Me të marrë pushtetin në dorë, në mars të vitit 1946 udhëheqësi politik Enver Hoxha u kërkoi dy prelatëve ndarjen nga Roma. Refuzimi historik i Imzot Gasper Thaçit, Arqipeshkv i Metropolitit të Shkodrës dhe Imzot Vinçens Prenushit, Arqipeshkv i Durrësit. Si pasojë e këtij refuzimi, Imzot Gasper Thaçi vdiq në 2 maj 1946, në arrest shtëpie, ndërsa imzot Vinçens Prenushi u dënua me 20 vjet heqje lirie, dhe vdiq në burgun e Durrësit më 1949. Historia e persekutimit të klerit, e dhënë në librin “Procesi i asgjësimit të fesë në komunizëm” me autor Azem Qazimin, si botim i kolanës së studimit të krimeve të komunizmit nga Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, fokusin përligjjen e persekutimit nga diktatura. E pasur me dokumente origjinale, dhe literaturë të bollshme, libri i Qazimit dokumenton kronikën e persekutimit të klerit në Shqipëri.
Duke njohur qëndrimin antibolshevik të të gjitha feve, e në veçanti të katolicizmit, përpara e gjatë Luftës së Dytë Botërore, Partia Komuniste Shqiptare nuk e pati të vështirë të formulonte akuzën për flirt me fashizmin dhe përligjjen e pushtimit të vendit. Po sa e mbështetur ishte kjo akuzë?
Qazimi shkruan se, “qysh në fillim të pushtimit, italianët flisnin për një “celulë antifashiste” të krijuar në mesin e françeskanëve shqiptarë, të cilën ata e shpërndanë nëpërmjet arrestimeve, pezullimit të ndihmave ekonomike, dhe transferimeve të detyrueshme. Sipas autoriteteve italiane, të gjitha shkollat e drejtuara prej françeskanëve dhe motrave stigmatine, si dhe shoqatat e ndryshme të krijuara prej tyre, shfaqnin “ndjenja patriotizmi të ekzagjeruar dhe antipatie dhe urrejtje ndaj Italisë”. “Ndjenja të ngjashme ushqeheshin dhe brenda komuniteteve të tjera fetare shqiptare”… Më poshtë botojmë momentin kur Enveri u propozon dy prelatëve ndarjen nga Roma, dhe pasojat që patën priftërinjtë nga refuzimi…
***
Kisha Katolike e Shqipërisë
Me gjithë deklaratat në favor të lirisë së besimit, sapo partizanët u futën në Shkodër, ata, me pretekstin e kërkimit të “kriminelëve” dhe të “reaksionarëve”, filluan operacionet ushtarake: “Qyteti qysh në mëngjes asht i bllokuem plotësisht- shkruan At Luigji Rosa S.J. në ditarin e tij më 13 dhjetor 1944.- Askush, për kurrfarë arsyeje nuk mundet me dalë prej shtëpiave: roje t’armatosuna kontrollojnë të gjitha rrugët. Nis nji kontroll shumë i imtë i të gjitha banesave: kërkohen gjermane, fashista, armë, municione që mund të jenë të mshehuna” (shënime të Atit Luigi Rosa)
Duke qenë të ndërgjegjshëm për rrezikun që mund të paraqiste aktiviteti mediatik i katolikëve për komunizmin e vendosur në Shqipëri nga jugosllavët, në dhjetor 1944 u mbyllën të gjitha revistat dhe gazetat fetare e kulturore të botuara nga katolikët, si “Hylli i Dritës”, “Leka”, “Zani i shna Ndout”, “Lajmëtari i Zemrës së Krishtit”, “Zgjimi i djelmnisë” “Bijat e Zojës”, “Kumbona e së Diellës” etj., Madje, njerëzit që i kishin në shtëpitë e tyre, shpesh u detyruan t’i fshihnin apo t’i digjnin, nga frika e kontrolleve të befasishme të Sigurimit.
