Albin Kurti, pas bisedimeve që zgjatën mbi 12 orë në Ohër, tha se ishte arritur pajtim publik, por pala serbe nuk pranoi sërish të nënshkruante. Kryeministri i Kosovës theksoi se marrëveshja është njohje de facto e Kosovës nga Serbia.
“Ne erdhëm në Ohër për të nënshkruar marrëveshjen bazë me aneksin e zbatimit. Kemi arritur pajtim publik për një aneks që do të udhëzojë zbatimin e marrëveshjes bazë. Pala tjetër njësoj si në takimin e fundit në Bruksel, më 27 Shkurt po i ikën nënshkrimit të marrëveshjes, tash edhe me aneks. I takon BE që ta gjejë mekanizmin që ta bëjë statusin e kësaj marrëveshje ligjërisht, ndërkombëtarisht të obligueshme. Sa për aneksin e zbatimit ai do të publikohet në faqen e BE dhe aty dot ta lexoni e kuptoni edhe çka ka edhe çfarë s’ka”.
“Marrëveshja bazë është njohje e ndërsjellë de facto. Natyrisht që ka dhe gjëra të tjera”, tha mes të tjerash Kurti, ndërsa shtoi: “Ajo çfarë ka ndodhur është njohja de facto më 27 shkurt dhe tash me aneksin e zbatimit”.
Sa i përket asociacionit, Kurti tha se nuk do të ketë një të tillë, por do nisë një proces i vetëmenaxhimit të komunitetit serb në veri të Kosovës.
/a.r