Zyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu ka reaguar të shtunën ndaj njoftimit të administratës Trump për krijimin e komitetit ekzekutiv të Këshillit të Paqes në Gaza, duke deklaruar se vendimi nuk ishte i koordinuar me Izraelin dhe bie ndesh me politikën e tij.
Sipas reagimit zyrtar, përbërja e komitetit është problematike për Izraelin, pasi në të përfshihen zyrtarë të lartë nga Turqia dhe Katari, dy vende që kanë kritikuar ashpër mënyrën se si Izraeli ka menaxhuar luftën në Rripin e Gazës.
Zyra e Netanyahut bëri të ditur se kryeministri ka udhëzuar ministrin e Jashtëm, Gideon Sha’ar, që t’i përcjellë zyrtarisht kundërshtimet e Izraelit homologut të tij amerikan, sekretarit të Shtetit Marco Rubio.
Sipas Izraelit, çdo iniciativë ndërkombëtare që lidhet me të ardhmen e Gazës duhet të jetë e koordinuar ngushtë me autoritetet izraelite dhe të reflektojë shqetësimet e sigurisë së vendit.











