Nga Ben Andoni
“Bazuar në grumbullimin e rreth 70 vetave të armatosur disa ditë më parë në mes të qytetit dhe në faktin që presidenti maqedon deklaroi se kanë tetë muaj që e dinin se do të ndodhte kjo ngjarje, bindesh që gjithçka ishte e organizuar nga qeveria Gruevski”.
Koloneli i liruar Dilaver Goxhaj, një nga ushtarakët e parë vullnetarë nga Shqipëria në UÇK, që arriti deri në detyrën e Zëvendës/shefit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së (njëkohësisht dhe të koordinatorit të UÇK-së me NATO-n) është i qartë për këtë. Por, më i qartë akoma është për të gjitha ngjarjet, që e paraprinë masakrën e Kumanovës. Megjithatë këtu mbyllet ligjërimi me të, sepse për arsyet e veta personale nuk do të prononcohet më tej. Nga biseda e gjatë, duket se nuk do të përfshihet në diskutimin e gjerë ku janë përfshirë shumë aktorë, por ndërkohë ka pak mospëlqim për prononcimet patetike të z. Fatos Klosi dhe individëve të tjerë, sa i përket luftës së UÇK-së në Kosovë e më gjerë.
Luftëtarët e UÇK-së
Krejt ndryshe duken njerëzit që kanë luftuar me të, por që nuk duan të identifikohen me emra. Ata shpjegojnë konfuzionin e fundit të Kumanovës, që fillon qysh prej akronimeve të armatave shqiptare, por edhe deklaratat patetike të së ashtuquajturës UÇK në ditët e fundit, që shpesh ka nonsense. Është e vërtetë, që njerëzit konfuzohen shpesh për ngjarjet që ndodhin, por burrat që janë para nesh na referojnë se kjo njësi, që ka marrë përgjegjësitë e fundit është thjesht: UÇK-ja (Ushtria Çlirimtare Kombëtare) dhe jo UÇK-ja e Kosovës, por realisht në të gjenden pjesëmarrës që kanë luftuar në Kosovë dhe kjo u duk me personat e arrestuar. Akronimet e njëjta bëjnë që shpesh njerëzit të konfuzohen nga deklaratat e UÇK-së dhe të ngatërrohen krejtësisht për nevojën e saj, në kushtet kur Kosova është e lirë dhe administrohet tashmë nga vetë kosovarët. Kohët e fundit ka shumë referime për ngjallje të strukturave të UÇK-së Kombëtare dhe burrat e heshtur përballë na rrëfejnë duke filluar se nuk u është dukur i duhuri reagimi i qeverisë Rama. “Ai duhej të linte promocionet në turin e zgjedhjeve dhe duhej të vinte në Tiranë dhe t’i bënte menjëherë një notë me tone të forta Shkupit”, shprehen. “Pa shqiptarët qeveria e tyre bie menjëherë. Po ç’të thuash për politikanët shqiptarë të Maqedonisë, që nga dikur Arbën Xhaferri, Menduh Thaçi dhe Ali Ahmeti së fundmi, asnjëherë nuk e kanë rrezikuar qeverinë sepse s’kanë dashur të prishin privilegjet e tyre”. Megjithatë ish-luftëtarët e UÇK-së janë nga ata njerëz, që po presin ende të shprehen realisht për atë që ndodhi në Kumanovë. Tepër të rezervuar, ata nuk tregojnë me gisht, por thonë se duhet të kenë kujdes të gjithë ata që po tentojnë të luajnë me jetët e shqiptarëve. Në këtë rast, edhe ata që organizuan luftën në një zonë të banuar. Askush prej tyre që nuk pranon të prononcohet me emër ka edhe një arsye më shumë: mëtojnë se u duhet kohë që të mbledhin informacionin e duhur dhe të mos bëhen pjesë e këtij dezinformimi total. Sipas tyre ka një konfuzion sa i përket vetë deklaratave të kësaj UÇK-je dhe toneve të tyre, që kërkojnë hedhjen e qeverisë.“UÇK-së së vërtetë nuk i duhet fare qeveria e Maqedonisë, neve jemi për ndarje dhe mos ekzistencën e saj”, flet njëri syresh që është edhe më i vendosuri ndër ta.
