Nga Jakin Marena
Përplasja e Albin Kurtit dhe e pasuesve të tij në qeverisje e Kuvend me aleatët perëndimorë, kryesisht me SHBA por dhe me vendet anëtare të BE, ka krijuar një situatë aspak të favorshme për Kosovën. Madje më të pafavorshmen që nga viti 1999, duke shënuar një regres të dukshëm në marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë.
Kuotat e mbështetjes për Prishtinën zyrtare, për shkak të qeverisë së Albin Kurtit, janë nga më të ultat që nga dita kur trupat e NATO-s, pas bombardimesh të forta të ushtrisë së Milosheviçit, të ndihmuar në terren dhe nga luftëtarët e UÇK, hynë në Kosovën e çliruar nga okupimi serb, duke hapur rrugën e krijimit të shtetit më të ri në Europë.
Për më tepër që për herë të parë në këto 24 vite, Kosova akuzohet nga partnerët ndërkombëtarë për nxitje të dhunës. Kuptohet, pa përjashtuar këtu akuzat ndaj Beogradit, të cilat kanë qënë të njëtrajtshme tërë kohën, si faktor i interesuar e nxitës për destabilizimin e Veriut të Kosovës. Dhe ky është një bilanc negativ që prezantohet, pikërisht më 14 maj, përvjetorin e 24-tërt të çlirimit të Kosovës nga trupat e NATO-s në bashkëpunim me UÇK-në.
Qasja e Kurtit dhe e mbështetësve të tij ka qënë e vijon të jetë kundër SHBA, qasje që justifikohet me argumentin se është në mbrojtje të shtetit të Kosovës sipas kornizës kushtetuese, e cila përcakton kontrollin e plotë mbi tërësinë territoriale të republikës më të re në Europë.
Për hir të së vërtetës, sigurinë e Kosovës e mbrojnë trupa e KFOR. Pra NATO. Se të ishte për forcat e sigurisë së Kosovës dhe policisë së saj, atëherë do kishim lajme të tjera të emetuara në mediat afër dhe larg Albinit, larg asaj që kemi sot. Pavarësisht dominancës që ka ndaj tyre në Kosovës.
SHBA dhe vendet aleate, kanë harxhuar që nga bomba e parë e hedhur mbi Beograd dhe deri më tani mbi 100 miliardë dollarë, gjë që tregon se përpos angazhimeve të tjera që kanë në mbrojtje të demokracisë dhe konsolidimit të shtetit të Kosovës, në fund të herës nuk mund t’i quajnë këto para të hedhura kot, thjeshtë dhe vetëm se Albin Kurti, por dhe tërë qeveria e deputetët e VV, ku më shumë e ku më pak, kërkojnë të bëjnë të fortin, mistrecin dhe të pabindurin ndaj aleatëve që e bënë Kosovën shtet dhe po mbrojnë kufijtë e saj.
Partnerët nuk mund të qajnë hallin e këtij kontigjenti politik në qeverisjen e Kosovës, me në krye Kurtin, të cilët nuk kanë asnjë ditë të ‘shënuar’ në shërbim të çlirimit të Kosovës nga okupimi serb si pjesë e UÇK apo strukture tjetër ushtarake për çlirim. E kanë dhimbje këtë Albini dhe të tijtë, por nuk mund të kthehet më koha pas, që ata të vishen e ngjishen me uniformën e UÇK e të dalin malit për liri. Ka ikur ajo kohë e tani janë miliarda shpenzime të huaja në mes, për çlirimin e ngritjen e shtetit të Kosovës.
Albin Kurti e mbështetësit e tij janë të bindur, ose sëpaku e reflektojnë bindjen në komunikimin publik e përmes vendimeve që po ndërmarrin, se SHBA e BE ia kanë me ‘hile’ Kosovës dhe se po ‘joshin’ Aleksandër Vuçiç. Këtë e themi, teksa dëgjojmë deklaratat e Kurtit dhe mbështetësve të tij se “SHBA e BE po bëjnë presion ndaj Kosovës”, se “nuk është në rregull SHBA e BE që po bullizojnë Kosovën”, e deri tek deklaratat e tipit “Blinken është naiv” apo “nuk e lëshojmë asnjë pjesë të territorit të Kosovës”, duke nënkuptuar qëndresën ndaj partnerëve e jo faktin e zgjedhjeve në 4 komunat serbe në veri, ku janë katër kryetarë shqiptarë të zgjedhur me më pak se 100 vota, të cilët mbahen me policë dhe mbrohen me forcat e KFOR, që janë pozicionuar në mes të policisë së Kosovës dhe protestuesve serbë, duke i ruajtur nga hataja e përgjakshme.
