Zëvendësministri i Jashtëm për Europën dhe Amerikën i Iranit, Majid Takht Ravanchi, flet ne nje interviste per “Albanian Daily News“, mbi dëshirën për të zhvilluar marrëdhëniet me Shqipërinë.
Ai komenton edhe strehimin e muxhahedinëve në Shqipëri.
–Si një vend i fuqishëm ekonomik, Irani vazhdimisht ka treguar interes në zhvillimin e marrëdhënieve me Ballkanin Perëndimor. Si do t’i vlerësonit marrëdhëniet e Teheranit më këta vende të këtij rajoni?
Ky është një rajon i rëndësishëm në Europë. Qëndrimi ynë i përgjithshëm ndaj Europës zbatohet natyrisht edhe ndaj rajonit të Ballkanit, sepse ai është pjesë e Europës. Ne duam të kemi marrëdhëniet më të mira të mundshme me këtë rajon dhe dëshirojmë të kemi bashkëpunim shumë të mirë ekonomik. Një çështje që është e rëndësishme janë lidhjet tradicionale, historike, kulturore dhe me disa edhe fetare. Kjo është një mjet tjetër në duart e Iranit dhe Ballkanit për t’u afruar më tepër me njëri-tjetrin. Kështu, Ballkani është një rajon i veçantë për Iranin dhe mendoj se vendet ballkanike kanë pak a shumë të njëjtat ndjenja ndaj Iranit. Ne kemi ambasada në pothuajse të gjithë vendet e rajonit, të cilat janë aktive dhe shumë prej këtyre vendeve kanë ambasadat e tyre në Teheran. Pra kemi bashkëpunim, kemi kontakte ditore me vëllezërit dhe motrat e Ballkanit. Siguria në Ballkan është e rëndësishme për ne dhe nisur nga pikëpamja e sigurisë, ne besojmë se të gjitha çështjet në rajon mund të zgjidhen nëpërmjet dialogut dhe mirëkuptimit. Ne shpresojmë se Ballkani është një rajon i rëndësishëm për sigurinë dhe stabilitetin e Europës si dhe për sigurinë dhe stabilitetin në zonë. Prandaj ne u kushtojmë rëndësi të madhe marrëdhënieve me vendet ballkanike, me vende të veçanta në rajon, duke shpresuar se të dyja palët do të përfitojnë prej forcimit të marrëdhënieve midis dy palëve.
Në vijim të kësaj ka pasur disa zhvillime të reja pozitive të marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Iranit, veçanërisht pas vizitës së ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati në Teheran në muajin janar të këtij viti. Çfarë mund të na thoni për perspektivën e zhvillimit të lidhjeve të dyanshme dhe a priten shkëmbime të tjera vizitash të zyrtarëve të lartë për të konkretizuar këtë bashkëpunim?
Patjetër, Shqipëria është një vend i rëndësishëm në Europë dhe është një vend i rëndësishëm për Iranin. Sikurse e thashë, lidhjet kulturore dhe fetare midis Iranit dhe rajonit, veçanërisht me Shqipërinë, janë asete të rëndësishme për të dyja vendet. Ne besojmë se ka shumë mundësi për bashkëpunim të mëtejshëm midis dy vendeve. Ju iu referuat vizitës së suksesshme të ministrit tuaj të Jashtëm dhe unë kam qenë në takimin e Z. Bushati me presidentin Rouhani. Presidenti ynë ishte shumë i qartë në mbështetje të marrëdhënieve më të mira ndërmjet Iranit dhe Shqipërisë. Dhe në fakt, ai u referohej gjërave tepër të përbashkëta midis dy kombeve. Sa i përket vullnetit politik nga ana e Iranit, ne kemi vullnet të plotë politik dhe jam i sigurt se nga komentet dhe qëndrimet që kemi dëgjuar prej ministrit tuaj të Jashtëm dhe autoriteteve të tjera, ju keni të njëjtin vullnet politik. Kjo na jep ne mjetin e nevojshëm për të forcuar lidhjet politike, por veçanërisht ekonomike, sepse ne besojmë se ka shumë gjëra që të dyja vendet mund të arrijnë në fushën ekonomike. Jo vetëm tregti tradicionale, nënkuptoj import dhe eksport midis dy palëve, por ne mund të angazhohemi në projekte të mëdha, projekte zhvillimi. Kështu që para nesh ekzistojnë shumë gjëra dhe ne shpresojmë se mund të arrijmë gjëra të mëdha me kalimin e kohës. Sa i përket shkëmbimit të vizitave, patjetër ministri ynë i Jashtëm do të ishte i entuziazmuar për të kthyer vizitën që bëri në Teheran ministri juaj i Jashtëm, duke vizituar Shqipërinë në kohën e përshtatshme. Ne tashmë kemi rënë dakord për konsultime të rregullta politike në nivel ministrish të Jashtëm dhe kjo është një gjë tjetër e mirë, e cila na jep mundësinë për të bërë analiza të çështjeve të ndryshme, shkëmbim pikëpamjesh për probleme të ndryshme. Ne mendojmë se jemi në një terren të fortë dhe rrugë të drejtë për forcimin e marrëdhënieve të dyanshme reciproke dhe sigurisht mbi çështje rajonale dhe ndërkombëtare.
Ndërkohë, Shqipëria u ka dhënë strehë disa qindra kundërshtarëve të qeverisë suaj. A jeni të shqetësuar nga kjo, si dhe nga pjesëmarrja e disa figurave politike shqiptare në veprimtaritë e MEK, më e fundit e zhvilluar në Paris në qershor të këtij viti?
Së pari, më lejoni të them se terrorizmi nuk duhet të tolerohet nga asnjë vend. Terrorizmi është kërcënim, është një rrezik jo vetëm për një apo dy vende. Ai është kërcënim për të gjithë komunitetin ndërkombëtar. Ky fakt duhet kuptuar nga të gjithë. Së dyti, ne nuk njohim terroristë të mirë apo të këqij. Të gjithë terroristët janë të rrezikshëm, sepse ata nuk duan të shikojnë t’u ndodhin gjëra të mira njerëzve. Dallimi midis një terroristi të mirë apo të keq, mendoj se të keqdrejton përfundimisht. Nuk duhet të pranojmë ndonjë nocion që do të kategorizonte një terrorist të mirë kundrejt një terroristi të keq, organizatave të mira terroriste kundrejt organizatave te këqija terroriste. Organizata të cilës i referoheni ka qenë përgjegjëse për vrasjen e më shumë se 17.000 iranianëve të pafajshëm. Ky fakt duhet mbajtur mirë në mend. Asgjë nuk mund ta fshehë këtë fakt. Kështu që, kushdo që merret me këta njerëz, duhet të njohin faktin se ata kanë kryer kaq shumë krime dhe se urrehen nga iranianët. Kjo është diçka që duhet mbajtur mend nga të gjithë ata njerëz që janë në kontakt me këtë grup./a.m.