Ato ditë, një grup prej 7-8 vetësh, të shoqëruar nga Kolë Jakova, iu drejtuan Kuvendit Franceskan të Gjuhadolit, dhe dërguan urdhëresa për mbylljen e shtypshkronjës dhe të gjitha shoqatave fetare françeskane. Ndër të tjera, ata u futën edhe në Muzeun e At Shtjefën Gjeçovit, ku Kolë Jakova kërkoi një unazë të artë antike, me gjasë e shekullit I, që njihej si “unaza e gjeçovit” të cilën e mori përkundrejt një ‘letër-vërtetimi” (At Zef Pllumi, Op, cit, I, f,22-2; Markus Ë.E. Peters, Op.cit., 3.5, f.152) Në gjysmën e dytë të atij muaji u arrestuan meshtarët e parë katolikë: Dom Lazer Shantoja që akuzohej për kolaboracionizëm me pushtuesin, Dom Mikel Koliqi, famullitar i Shkodrës, fajtor vetëm se ishte vëlla i Ernest Koliqit, si dhe dy fretër françeskanë. Viti 1945 u duk sikur do të sillte një afrim të shtetit komunist me Kishën Katolike.
Më 2 janar, Enver Hoxha thirri në audiencë Delegatin Apostolik, Imzot Leone G.B. Nigris: “ Audienca nuk zgjati më shumë se një orë,- shkruan “bashkimi”, – dhe u zhvilluan biseda të përzemërta” (gazeta bashkimi , 4 janar 1945,f.1) Por në fund të atij muaji, Mehmet Shehu shkoi në Shkodër dhe mori në dorë komandën e qytetit. Dhe kur kryeipeshkvi, Imzot Gasper Thaçi, refuzoi ta priste, rifilloi terrori. Më 28 janar ai mbajti një fjalim, ku stigmatizonte reaksionin, e sidomos atë të disa eksponentëve katolikë. Po atë mbrëmje u shpall një bllokim i ri dhe shumë i rreptë, bllokim që do të vijonte për një javë, i shoqëruar me kontrolle e bastisje të vazhdueshme (shënime të At Luigi Rosa)
Më 2 shkurt, jezuitët e Shkodrës përjetuan kontrollin e gjashtëmbëdhjetë dhe më shkatërrimtarin. Rreth 700/800 ushtarë të armatosur mbyllën me pozicione mitralozësh të gjitha daljet e “Lagjes së jezuitëve”, rrethuan shtëpinë e tyre dhe për gjashtë orë me radhë s’lanë gjë pa përmbysur. Klerikët, bashkë me nxënësit e shërbyesit, i mbyllën në sallën e mensës së xhakonëve, shkallmuan dyshemetë dhe tavanet, shkatërruan bibliotekën (me rreth 40.000 vëllime) dhe muzeun, shqyen qindra libra e dorëshkrime dhe dogjën katalogët. Madje, me pretekstin e kontrollit, dhunuan dhe varret në Kishën e Jezuitëve (shënime të Atit Luigi Rosa)
I njëjti fat e priste edhe Kuvendin Françeskan të Gjuhadolit. Një mëngjes ai u gdhi i rrethuar nga partizanët. I gjithë personeli u mblodh në dhomat e pritjes dhe, teksa atyre u bëhej kontrolli vetjak, partizanë të tjerë vërshuan nëpër korridore e dhoma. Dhe për 4-5 orë kthyen gjithçka përmbys. Sekuestruan të gjitha makinat e shkrimit, çiklostilat, radiot, dylbitë, aparatet fotografikë. Nga fondet e Muzeut të At Shtjefën Gjeçovit morën të gjitha armët antike, të punuara në argjend, e ndër to, edhe armën e gdhendur dhe të zbukuaruar nga vetë Gjeçovi (At Zef Pllymi, Op.cit)
Pas kontrolleve të dështuara, Sigurimi i Shtetit përhapi fjalë se në shkollat e mbajtura prej klerit katolik e, sidomos në ato të jezuitëve, bëhej propagandë fashiste dhe se nxënësit nxiteshit për të sabotuar qeverinë (shënime të Atit Luigi Rosa)
Për këtë arsye, në vitin shkollor 1945, në liceun e françeskanëve dhe në shkollën e jezuitëve, regjimi imponoi formimin e një celule të rinisë. Vinte ndonjë propagandist dhe, në prani të një profesori, zhvillonte propagandë materializmi ndër fëmijë (Imzot Zef Simoni,Persekutimi i Kishës Katolike në Shqipni nga 1944-1990, f.370).
