Të gjithë mësuesit, drejtuesit e shkollave, punonjësit arsimorë, psikologë e punonjës socialë nën moshën 55 vjeç, pas vitit 2016, duhet të kenë përfunduar arsimin e lartë e të gëzojnë licencën e ushtrimit të profesionit.
Ministria e Arsimit do të nisë një skemë të re kualifikimi, e cila parashikon që këto kategori të trajnohen dhe kualifikohen tërë kohën. Nëse mësuesit nuk e kalojnë provimin e kualifikimit shpallen zyrtarisht të paaftë si mësimdhënës, ashtu siç parashikohet në strategjinë e arsimit 2014-2020.
Skema nis aplikimin që nga drejtuesit e shkollave, të cilët do ta fitojnë e mbajnë postin nëpërmjet një licence të përkohshme që do t’a sigurojnë nga Ministria e Arsimit.
“Sigurimi i licencës dhe rifitimi i saj në përfundim të afatit të caktuar arrihet përmes një procesi trajnues, pa shkëputje nga puna, përmes moduleve që ofrojnë njohuri dhe kompentenca profesionale në funksion të udhëheqjes së shkollës. Licenca fitohet pas vlerësimit të paketës profesionale të aspiruesit për drejtues dhe të marrjes së provimit përfundimtar”, nënvizohet në relacionin e strategjisë së arsimit. E njëjta gjë vlen edhe për mësuesit, licenca e të cilit është parakusht për të zënë një vend pune. Kualifikimi i punonjësve arsimorë do të jetësohet në funksion të plotësimit të nevojave, interesave dhe cilësisë së formimit të nxënësve”, thuhet në relacion.
Në raport u kushtohet një vëmendje e veçantë, përgatitjes së mësuesve të rinj, që për Ministrinë e Arsimit mbetet një sfidë më vete.
“Programet bachelor për mësuesi i ndjekin studentët që nuk kanë shumë zgjedhje. Këtë e tregon numri i pikëve që të lejon të regjistrohesh në fakultet. E njëjta gjë me programet e masterit të mësuesisë që përgatit mësues për shkollën e mesme. Numri i kuotave është gjithnjë më i lartë sësa ai i kërkesave duke i dhënë mundësi të regjistrohet kujtdo që ka mbaruar nivelin bachelor”.