Kur publiku është thjesht numëror për zgjedhje!
Nga Ben Andoni
Tirana, prej vitesh, është bërë një qytet i pajetueshëm për ata që kanë lindur dhe banojnë prej shumë dekadash në të. Arsyeja është e thjeshtë: Ardhja e një kontingjenti të madh prej të gjithë vendit, jashtë çdo kontrolli dhe shpesh në mënyrë kaotike e ka bërë qytetin tonë, që të mos respektohet asgjë. Plehrat hidhen kudo, vizat e bardha janë pothuaj thjesht konvencionale, kurse sherri dhe zhurmat janë të papara dhe jashtë kontrolli. Kjo është arsyeja që një mori e politikanëve, lexo: klasën e pasur të vendit, dhe kuptohet pasanikët e rinj, të zhvendosen jashtë qytetit ose në vende më shumë më pak zhurmë nga ajo me të cilën përballen qytetarët e zakonshëm. Anipse, edhe në këtë tollovi, edukata e shumë prej individëve të këtij qyteti, mundohet të ngrejë krye shpesh në këtë kaos. Bëjnë apele, ankohen privatisht dhe publikisht, ka bilbilfryrës dhe gazetarë, por pak gjëra ndryshojnë. Zëri i individëve të ndërgjegjshëm është thjesht dhe i domosdoshëm për të mbajtur frekuencat e turmës, ose numërorë frymorë, që u duhen politikanëve për të përjetësuar pushtetin e tyre.
Dhe, ndodh, si në rastin e fundit, që banorët ishin ankuar prej kohësh për kushtet e papërshtatshme të bizneseve në rrugën “Don Bosko”, por askush s’ua kishte vënë veshin. Pak muaj më parë, në Durrës, banorët e plazhit të përmbytur vuanin përgjigjen për zërin e tyre të herë-pas-hershëm ndaj mosfunksionimit të kolektorëve. Romët ankohen ende në Selitë, por qoftë edhe zëri institucional i Avokatit të Popullit nuk dëgjohet; ashtu si muaj më parë, komuniteti maqedon nuk e dëgjonte askush, kur ankohej për militantët e kuqezinjve që i fyenin dhe i ofendonin mu në shtëpitë e tyre.
Në vend të dëgjimit të zërit të njerëzve kemi një maskaradë njëherë në katër vjet, kur liderët politikë bëjnë sikur ulen gju më gju me popullin dhe kolonia e punëtorëve të propagandës i fotografon teksa shikojnë ‘të menduar’ popullin.
E megjithatë romët sërish përzihen në mes të qytetit; zhurma në rrugët e Tiranës, qoftë në ditë pushimi, por edhe në orët e vona është e padurueshme; bombolat vazhdojnë njësoj si te “Don Bosko” dhe minoritetet shpesh fyhen për asgjë.
Kjo e bën Tiranën tonë, që të jetë e pajetueshme, por më shumë se kaq të shfrytëzuar në mirësinë e atyre njerëzve, që politikanët i përdorin si numërorë për panginjen e interesave të tyre.