Ndërkohë, ish-luftëtarët e UÇK-së kanë një shpjegim dhe për njerëzit që janë kapur nga forcat maqedone. Sipas tyre, ata janë përdorur në mënyrën më të ulët prej atyre që i kanë organizuar, e mu ata janë përgjegjësit e vërtetë të kësaj katrahure. “E çuditshme për ne është dhe fakti se shumica e këtyre luftëtarëve s’janë kosovarë nga vendet afër Maqedonisë, por janë tutje nga Gjakova. Kjo na bën të dyshojmë për shumë gjëra, pse duhej të vinin nga aq larg”, thotë njëri prej tyre.
Për shqiptarin Sefaj dhe popullsinë e pafajshme
Tema e bisedës prej gjithçka, por mbetet te bashkëvendasi ynë. Ata njohin shumë mirë ish-luftëtarin e UÇK-së, Genci Sefaj, që ka luftuar realisht në Kosovë. Ai, madje, ka qenë në operacionin e famshëm “Shigjeta”, që u zhvillua nga 26 Maji deri më 14 Qershor 1999. Ka qëndruar në Kosovë dhe madje është rekrutuar për të qenë pjesëtar i TMK-së dhe më vonë edhe u punësua në Ferizaj. Nga Shqipëria ka ikur, kur ishte nënoficer dhe ka luftuar dhe në Preshevë. Ka pasur statusin e veteranit, por ka pasur shumë probleme akomodimi dhe kanë qenë miqtë e vet kosovarë, që i kanë mundësuar një shtëpi dhe punë. Por për të flitet se ka bërë dhe burg në Kosovë, ndërsa ka qenë një personazh shumë i njohur nga vullnetarët e UÇK-së.
Duke iu kthyer këtyre luftëtarëve, e dyshimtë mbetet fakti pse zgjodhën një vend të banuar me denduri jetësh të pafajshme. Kjo ka bërë që vetë popullsia e dëmtuar të jetë konfuze dhe e paqartë me të gjithë ngjarjen. Reagimi i tyre ka qenë shumë i ashpër fillimisht edhe me politikanët, por një pjesë mbetet tepër skeptike dhe me vetë UÇK-në. Shkak merret një nga dokumentet e tyre të fundit të lëshuar. Në komunikatën e pestë të tyre shkruhet (E kemi lënë si është transmetuar) se: Ushtria Çlirimtare Kombëtare, e zhvilloi betejën e luftës në Kumanovë , në lagjen e trimave , ajo betejë ishte e pa pritur , ajo na erdhi dhurate nga qytetaret e vet lagjes , ne personalisht kerkojme ndjejsë per dëmet dhe vrasjet , maltertimet , ju kerkojmë falje , por kerkim falje duhet te del te kerkoj edhe disa prej banoreve te lagjes se trimave te cilet i ftuan vet sllavomaqedonasit per te bere masaker , fati ishte me ne. Ne qëndruam për 37 orë përballë forcave te armikut , ju treguam se ne mundemi me ju , i njoftuam se ne perballemi me ju , prandaj lekcioni i Kumanoves ju ka dhene nje mesim gjithe trdhetareve dhe sllavo’maqedonasve .
Ushtria Çlirimtare Kombetare , ishte ajo qe realizoi arenen e luftes dhe askush tjeter , nuk ka pasur as nje antar qe është thirrur cdo here në emer të AKSH-s keta individe qe jane disa u paten zhdukur kur ne filluam pregaditjet , gjithashtu edhe i vetshpalluri Komadant Hamdi Ndrecaj i cili doli hapur qe ju ka bashkuar UÇK edhe ajo është nje skenar i radhes nga rrenat e panumrta te Hamdi Ndrecaj nje manipolator qe qdo her po mundohet te manipoloj”.
E shkruar dobët, duket së më të dobët ka qëllimin, që nuk justifikon të gjithë këtë masakër. Por, që nga ana tjetër tregon dhe nivelin e pjesëmarrjes dhe qëllimin shumë të keq, të atyre që e kanë organizuar të tërën.
