Nga Florjan Çullhaj
Në një kohë kur demokracitë në periudhën bashkëkohore përballen me sfida të reja, pyetja mbi identitetin dhe autenticitetin kushtetues nuk është më thjesht teorike, ajo është tejet thelbësore për ruajtjen dhe konsolidimin e rendit demokratik. Në këtë rast as Shqipëria nuk bën përjashtim. Debatet për reformën në drejtësi, përfaqësimin, dhe besimin publik po rikthejnë në qendër një çështje themelore, gjegjësisht, çfarë e bën një kushtetutë të qëndrueshme dhe të besueshme në sytë e qytetarëve?
Shpesh kushtetutat shihen si dokumente juridike, ku përshkruhen parimet, institucionet, kompetencat dhe procedurat. Por, një kushtetutë duhet të jetë shumë më më shumë se kaq. Idealisht, ajo duhet të jetë projekti politik përmes të cilit një komunitet vendos të qeverisë veten në një mënyrë të bashkëpërcaktuar, përgjatë brezave. Në këtë kuptim, kushtetuta nuk është vetëm një set rregullash, por identitet. Kjo perspektivë është veçanërisht e rëndësishme për Shqipërinë sot, ku populizmi, polarizimi dhe mosbesimi ndaj institucioneve kanë krijuar një hendek midis qytetarëve dhe rendit kushtetues. Sfida nuk është vetëm institucionale, ajo është edhe morale dhe politike. Për pasojë, natyrëshm lind pyetja, si ta rindërtojmë besimin në Kushtetutë pa rënë në nacionalizëm apo në relativizëm? Teoricieni politik, Alessandro Ferrara na ndihmon ta kuptojmë këtë debat duke dalluar tre mënyra kryesore të mendimit për identitetin kushtetues.
Modeli i parë, lidhet me idetë e Jürgen Habermas-it. Sipas kësaj qasjeje, një kushtetutë është autentike kur garanton procedura të drejta. Gjegjësisht, komunikim të lirë, të drejta themelore, shtet ligjor dhe shqyrtim publik. Legjitimiteti buron nga universaliteti i këtyre normave, i cili është një mburojë e fuqishme kundër populizmit, sepse e zhvendos fokusin nga liderët te rregullat. Megjithatë, ky model ka një kufizim.
Nëse kushtetuta mbështetet vetëm në procedura, ajo mund shfaqet si e shkëputur nga historia dhe përvoja konkrete e popullit. Kontretisht, në një shoqëri si Shqipëria, ku tranzicioni postkomunist ka qenë i vështirë, identiteti politik nuk ndërtohet vetëm mbi norma abstrakte.
Në anën tjetër të arsyetimit, qëndron modeli i Carl Schmitt-it. Për Schmitt-in, kushtetuta është shprehja e vullnetit sovran të popullit, autenticiteti i së cilës matet me aftësinë për të reflektuar vetëkuptim kolektiv dhe identifikim me një set të dhënë parimesh. Kjo ide rezonon fort me diskursin populist të etabluar nën moton, ‘populli’ kundër ‘elitave’. Problemi me këtë model është se na prezanton me një kushtetutë të paqëndrueshme. Nëse çdo shumicë pretendon se përfaqëson popullin, çdo krizë politike mund të shërbejë si shkak për t’u shndërruar në krizë kushtetuese. Institucionet bëhen të brishta dhe të drejtat të pasigurta. Ky model është problematik për vende me institucione ende në konsolidim si Shqipëria.
Midis këtyre dy ekstremeve qëndron alternativa e John Rawls-it. Liberalizmi i tij Politik ofron një koncept më të pasur, në të cili Kushtetuta është shprehje e një konceptimi politik të drejtësisë, ku qytetarët e lirë dhe të barabartë mund ta pranojnë përmes arsyes publike. Kjo qasje nuk është abstrakte, sepse çdo shoqëri mund/duhet ta përkthejë këtë ideal nën dritën e historisë dhe aspiratave të saj. Këtu qëndron çelësi për kushtetutën shqiptare. Një kushtetutë autentike nuk është as universale në mënyrë të ftohtë, as romantike në mënyrë populiste, ajo është një projekt vetëqeverisës, që njëkohësisht është i drejtë dhe kuptimplotë. Rawls analizon një ide thelbësore, ku qytetarët duhet ta mbështesin rendin politik ‘për arsyet të drejta’. Kjo do të thotë se legjitimimi i kushtetutës duhet të vijë jo sepse janë të frikësuar, apo sepse një grup përfiton prej saj si në rastin e kushtetutës së 98-ës, por sepse ata e konsiderojnë atë të drejtë.
