Nga Skënder Minxhozi
Një nga mitet më të qëndrueshme të 30 viteve të fundit në Shqipëri, thotë se Ilir Meta si lider partie, si shtetar dhe si politikan në përgjithësi, ka pasur dhe ka një sens të lindur orientimi dhe nuhatjeje që nuk e zotërojnë shumë të tjerë të shkallës, nivelit dhe jetëgjatësisë së tij në krye të punëve të vendit. Meta bën gjithnjë gjënë e drejtë, ai është disa lëvizje para kundërshtarëve të tij, duke qenë pragamtist i lindur, i zoti për të bërë kompromise dhe për të ndarë pazare sipër apo poshtë tavolinës së politikës. Ja del aty ku të gjithë dështojnë…
Ky mit është ushqyer me dekada në media dhe ambjentet politike, duke u bërë më insistues dhe i përhapur sidomos pas çarjes PS-LSI në vitin 2004. Paradoksalisht ai moment, që në fakt ishte një gafë e madhe e historike e vetë Metës dhe pasuesve të tij, shihet gjerësisht si një akt mençurie dhe nuhatjeje politike që i hapi rrugën një profili politik ‘edhe më të fortë e vendimtar në skakierën shqiptare’.
Ndodhemi përballë rastit klasik kur të dish të amballazhosh një mall, do të thotë ta shesësh atë shpejt dhe mirë. Nëse duke u përplasur me Nanon në vitet ’90 dhe kapërcyellin e shekullit të ri, Ilir Meta kishte krijuar ‘kishën’ e tij të përkrahësve në PS dhe ishte afishuar si i vetmi rival i liderit historik socialist, me ikjen nga partia në vitin 2004 e krijimin e LSI, Ilir Meta shënoi në mënyrë të pakthyeshme një etapë politike personale, për të cilën ka 18 vjet që pendohet në distancë dhe në heshtje. Iku nga e vetmja parti që e bëri kryeministër!
Ilir Meta e ndërroi partinë më të madhe politike të Shqipërisë me një ‘derivat’, sado të rëndësishëm në ekuilibrat e mëvonshëm elektorale. Në këtë mënyrë ai ia dorëzoi praktikisht PS në një pjatë porcelani Bohemie, rivalit të tij më të ri, kreut të bashkisë Edi Rama.
Ka qenë një hap i pamatur vetëm dhjetë muaj para zgjedhjeve të vitit 2005, ku Nano humbi dhe iku një herë e mirë nga kreu i partisë. Kujt më shumë se Metës do t’i takonte normalisht të bëhej kryetar i PS?! Fakti që ai preferoi një ‘garsoniere’ në vend të një vile me pishinë, flet shumë për karakterin e tij impulsiv dhe pak të fokusuar tek kalkulimet dhe strategjia. I cili megjithatë shihej publikisht si një person i kalkuluar dhe i tërhequr.
Edhe vitet që pasuan, gjatë të cilave Meta kapërceu ylberin për t’u bashkuar me Sali-Gërdecin, siç e kishte quajtur ai vetë Berishën, shënuan modifikimin e LSI në një parti interesash, gjithnjë e më larg vendndodhjes së saj fillestare ideologjike. Dikush mund të thotë se kjo është diçka e mirë pasi solli pushtetin pa u lodhur, duke harruar se serbatori i votave ku mund të peshkonte më kollaj Ilir Meta ndodhej, siç e treguan vitet e mëvonshme, majtas e jo djathtas. Gjatë atyre viteve Ilir Meta u bë me hir a me pahir aksioner i një trashëngimie të rëndë të Sali Berishës, pikërisht gjatë mandatit të tij të dytë qeverisës, më të vështirit dhe më të komplikuarit. 21 janari është shembulli më i spikatur i faturës së padukshme që ju desh të paguante Metës dhe partisë së tij.