Po në shkurt 1945, Sigurimi i Shtetit u përpoq të arrestonte Delegatin Apostolik Imzot Nigrisin, i cili një muaj më vonë u largua për në Romë me një aeroplan të misionit francez. Dhe kur më 25 maj u kthye në Shqipëri, pas shtatë orësh në aeroportin e Tiranës, u dëbua si persona non grata. Në vend të tij u emërua si zëvendës-delegat apostolic, Ipeshkvi i Abacisë Nullius, Imzot Frano Gjini .
Gjatë kësaj, Enver Hoxha kishte bërë përpjekje për themelimin e një kishe katolike “kombëtare”, gjë kjo e padëgjuar më parë në historinë e Kishës
Për këtë arsye, në mars ai thirri Imzot Gasper Thaçin, Arqipeshkëve Metropolit i Shkodrës, dhe Primat i Kishës Katolike Shqiptare, dhe Imzot Vincens Prenushin, Arqipeshkv i Durrësit, për t’u kërkuar ndarjen nga Roma. Por të dy prelatet refuzuan me guxim. Si pasojë e këtij refuzimi, Imzot Gasper Thaçi, vdiq më 2 maj të vitit 1946 në arrest shtëpie, kurse imzot Vinçens Prenushi u dënua me 20 vjet heqje lirie dhe vdiq në burgun e Durrësit më 1949.
***
Organizata “Bashkimi shqiptar” dhe mbyllja e shkollave të klerit katolik
Në fund të nëntorit 1945, në Seminarin Papnor të Shkodrës u zbulua organizata nacionaliste “Bashkimi shqiptar”, e cila kishte shpërndare disa trakte, ku bëhej thirrje që të mos u jepeshin votat komunistëve. Dhe kur disa anëtarë të saj u zunë duke i shpërndarë në lagjet “Arra e madhe”, “Gurazez” etj., filluan arrestimet. Më 27 nëntor u arrestuan Gjovalin Zezaj dhe Luigj Kçira. Dhjetë ditë më vonë, në mbrëmjen e 7 dhjetorit, themeluesi dhe drejtuesi i organizatës, xhakoni Mark Çuni, në vitin e tretë të Teologjisë; në dy ditët në vazhdim u arrestuan seminaristët Gjon Shllaku, Ernest Dema etj., kurse tre javë më vonë, më 31 dhjetor etërit Giovanni Fausti, nënprovincial i Shoqërisë “Jezus”, dhe Daniel Dajani, rektor i Kolegjit e i Seminarit, si eprorë të tyre. Në këtë grup bashkuan edhe intelektualin e shquar, drejtorin e mbramë të “Hyllit të Dritës”, Atë Gjon Shllakun, të akuzuar si themelues të një organizate të paqenë demokristiane.
Pas arrestimeve, Zoi Themeli, kryetari i degës së punëve të brendshme të Shkodrës, njoftoi Gjykatën ushtarake të qytetit: “Më datën 27.11.1945 ky seksion nëpërmes elementëve të vet ka zbuluar një organizatë me tendenca fashiste me emrin “Bashkimi shqiptar”, e cila ishte e organizueme në seminarin papnuer, pranë jezuitëve dhe e drejtuar prej elementëve udhëheqës të klerit”
Gjithçka u zhvillua me shpejtësi të madhe. Fill pas arrestimeve filluan hetimet. Më 10 dhjetor 1945 u morën në hetim Mark Çuni, më 16 janar 1946 Atë Fuasti dhe më 20 janar Atë Dajani. Katër ditë më vonë, mbërriti në Shkodër Aranit Çela dhe brenda një dite plotësoi procesverbalet hetimore të të gjithë të pandehurve (Pjetër Pepa, cit.)