Në Shqipëri, nën një stil populist qeverisës, kushtetuta është mbështetur për arsye instrumentale, ku aktorët politikë e kanë përdorur si mekanizëm politik për konsolidim të pushtetit. Populizmi e thellon këtë tendencën duke e paraqitur ligjin si pengesë ndaj vullnetit të popullit, për pasojë besimi tek institucionet ka rënie të dukshme. Një reformë kushtetuese duhet të synojë bash këtë pikë, të krijojë një kulturë politike të re ku qytetarët e mbrojnë kushtetutën, sepse shohin tek ajo shohin garantin e barazisë dhe dinjitetit të tyre kolektiv. Kjo kërkon më shumë se reforma teknike, ajo kërkon edukim qytetar, transparencë dhe një diskurs publik që e lidh drejtësinë me identitetin kolektiv.
Për t’i shpëtuar kapjes së kushtetutës nga populisti i radhës, Ferrara propozon idenë e ‘reciprocitetit vertikal’. Demokracia nuk është vetëm një marrëdhënie mes qytetarëve që jetojnë sot, por më tepër ajo është një bashkëpunim ndërbreznor. Populistët shpesh veprojnë sikur çdo brez, ka një të drejtë absolute të rishkruajë rregullat politike nga e para, logjikë e cila rrezikon stabilitetin politik, dhe jo vetëm. Nëse çdo shumicë elektorale ndryshon themelet apo ‘strukturën bazë’, besimi tek institucionet mbetet i brishtë. ‘Reciprociteti vertikal’ sugjeron një rrugë tjetër, atë ku çdo brez ka detyrimin të ruajë kushtet apo rendin politik që e bëjnë vetëqeverisjen të mundur. Ne, brezi i sotëm, jemi mbrojtës të përkohshëm të kushtetutës dhe nuk mund t’i dobësojmë institucionet, të kufizojmë të drejtat apo të politizojmë drejtësinë, sepse kjo sjellje politike do t’ua vështirësonte raportin me demokracinë për brezat e ardhshëm.
Një hap konkret në këtë drejtim do të ishte nisja e një procesi të kujdesshëm të reformimi kushtetues që nuk kufizohet vetëm në ndryshime teknike, por synon rindërtimin e legjitimitetit publik të Kushtetutës. Një proces i tillë do të duhej të mbështetej në tre shtylla.
Së pari, një debat publik më të hapur dhe të mirëarsyetuar mbi parimet themelore të rendit kushtetues.
Së dyti, një përfshirje më të gjerë të universiteteve, shoqërisë civile dhe profesionistëve të së drejtës në një reflektim mbi institucionet, dhe së treti, një angazhim politik për të trajtuar Kushtetutën jo si instrument të shumicës së radhës, por si kornizë të përbashkët vetëqeverisjeje. Një qasje e tillë, do të ndihmonte që Kushtetuta të mbështetet gradualisht jo për arsye taktike apo partiake, por sepse qytetarët e njohin atë si garanci të barazisë dhe të drejtësisë për të gjithë.
Si përfundim, sfida kryesore për Shqipërinë nuk është vetëm të mbrojë Kushtetutën nga presioni i populizmit, por ta bëjë atë realisht të besueshme për qytetarët. Një kushtetutë bëhet e qëndrueshme kur qytetarët e shohin atë si pjesë të identitetit të tyre politik dhe kur e mbështesin për ‘arsye të drejta’. Kjo kërkon arritjen një ekuilibri delikat, ndërmjet universales dhe kontekstuales, ndërmjet stabilitetit dhe ndryshimit, si dhe ndërmjet sovranitetit demokratik dhe kufizimeve që e mbrojnë atë nga abuzimi. Në këtë perspektivë, ideja e reciprocitetit vertikal na kujton se rendi kushtetues nuk është pronë e një shumice të përkohshme, por një projekt i përbashkët që kalon nga një brez tek tjetri. Demokracia kushtetuese nuk është një gjendje politike e mbyllur, përkundrazi, ajo është një proces i vazhdueshëm reflektimi dhe korrigjimi. Nëse Shqipëria arrin ta trajtojë Kushtetutën në këtë mënyrë, si një marrëveshje të drejtë ndërmjet qytetarëve të sotëm dhe atyre që do të vijnë, atëherë përballja me populizmin nuk do të jetë vetëm një mbrojtje institucionale, por një afirmim i pjekurisë së saj demokratike.











