Nga Roland Qafoku
Në qytetin tim të lindjes, Çorovodë, çdo fëmijë i brezit tim, besoj se e kujton mirë një basoreliev në këmbët e një lapidari, me autor një skulptor lokal i cili, i frymëzuar dukshëm nga mjeshtri Odhise Paskali, kishte paraqitur një partizan që i shtypte kokën me qytë një ushtari gjerman të Luftës së Dytë Botërore.
Teksa ngjisja shkallët për në shkollë, më fanepsej çdo mëngjes, pjesa e basorelievit ku dukej gjermani i bërë pis për shkak se, fëmijë dhe të rritur, djem dhe vajza, burra e gra, për të treguar urrejtjen e madhe ndaj “bishës naziste”, vendosnin dhunshëm këmbët në kokën e tij. Lapidari ishte i bardhë dhe basorelievi po ashtu, por pjesa e kokës së gjermanit ishte nxirë, nga shkelmat e njerëzve. Sot, ky monument nuk është më. Bashkë me të është zhdukur edhe prova se çfarë marrëdhënie skandaloze, pa kulturë e pa shije, kemi ne shqiptarët ndaj artit dhe veprave të tij, si të jenë pjesë e një rregulli: Nuk i shijojmë, por i shkatërrojmë! Nuk i trashëgojmë, por i zhdukim!
Lajmi i ditëve të fundit, se është shkatërruar kulla e Prek Calit, – shpallur monument kulture në vitin 1993, – në një formë apo tjetër, është thjesht prishja e radhës së një dëshmie të gjallë të historisë sonë kombëtare, por që ne e urrejmë, e degradojmë e shkatërrojmë fare, për të mos e patur një ditë dhe pasi nuk e kemi, diskutojmë e debatojmë nëse ishte, ku ishte dhe përse ishte.
Që nga themelimi i shtetit shqiptar e deri tani që po mbush 105 vjet, numërohen me dhjetëra e qindra monumente kulture, banesa historike, vepra arti, skulptura e gjithfarësoj, që nuk ekzistojnë më. Janë shkatërruar nga shqiptarë që, natyrisht, nuk kanë qenë qytetarë të mirë. I kanë prishur në kohëra dhe periudha të ndryshme dhe i kanë prishur me një zell më të madh se sa ai me të cilin u ndërtuan. Ata ishin dhe mbeten të denjë për atë që Konica i madh e ngjyente penën në acid, kur shkruante se ne e urrejmë të bukurën.
Krimi i parë i rëndë që ka ndodhur në këto 105 vjet, është prishja e sarajeve të Vlorajve, fiks aty ku u shpall pavarësia dhe ku u themelua vetë shteti. Ne sot, nuk na mungon vetëm proklamata origjinale e shpalljes së Pavarësisë, por edhe ato saraje madhështore, një monument i jashtëzakonshëm kulture ku lindi themeluesi i shtetit shqiptar, Ismail Qemal Vlora, por edhe për faktin se në ato saraje, 42 delegatë hodhën firmën më të rëndësishme për kombin shqiptar. “I prishi Eqrem bej Vlora”, – thotë Hëna Këlcyra,- sepse po ziheshin kushërinjtë për trashëgiminë”, – dhe sot, kur dikur ngriheshin sarajet më të bukura në Shqipëri, ne kemi vetëm një shtizë ku valëvitet flamuri ynë kombëtar dhe asnjë shenjë tjetër e asaj madhështie.
Krimet e këtij lloji në Shqipëri, vijuan më vonë me shkatërrimin e monumentit të Ludowijk Tomson-it në Durrës, i ndërtuar për nder të kolonelit holandez që u vra në tokën tonë, për ndërtimin e institucioneve të shtetit shqiptar. Si mund ta linte në këmbë, sistemi komunist kolonelin që në libra e quante kolonizator, dhe Haxhi Qamilin – kryetarin e një lëvizjeje të drejtë fshatare? E shkatërruan përmendoren e Tomsonit, duke e vrarë për herë të dytë.
Më pas, u shkatërrua monumenti i Hasan Riza Pashës në Shkodër, heroit të parë që ra pas themelimit të shtetit shqiptar, por kjo nuk i ndihmoi ata që ia shkatërruan monumentin, derisa u rindërtua dhe rikonstruktua, vetëm disa vite më parë.
Më pas, u shkatërruan sarajet e Vrionsave në Berat, e bashkë me të edhe varri monumental i Iljaz Vrionit, – kryeministrit të 5-të të shtetit shqiptar dhe pinjoll i një prej familjeve që kanë bërë emër dhe i kanë dhënë këtij shteti. Histeria kolektive shkoi deri atje, sa një pjesë të eshtrave ua shpërndanë qenve të rrugës dhe një pjesë i hodhën në Osum.
