndërkohë që partia e tij nuk ishte e interesuar për zgjedhje të reja parlamentare. Edhe Kurti konfirmoi që takimi kishte përfunduar pa ndonjë rezultat, por ndërkohë shprehu optimizëm për zgjidhjen e situatës.
“Ndërkohë që ne nuk e kemi më sfidë numrin prej 61 deputetëve për formimin e qeverisë, por është sfidë tejet gjigante që një parti t’i ketë 81 deputetë dhe ta zgjedhë vetë edhe presidentin. Ju e dini që jemi përpjekur edhe më herët dhe që kandidati ynë, Glauk Konjufca, është zyrtarizuar më pak se 30 orë, e po ashtu edhe kundërkandidatja e tij, Fatmir Mulhaxha-Kolçaku, u zyrtarizua. Kemi bërë përzgjedhje të detyruar, në ndërkohë kur nuk nxirrte askush një kandidat dhe ndodhemi tani ku ndodhemi. Unë vazhdoj të jem optimist se me takime dhe biseda të tilla mund të arrijmë marrëveshje, por këtë nuk mund ta them se e kemi sot”, tha Kurti.
Sipas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë afat që deri më 28 prill të zgjedhin presidentin e ri të vendit. Në zgjedhjet e 28 dhjetorit, koalicioni i drejtuar nga LVV mori mbi 51 për qind të votave, që u përkthye në 66 mandate deputetësh, por gjithsesi 14 më pak se sa numri i votave të deputetëve që duhen për të zgjedhur kreun e ri të shtetit në dy raundet e para të tre raundeve të votimit që mbahen në organin ligjvënës të vendit.
Por që procesi të jetë i vlefshëm, duhet që në të tre raundet në sallë të jenë të pranishëm të paktën 80 deputetë.
Nëse presidenti nuk zgjidhet, Kuvendi shpërndahet për t’i hapur rrugë zgjedhjeve të reja parlamentare.