Qysh më 2 janar 1946, në radio dhe në shtyp shpërtheu një fushatë e egër kundër klerit katolik. Deri dhe në “Orën gazmore” të së dielës bëhej shaka me Vatikanin e jezuitët. Në manifestimet e ndryshme, të organizuara posaçërisht për këtë qëllim, dëgjoheshin thirrjet: “Tradhtarëve plumbin ballit”. Madje, konferenca kundër etërve u zhvilluan deri dhe vetë shkollat e mbajtura prej klerit. Më 7 shtator, Eprorit të jezuitëve i erdhi urdhri prej Prefekturës që të pezullonte mësimet në Seminar, “ku asht thur komploti”, deri në një urdhër të ri. Gjyqi ndaj 39 të pandehurve të kësaj çështjeje filloi më 31 janar të vitit 1946 në sallën e kinema “Rozafatit” në prani të një publiku të zgjedhur, shumica komunistë dhe anëtarë partie. Në akt akuzën e tij, prokurori Arianit Çela, i akuzoi se: “Kanë punuar për t’i përgatitur fushë të favorshme fashizmit Italian. Me okupimin e vendit kanë punuar për legalizimin e okupacionit dhe për fashistizimin e vendit e të popullit, kanë ndihmuar organizatat tradhtare të krijuara nga armiku dhe qeveria kuislinge, kanë sabotuar rezistencën e popullit, duke kryer akte terrorizmi etj etj. Më 22 shkurt, Gjykata e Qarkut, të Shkodrës urdhëroi dënimin me vdekje, me pushkatim, të shtatë të arrestuarve: Mark Çunit, Atë Faustit, Atë Dajanit, Atë Gjon Shllakut, Qerim Sadik Myftarit, Gjelosh Lulash Bajraktarit dhe Frano Mirakajt. Më 2 mars mbërriti miratimi për ekzekutimin e tyre, firmosur nga vetë Enver Hoxha, dhe dy ditë më vonë, më 4 mars 1946, ata u ekzekutuan në varrezën e Rrmajit në Shkodër. Të nesërmen e pushkatimit, jezuitët organizuan një ceremoni përkujtimore. Po, me ta marrë vesh, policia e ndërpreu ceremoninë, shpërndau pjesëmarrësit dhe mbajti nën kontroll në shtëpinë e tyre të gjithë klerikët. Po atë ditë, në Kishën e Françeskanëve u tha një meshë përshpirtjeje për Atë Gjon Shllakun dhe të pushkatuarit e tjerë.
Atë ditë mbërriti dhe urdhri për mbylljen e shkollave të klerit katolik, përfshi dhe Seminarin e Kolegjën Françeskane dhe Institutin e Jezuitëve. Në Kuvendin e Françeskanëve mbërriti komisioni zbatues për shpërndarjen e Kuvendit, por Atë Mati Prendushi kundërshtoi, sepse një gjë e tillë nuk përfshihej në urdhëresën shtetërore. Qendresa e tij dha frute, sepse Kuvendi nuk u shpërnda. Megjithatë, u mbyllën Seminari e Kuvendi i Jezuitëve, Kolegja Françeskane, Kolegja Saveriane, Liceu Illyricum, Motrat Stigmatine e shkollat e tyre dhe Motrat Servite me shkollën e fëmijëve.
Përveç kësaj, u ndalua e gjithë veprimtaria e këtyre institucioneve nëpër qytetet dhe fshatrat e tjera të Shqipërisë, si në Tiranë, Durrës, Elbasan, e Korçë. Godinat dhe pasuritë u shtetëzuan, kurse personeli u shpërnda. Kisha e jezuitëve do të kthehej në teatër kukullash, kurse ajo e motrave stigmatine, që u përshtat për nevojat e “Klubit të Rinisë”, do të përdorej më vonë si sallë për gjyqet kundër meshtarëve. /Revista Mapo/