E gjitha si ngjarje erdhi edhe pas presionit të madh mediatiko-politik serb për “Shqipërinë e Madhe”, një fakt që edhe shqiptarët me nacionalistë e hedhin poshtë, pasi koncepti i “Shqipërisë së Madhe” lë shumë toka dhe banorë jashtë konceptit nacionalist të Shqipërisë së vërtetë. Dhe, sërish serbët kanë dashur të përfitojnë në këtë turbullsirë për temat e tyre…
Intermexo
Maqedonët kanë pasur si varkë shpëtimi këto ditë dhe informacionin që pretendohet se u ka ardhur nga Agjencia serbe e Sigurisë. Ajo pretendon se e kishte ‘paralajmëruar’ Shkupin për sulmet e mundshme terroriste qysh në prill, por se maqedonët e kishin neglizhuar, edhe pse presidenti maqedon u shpreh ndryshe. Kreu i Agjencisë së Sigurimit Ushtarak, Petar Cvetkoviç tha ditën që mbaroi operacioni në Kumanovë se autoritetet në Maqedoni nuk u besonin paralajmërimeve nga Beogradi dhe gjykonin se ishin të ekzagjeruar. Cvetkoviq vazhdoi dhe më tej se autorët pas sulmit në Kumanovë ishin të vendosur në këtë pjesë të vendit për një kohë të gjatë, sipas BETA-s. Dhe, menjëherë justifikimi serb se qëllimi i tyre i përbashkët ishte për të krijuar “Shqipërinë e Madhe”. Madje, sipas serbëve, koncepti “Shqipëria e Madhe”, gëzon mbështetje të caktuara në Perëndim. Por, Petar Cvetkoviq duke marrë ngarkesë më shumë sqaroi edhe faktin që deklaratat e ndryshme nuk janë dënuar, duke aluduar për thëniet e Kryeministrit të Shqipërisë në lidhje me Bashkimin me Kosovën…
Patetizmi
“I bëjmë me dije qeverisë shqiptare në Tiranë dhe në Prishtinë, larg fjalëve diplomatike të pavlera për këtë situatë , të kthejnë vëmendjen me reagimin pozitiv drejt organizatave ndërkombëtare europiane, për ndaljen e dhunës policore mbi popullsinë civile të pafajshme.
Ne nuk do të mbajmë më përgjegjësi për ata shqiptarë që vazhdojnë të qëndrojnë brenda strukturave policore dhe ushtarake të shtetit maqedon”, ka bërë me dije komunikata e UÇK-së. Ata nuk mund të jenë zëri i vërtetë i UÇK-së, thonë veteranët shqiptarë të UÇK-së, sepse në deklaratë thonë se: do ta rrëzojmë këtë regjim kriminal, për t’i hapur rrugën lirisë dhe dinjitetit kombëtar. “Ne nuk na intereson Gruevski, qeveria e tij apo ai që do të vi pas tij. UÇK-ja e vërtetë është për ndarjen”, thotë një nga njerëzit që nuk do të deklarohet. E megjithatë dyshimi për ish-luftëtarët e UÇK-së arsyetohet edhe në rrafsh teknik: në faktin sepse u luftua në një zonë të populluar dhe pse në fund u dorëzuan!!! Kjo nuk i justifikon këto komunikata, thonë luftëtarët, që premtojnë se herë tjetër do të shprehen shumë më hapur.
…
Pak kohë më parë, në Shqipëri filloi një debat i gjerë për kontributet e shqiptarëve në UÇK dhe u përfolën shumë figura, ashtu si u ngritën shumë të tjera. Në të njëjtën kohë, serbët ngritën një fushatë të tërë përShqipërinë e Madhe dhe sponsorizimin e saj nga Fuqitë Perëndimore! E çuditshme se në këtë vazhdë ndodhi dhe ngjarja e Kumanovës? A nuk duket vallë që një dorë e keqe i organizon të gjitha në kurriz të shqiptarëve, që në mijëvjeçarin e tretë të erës Sonë, janë drejt konsolifimit të ëndrrës së tyre për të jetuar në hapësira demokratike?!