E vërteta është se partnerët tanë, SHBA dhe BE në mbrojtje të “krijesës” së vet, shtetit të ri të Kosovës, kërkojnë as më pak dhe as më shumë por respektimin e marrëveshjes së Ohrit mes Kurtit dhe Vuçiç, që pason atë të Brukselit, dhe që tashmë dhe me kontributin e Albin Kurtit ka në thelb Asociacionin e komunave serbe në Veri, pikërisht “mollës së sherrit” mes Serbisë dhe Kosovës. Ky Asociacion do të jetë sërish nën ‘hyqmin’ e qeverisë qëndrore të Kosovës, pra të shtetit të Kosovës. Kushdo që të jetë në qeverisje, Presidencë apo me shumicë në Kuvend.
Por nëse deri më tani, një pjesë e mbështetësve të Albin Kurtit, e kundërshtonin qëndrimin e SHBA, që u tregua shumë e ashpër teksa u deklarua prej përfaqësuesve të qeverisë amerikane se Kosova nuk do mbështej në ‘sektorin’ e njohjeve, përjashtimin nga stervitja “Defender 23” e NATO-s e udhëhequr nga SHBA, e deri në sinjalet që Kurti dhe qeveria e tij mund të shpalleshin ‘non grata’, pra kundërshtoheshin përmes deklaratave patriotike të mbrojtje të Kosovës, tashmë në “skenë” del sërish “armiku në dizpozicion”, kryeministri shqiptar Edi Rama.
Mjaftoi një draft-statut apo draft-propozim për Asociacionin, të cilin Rama deklaroi se ia ka dërguar në tryezë presidentir francez Macron e kancelarit gjerman Scholz, si një nga propozimet për zgjidhjen e ngërçit në veri dhe për arritjen e marrëveshjes mes Serbisë dhe Kosovës, që të shpërthenin akuzat në drejtim të tij. Akuza që u intensifikuan akoma më tepër kur BE e vlerësoi draftin.
Nuk u mjaftua vetëm Kurti, që deklaroi se nuk e kishte parë draft-statutin, duke nënvizuar se Kosova s’kishte nevojë për ndërmjetës por për mbështetje, por u vunë në radhë të gjithë ata që paguhen në qeverisjen e Vetëvendosjes, pa asnjë dallim. Dhe ata që kishin heshtur gjatë gjithë konfliktit në Veri. U kishte dalë Rama në ‘shteg’, dhe kishin marrë sinjalin për të goditur.
Dikush e quajti draftin në shërbim të Vuçiç, të bërë në Beograd, dikush e akuzoi se kërkon protagonizëm politik si palë e tretë, a thua se këtë propozim për Asociacionin Rama e kishte dërguar në Beograd, dhe jo tek aleatët e Kosovës në Perëndim, përkatësisht tek Franca dhe Gjermania.
Pavarësisht se Kurti dhe mbështetësit e tij thonë se nuk e kanë lexuar draftin, por janë kundër në mënyrë apriori vetëm pse është propozuar nga Rama, pavarësisht se janë të bindur se kryeministri shqiptar me patjetër është konsultuar me aleatin më të madh SHBA-në për këtë draft për Asociacionin, sulmet ndaj kreut të qeverisë shqiptare duke e shpallur armik të Kosovës, kanë vijuar akoma më fort. Kanë zënë faqet e mediave, kanë bllokuar tribunat e partive apo të qeverisë, duke e akuzuar në të gjitha planet, dhe cilësuar draft-statutin e tij për Asociacionin si një ‘thikë pas shpine ndaj Kosovës”. Madje dhe disa deputete të Vetëvendosjes, mes të cilave nëpër të dhe ndonjë ministre që është emëruar për të bërë drejtësi, arrijnë të ‘draftojnë’ në një lokal ‘harxhet’ që kanë konsumuar, si vakt dreke që ishte. Tentuan të bëjnë ironi me një fjalë.
Nuk po ndalemi shumë tek Berisha dhe aleatët e tij në Tiranë, të cilët e kanë kthyer në institucion akuzën ndaj Ramës si ‘argat të Vuçiçit”. Ndonëse të habit një aleancë e tillë në të dy anët e kufirit. Një aleancë mes atyre në Tiranë që kishin furnizuar me naftë Milosheviçin në kohën e embargos së vendosur nga OKB, kishin kërkuar që Kosova të kishte autonomi të zgjeruar, kishin dalë kundër Rambujesë që solli bombardimet e NATO-s dhe çlirimin nga okupimi serb, apo që kishin mbështetur iniciativën e ish kryeministrit serb, Zoran Gjixhiç, për ndarjen e Kosovës mes Shqipërisë dhe Serbisë, dhe atyre në Prishtinë që kanë qënë kundër krijimit të shtetit të Kosovës, kundër flamurit të saj aktual, kundër UÇK dhe tashmë kundër SHBA dhe BE.