Më pas u shkatërrua në Tiranë, monumenti i gjeneralit italian, Enrico Telinit, i cili u vra në një pusi në gusht të vitit 1923, si kryetar i komisionit të kufijve mes Shqipërisë dhe Greqisë. Monumenti i tij, vepër e Odhise Paskalit, u shkatërrua pas Luftës së Dytë Botërore. Në të njëjtin piedestal u ndërtua busti i Qemal Stafës i cili, edhe vetë, më vonë u zhvendos.
Më pas u shkatërrua monumenti i Giusseppe Chesti-t në Shkodër një italiani që projektoi dhe ndërtoi shumë vepra të rëndësishme, por edhe kjo nuk i ndihmoi ata që ia shkatërruan përmendoren dhe ne sot e kemi vetëm të fiksuar në celuloid, nga mjeshtri Marubi.
U shkatërrua, duke u hedhur në erë me dinamit, varri mauzoleum i Nënës Mbretëreshë, – Sadije Toptani Zogu, – dhe e familjes mbretërore, me një barbari kriminale që nuk gjen të dytë.
U shkatërruan sa e sa kisha e xhami, duke i hedhur po në erë, menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, sepse për komunistët feja ishte opium për popullin.
U shkatërrua godina e bashkisë së Tiranës, në qendër të kryeqytetit, krimi më i rëndë urbanistik që ka ndodhur ndonjëherë në historinë e shtetit shqiptar, për ta zëvendësuar me një vepër socialiste e cila s’ka lidhje fare me projektin urbanistik të mjeshtrave italianë që projektuan sheshin qendror.
U hoq nga vendi ku ishte instaluar, u dëmtua dhe u zhvendos, monumenti i pesë heronjve të Vigut në Shkodër. Gjithçka u krye natën, fshehtas, me arsyetimin se çlidhje kishte Shkodra me ta, – në fakt, tre prej të cilëve ishin nga ai qytet, por u vranë në Mirditë.
U shkatërrua në vitin 2005, mbikalimi i Zogut të Zi, si një vepër që sipas atyre që dhanë urdhrin, ishte ndërtuar keq, – për të ishin investuar 2 miliardë lekë.
Të gjitha të shkatërruara. Në pamje të parë janë kryer nën një emër ideologjik dhe të bindjeve e erës politike që frynte në momentin e shkatërrimit. Por po ta shikosh thellë-thellë, në fakt, më shumë se kjo tregon për një urrejtje ndaj kundërshtarit që ka bërë një vepër dhe, më shumë se kaq akoma, një urrejtje ndaj të bukurës.
Më shumë se kaq, gjithë kjo panoramë shkatërrimesh në 105 vjet shtet, tregon se ne shqiptarët, me sa vështirësi ndërtojmë, por dhe me sa lehtësi prishim e shkatërrojmë. Personalisht, për rastin e kullës së Prek Calit, nuk e marr si një veprim me prapavijën komuniste ndaj një simboli antikomunist. Nuk e besoj kurrë, që kryeministri Rama të ketë urdhëruar prishjen dhe shkatërrimin e asaj kulle, sepse kjo do ishte në kufijtë e të pabesueshmes. Unë e marr si një kulturë të ulët të shoqërisë sonë, sipas të cilës, kush vjen në pushtet qendror apo lokal, e ka të lehtë të prishë veprën dhe punën e tjetrit, për të ndërtuar të vetën, duke treguar triumf ndaj rivalit dhe kundërshtarit.
Nëse koloseu do të ishte ndërtuar në tokën tonë, unë nuk e di nëse do të ishte ende në këmbë. Por unë di që amfiteatri i mrekullueshëm romak i Durrësit, është i rrethuar nga shtëpi të ndërtuar nga njerëz që si të ishin barbarë, e kanë shkatërruar një nga mrekullitë që mban toka jonë e lashtë. Prandaj shkatërrimin e kullës së Prek Calit, mos ta kërkojmë si të jetë e padukshme dhe vepër e një personi të vetëm, por tek të gjithë ne. Ne shkatërrojmë, e kemi më të lehtë për ta bërë këtë; është në natyrën tonë. Ne nuk ndërtojmë, ose ndërtojmë shumë pak, sepse më shumë e kemi mendjen te shkatërrimi se sa ndërtimi. Është në mendjen tonë, mendje për të prishur gjithçkaNatyrisht, këtu nuk mund të bënte përjashtim as kulla e Prek Calit./ Ky artikull është shkruar për gazetën “Albanian Free Press”