Në dekadën e fundit, që kulmoi me ribashkimin me PS, falë pragmatizmit moralisht të shëmtuar të Edi Ramës, Ilir Meta ka treguar në shumë raste se i beson më shumë instiktit, impulseve emocionale dhe shpërthimeve të humorit, më shumë sesa planifikimit të qetë dhe pas perdeve. I influencuar si pakkush në piramidën e lartë politike nga historitë konspirative, thashethemet e fjalët pas veshit, ai do të shpërthente gjithnjë e më shpesh publikisht, duke krijuar dyshime serioze për aftësinë vetëfrenuese që e karakterizonte dikur në rininë e tij politike.
Reforma në drejtësi dhe përplasja me Fatmir Xhafajn shënoi jo vetëm modifikimin e shprehjes së tij njohur, në “me qetësi dhe pa dashuri”, por e futi Metën edhe në një kurs të ri përplasjeje me Ramën dhe PS, një rrethanë që e çoi kreun e LSI në sjellje publike disa herë të pakontrollueshme.
Paradoksi e solli që hyrja në Presidencë në vitin 2017, një institucion ku vetëpërmbajtja dhe ekuilibri janë veglat e përditshme të punës, shënoi edhe fazën më inkandeshente të politikanit Meta. Presidenti i sapo-dalë nga zyra ka lënë pas disa gjeste, dekarata dhe sherre që me shumë gjasë do të dojë shumë kohë që t’i shohim të përsëriten në atë institucion. Ka shkuar vetë me dosje nën sqetull që të padisë qeverinë në Gjykatën Kushtetuese, ka hedhur rregullisht benzinë në zjarrin e partive, në favor të njërës palë e kundër palës tjetër, ka dalë me makinë nëpër qytete në prag të zgjedhjeve ‘për të kapur ata që blejnë vota’. Presidenti Meta ka guxuar të shkelë me të dyja këmbët Kushtetutën, duke shkelur afatet e miratimit të dekreteve të ministrave, e duke refuzuar disa prej tyre. Ai e ka quajtur qeverinë që vetë e kishte dekretuar më parë “grup të organizuar kriminal”. Në adresë të ndërkombëtarëve Meta ka qenë po aq i paparashikueshëm e emotiv, duke e hedhur kostumin e kreut të shtetit në Lanë. Ka ftuar amerikanët ta vrasin me raketa te Mali me Gropa (o Zot çfarë makabriteti!), ka shpallur non grata në Presidencë ambasadorë të huaj, apo ka cilësuar me epitete rruge të tjerë akoma. E kush e harron kacafytjen e kryetarit tonë të shtetit në selinë e një partie të vogël, me policët që ruanin derën?!
Ilir Meta i pas vitit 2016, kur u miratua reforma në drejtësi, është një qenie krejt e ndryshme politike. Kush thotë se ai i mendon ato që thotë dhe ato që bën, le të marrë vetëm deklaratat e Partisë së Lirisë të 24 orëve të fundit. Politikani i dikurshëm që dëgjonte dhe shpesh herë edhe nuk fliste pasi kishte dëgjuar, por bënte vetëm një gjest kalimtar, tashmë nuk egziston më. Ilir Meta i versionit 2.0 është një element kimik krejt i paqëndrueshëm, një personalitet politik agresiv dhe i paparashikueshëm, një temperament shpërthyes dhe pa caqe.
Evolucioni i personazhit Meta në 30 vitet e fundit është ai i politikanit që ka shterrur idetë, ka konsumuar imazhin, ka kryer shtegëtimin nëpër të gjithë spektrin politik duke u prishur e përqafuar me të gjithë, e më në fund gjendet në skajin e karrierës së tij politike, në kërkim të një finaleje dinjitoze. Ndoshta mendon se e ka gjetur tek kandidimi i përfolur për bashkinë e Tiranës. Edhe kjo një shenjë se i ka mbaruar poltronat e disponueshëm në këtë shtet e po kërkon të rishpikë veten mbi kalin e politikës shqiptare.
Një analizë brilante,që të lë pa frymë nga racionaliteti i mendimit,nga korrektësia ndaj fakteve me argumente logjike bindëse.Faleminderit shumë.Faleminderit që ekziston.Meriton një ❤️ të madhe për analizën e argumentuar dhe një ❤️ tjetër për atë që përfaqëson: Njeriun fisnik,të mençur,plot finesë dhe delikatesë mendimi dhe veprimi jetësor.Faleminderit mik.