Kupola e Bombës Atomike, gërmadha më e famshme e botës
70 vjet më parë bomba e parë atomike rrafshoi qytetin japonez të Hiroshimës. Një mrekulli deshi që një ndërtesë e vetme në të gjithë qytetin të mbetej në këmbë. Ishte ajo që sot quhet nga të gjithë si “Kupola e Bombës Atomike”. Ndërtesa me beton dhe çati prej çeliku u ndërtua në vitin 1915 dhe asokohe mbante emrin “Ekspozita Tregëtare e Prefekturës së Hiroshimës”.
Pas luftës opinioni publik japonez u nda në dy pjesë: njëra palë donin ta ruanin ndërtesën siç qe, thuajse rrënojë, kurse pala tjetër donin ta shembnin , për të zhdukur kujtim të gjallë të tragjedisë në mes të qytetit. Fitoi pjesa e parë e njerëzve dhe Kupola e Bombës Atomike vijon të mbetet edhe sot një dëshmitare unike e ngjarjes sensacionale, që shënoi fundin e Luftës së Dytë Botërore. Në vitin 1966 u mor vendimi final që ndërtesa të mos preket, kurse 30 vjet më vonë godina u fut në fondin e trashëgimisë së UNESCO-s.