Nëse Berisha në Tiranë ka hall, sepse SHBA e Britania e kanë shpallur ‘non grata’ familjarisht, ndërsa vendet anëtare të BE e konsiderojnë dhe e trajtojnë si të tillë dhe për këtë gjen një ‘armik në dizpozicion si Rama për ta akuzuar se i ka përgatitur ‘letrat’ e sanksionimit dhe dërguar në Uashington, i pakuptueshëm është qëndrimi i Kurtit e mbështetësve të tij, që akuzojnë Ramën se është vënë në ‘shërbim’ të amerikanëve dhe europianëve ‘kundër Kosovës dhe sigurisë së saj’, duke propozuar një draft-statut për Asociacionin e komunave serbe në Veri. Pra dhe Kurti, sikurse Berisha e konsideron Ramën një ‘armik’ të vënë në ‘shërbim’ të SHBA, Britanisë dhe BE.
Ndoshta halli i Kurtit dhe armiqësia që po shpërndan në Kosovë kundër Ramës ka të bëjë me disa të vërteta që tha kryeministri shqiptar. Sipas të cilit, bën kot Vuçiç që mobilizon ushtrinë dhe këndon këngë patriotike bashkë me të në kufi me Kosovën, pasi ka zero fuqi për të bërë të pabëren, sepse e ka humbur luftën që më 1999. Apo bën kot Albin Kurti që deklaron patriotizëm përballë SHBA dhe BE, pikërisht ndaj atyre që mbrojnë me ushtri Kosovën, bëjnë drejtësinë në Kosovë, e ndihmojnë në të gjitha mënyrat nga ana ekonomike. Pra e mbajnë në këmbë si shtet Kosovën, pikërisht ata që akuzon Kurti, SHBA dhe BE. Dhe tregimi i këtyre të vërtetave shqeto nga Rama, pra që Kurti e Vuçiç gjithë këtë përplasje e bëjnë për kredite të brendshme politike, me sa duket ka acaruar rëndë liderët politikë në qeverisje të Kosovës, duke arritur deri atje sa ta shpallin ‘armik’ Ramën, në ‘shërbim’ të aleatëve tanë të përbashkët.
Dhe Enver Hoxhës po i luajnë eshtrat në varr, pasi kundërshtinë ndaj amerikanëve, britanikëve dhe vendeve anëtare të BE, e bënte më me stil se Kurti. Fuste dhe socialimperialistët sovjetikë në ‘axhendë’, i quante xhandar të popujve, dhe gjëra të tjera të këtij lloji. Dhe mbi të gjitha Enveri pretendonte se ‘mbahej me forcat e veta, mbrohej me forcat e veta’, duke qënë kundër të gjithëve, pavarësisht shtrëngimit të ‘rripit’ për qytetarët shqiptarë, deri aty ku nuk mbante më.
Ndaj themi se Enverit po i levizin eshtrat në varr nga qëndrimi i Albinit, pasi Kosova ushqehet, mbrohet dhe mbahet në këmbë si shtet, me paratë dhe armët e “armiqve’ SHBA, Britanisë dhe BE, ndërsa Shqipëria e komunizmit mbahej me ‘forcat e veta’. Këtë s’po arrin ta kuptojë askush.
Ajo që duhet kuptuar, është se SHBA dhe BE ia shtrinë dorën dhe njëherë Albin Kurtit, për t’u rikthyer tek marrëveshjet, shtensionimi i situatës, dhe arritja e paqes në Kosovë. E tha Escobar ‘me shpirt ndër dhëmbë’, se Kurtin SHBA vijon ta quajë partner, pavarësisht se një partner të vështirë. Eshtë koha që Kurti ta kapë këtë sinjal në ajër dhe të ‘zbresë’ në tokë.
Sa për Ramën, aty e ka Albini, ‘armik në dizpozicion’ sa herë që t’ia lypë nevoja. Dhe për shumë vite madje e ka aty si kryeministër, përballë me Berishën në krye të grupimit më të madh në PD. Ka kohë plot Albini për ‘qoka’ e për ‘patriotizëm’, tani emergjencë është gjetja e një zgjidhjeje për rregullimin e raporteve me SHBA e aleatët e tjerë dhe rikthimin e Kosovës në normalitet. Ndryshe, Kosova do paguajë! Pasi Albini nga rruga vjen, drejt rrugës do shkojë sërish.