Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, e cila është edhe deputete e qarkut Gjirokastër ka qenë e pranishme në dëgjesat publike të bëra për studimin e planit vendor të Këlcyrës dhe të Përmetit.
Ministrja dhe deputetja Kumbaro, pas prezantimit të këtij plani u shpreh se në hartimin e tij duhet të merren parasysh potencialet e këtyre dy bashkive që janë kryesisht të përqëndruara në bujqësi, blegtori, pyje dhe ujë.
Kumbaro theksoi se me hartimin e planit vendor dhe zbatimit të tij mundësitë e zhvillimit do të shtrihen edhe më gjerë në qark. “Bashkëpunimi bashki-qytetarë-kompania konsulente para miratimit është një pikë ë fortë në hartimin e planit dhe lehtësi në zbatim”, citoi më tej deputetja e zonës, Mirela Kumbaro.
Qytetarët e pranishëm në dëgjesë u shprehën se si bashkia Këlcyrë ashtu edhe ajo e Përmetit i kanë të gjitha asestet për një zhvillim sa më të mirë në fushën e turizmit bujqësor dhe blegtoral. Ndër shqetësimet kryesore të banorëve, ishte njohja e kufijve të territorit të konsideruar Zonë e Mbrojtur për të qenë edhe vetë ato më të ndërgjegjshëm, për ndërhyrjet e lejuara dhe ndalimet e zhvillimit.
Nëpërmjet hartimit të planit do të përcaktohen zonat e zhvillimit ekonomik , zonat rezidenciale si dhe kriteret e zhvillimit urbanistik të dy bashkive.
Në dëgjesat publike përveç përfaqësueseve të pushtetit vendor, ishte edhe prefekti i sapoemëruar Astrit Aliaj si dhe përfaqësues të komunitetit.
ma.me