Gjatë një vizite zyrtare në Athinë, ministrja e Jashtme, Elisa Spiropali, kërkoi heqjen e ligjit të luftës nga Greqia. Ajo shprehu gjithashtu vullnetin e qeverisë shqiptare për të zgjidhur me mirëkuptim çështjen e kufirit detar mes dy vendeve.
Gledis Gjipali, nga Lëvizja Europiane në Shqipëri, në një lidhje të drejtpërdrejtë në edicionin qendror të lajmeve në televizionin kombëtar Vizion Plus, me moderator Aleksandër Furxhi, u shpreh se çështja e kufirit detar mes dy vendeve mund të ndikojë në procesin e integrimit të Shqipërisë, duke nënvizuar se ajo mund të shndërrohet në pengesë në momente të rëndësishme, kur kërkohet një shumicë absolute.
Gjipali theksoi se është e rëndësishme të ketë vazhdimësi në kërkesat që i bëhen Greqisë, për të treguar se Shqipëria nuk është tërhequr nga qëndrimi i saj për heqjen e ligjit të luftës.
Sa i përket deklaratave të Komisioneres për Zgjerimin, Marta Kos, e cila ditën e sotme përsëriti vlerësimet pozitive për Shqipërinë, Gjipali i cilësoi ato si shumë të rëndësishme, duke theksuar se qëndrimi i Komisionit Europian konfirmon se vendi është në rrugën e duhur dhe po ecën me ritëm të mirë drejt synimit për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian.
INTERVISTA E PLOTË:
Shqipëria, përmes ministres së Jashtme, Spiropali ka kërkuar për të shumtën herë në këto 30 vite abrogimin e ligjit të luftës me Greqinë, ligj që e dimë se është në fuqi prej 85 vitesh, që nga viti 1940. A ka ndonjë rrethanë të re ose të veçantë që të na bëjë të besojmë se kjo nuk është kërkesa rutinë e radhës nga ana e Shqipërisë?
Gjipali: Nuk besoj se ka ndonjë zhvillim të ri, por mendoj që është e rëndësishme edhe të qenit rutinë në të tilla deklarata, sepse tregon një vazhdueshmëri të qëndrimit të Shqipërisë që ky ligj i luftës nuk ka sens midis dy vendeve anëtare të NATO-s, dhe nesër pasnesër, anëtare të Bashkimit Europian. Është e rëndësishme që të ketë vazhdimësi në kërkesat që i bëhen Greqisë, për të treguar që Shqipëria nuk është tërhequr nga qëndrimi i saj për të hequr ligjin e luftës. Kjo do të jetë çështje që do të jetë në vazhdimësi në tryezën e bisedimeve midis Shqipërisë dhe Greqisë.
Ndërkohë, Greqia prej disa kohësh e ka ulur ndjeshëm, thuajse në zero, nivelin e pretendimeve ndaj Shqipërisë, siç ka qenë më parë çështja e trajtimit të pakicës greke në Shqipëri e të tjera. Apo edhe Greqia është shprehur, në fakt, në mbështetje të fortë të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Ndërkohë, ka mbetur pezull çështja e përkufizimit të kufirit detar mes dy vendeve, një kartë, në fakt, që mund të luhet në çdo moment nga secila prej palëve, apo jo?
Gjipali: Po, është një çështje e cila ngelet pezull, do të thosha, për faktin që deri në momentin e anëtarësimit, Shqipërisë mund t’i kthehen këto çështje, mund t’i bëhen pengesë në momente të rëndësishme ku kërkohet një shumicë absolute. Pra, çdo vend mund të vendosë veto dhe të bllokojë procesin. Prandaj është shumë e rëndësishme që të kemi një dialog të vazhdueshëm dhe marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjët, por veçanërisht me Greqinë, duke ditur që kemi pasur para pak kohësh, pra rreth një viti e më pak, vetëm në atë moment, zhbllokimin nga vetoja greke, e cila vonoi me rreth dy vite procesin e integrimit të Shqipërisë.
Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, sot përsëriti lëvdatat ndaj Shqipërisë për ritmin e hapjes së grupkapitujve të negociatave. Madje ajo tha: “Kjo është një provë e fortë që qeveria po bën më të mirën për popullin e saj, qeveria e Shqipërisë “ dhe fjalë të tjera po kaq të mira. Ndërkohë, e dimë që opozita në Shqipëri ka një tablo krejt të kundërt për qeverinë dhe për çfarë po ndodh me demokracinë në vend. A përbën një problem kjo vendosje përballë e këtyre dy tablove që janë krejt të kundërta, apo ka edhe vende të tjera që kanë kaluar në këtë proces, apo episode të tilla të ngjashme, dhe kjo mund të mos përbëjë ndonjë risi?
Gjipali: Nuk përbën risi, për faktin që politika e brendshme shpesh nuk përputhet me politikën e jashtme dhe me qëndrimet që mbahen në Bruksel apo në vende të tjera. Patjetër që në të ardhmen mund të ndikojë negativisht, për faktin që një sërë reformash të rëndësishme duhet të merren në Shqipëri, dhe duhet të ketë një konsensus politik. Siç ka për procesin e anëtarësimit, kjo duhet të shprehet edhe me reforma që ndërmerren në kuadër të këtij procesi. Pra, nuk mund të ketë dy qëndrime të ndryshme. Gjithsesi, mendoj se i rëndësishëm është qëndrimi i Komisionit Europian, i cili mbështetet edhe nga vendet anëtare, që Shqipëria është në rrugën e duhur dhe po ecën mirë drejt synimeve të saj për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian. Reformat që po ndërmerren pikërisht sjellin këtë zhvillim pozitiv, jo vetëm në procesin, në vlerësimin teknik, por edhe në imazhin e Shqipërisë kundrejt partnerëve tanë ndërkombëtarë, i cili mos harrojmë, është shumë i rëndësishëm. Sepse në shumë vende vendos edhe opinioni publik, nëse një vend duhet të anëtarësohet në Bashkimin Europian apo jo, dhe elita politike e këtyre vendeve sigurisht që dëgjon opinionin, dëgjon votuesit e tyre.


