Nga
Phd. Luljeta Bora (Bejleri)*
Teodor Keko është një dukuri letrare dalluese në letrat shqipe. Tematika, gjuha zhargonore, humori i zi dhe sidomos vëmendja e veçantë ndaj personazheve margjinalë e përcakojnë letërsinë e këtij shkrimtari një model shkrimor të tjetërsojshëm, të pahasur tek shkrimtarë të tjerë shqiptarë që shkruajtën në kohën e autorit. Megjithatë qëllimi i kësaj pune do të ngushtohet në purgatorin artistik që ky shkrimtar krijoi për figurën e prostitutës, një nga personazhet e dashur të tij. Ekziston një lloj përafrie në këtë trajtim, mes tij dhe Migjenit( 1911-1938). Janë dy shkrimtarë, dy letërsi të mbyllura tashmë me vdekjen e autorëve, të largëta në kohë jete, por të afërta estetikisht dhe me pika prekje për argumentin që do të trajtojmë. Kështu:
- Pavarësisht teknikave të veçanta të qëmtimit, dallimit, shënjimit të përveçuar të letrares tek kjo figurë margjinale e morisë të së padukshmëve, pavarësisht prej diferencave që burojnë prej parapëlqimit për cakun e tyre në shoqërinë shqiptare, skicimi deri në gdhendje, atmosfera dhe përzgjedhja e çasteve më të spikatura nga jeta e tyre kanë mjaft pika prerje.
- Të dy autorët janë mjaft të ngjashëm për magjinë letrare me të cilën zhbirojnë shpirtin njerëzor. Gdhendjet e figurës së prostitutës, janë trajta të përafërta dhe të ndryshme në ravijëzimin e femrës në vuajtje ekzistenciale.
- Misioni origjinal i prozave që trajtojnë në bosht figurën e prostitutës, edhe pse i ndan kaq kohë është mbrojtja e femrës së gjykuar. Veç shtratit të përbashkët të lëvrimit të temës së prostitucionit thellohen në raportin e kësaj figure jo vetëm me shoqërinë, por edhe me figurën mashkullore.
- Të dy këta autorë u shfaqën para lexuesit me kandilin shpëtimtar të përsosjes shpirtërore. Ata ngritën dorën kundër rrebeshit të gjykimit njerëzor mbi këto krijesa që kontrastojnë me shabllonin. Atmosfera e veçantë që ata krijuan rreth kësaj figure, i bën ata të papërsëritshëm.
- Trishtimi i Migjenit është deklarativ, ai i Kekos është intim. Ai përpiqet gjithmonë të fshihet pas batutave gjoja optimiste të personazhit, por bilanci i asaj që mbetet është: shumë dhimbje.
- Keko përpiqet të gjejë tek kjo figurë estetikën e pozitives, të bukurën e çastit dhe idealin e shpresës për ditë të bardha. Kështu duhet kuptuar tisi hyjnor, emrat e shenjtorëve që iu vë dhe purgatori artistik që ai ngre për t’ju dhënë mundësinë të pastrohen.
- Të dy përkojnë në frymën e revoltës dhe në ndjesinë e dashurisë për jetën që tejçojnë. Ata na kujtojnë se pa këtë krijesë (pa Gruan) jeta do të tretej menjëherë dhe në këtë prizëm mjerimi, shkatërrimi, përbuzja që shoqëron jetën e tyre nuk është i merituar asnjëherë. Edhe kur zgjedhja është e tyre, Keko dhe Migjeni na përligjin ekzistencën e tyre në morinë e gjallimit njerëzor.
- Të dy këta autorë shprishin qëllimshëm kodet kanunore shqiptare dhe afirmojnë një kod të ri, më të fortin, kodin e kodeve, që përkon kaq shumë me mëshirën kristiane; atë të pranimit pa kushte të krijesës së mrekullueshme, të njeriut me gjithë të metat e tij.
Fjalë kyçe: personazh, figurë bosht, figurë e gjykuar, estetikë e pozitives.
“Amor che muove il cielo è l’altre stelle”- Dante Alighieri
Vepra e shkrimtarit Teodor Keko është një dukuri letrare dalluese në letrat shqipe dhe medojmë se tematika, gjuha zhargonore dhe shpjegimi në dukje informativ për personazhet në hyrje të prozave (pjesë e përcaktuar nga studiuesit si “shumë fakt e pak trill”) humori i zi i situatave, dhe sidomos vëmendja e veçantë ndaj personazheve margjinalë përbëjnë disa nga pikat e origjinalitetit të prozës së tij.
E megjithatë qëllimi i kësaj pune nuk ka të bëjë me shqyrtimin e të gjitha pikave të renditura më lartë, por ai ngushtohet me trajtimin e veçantë që i bën ky autor figurës së prostitutës, e cila mund të cilësohet si një nga personazhet e parapëlqyera të tij.
Por kujtesa na thotë se edhe Migjenit i ka ngjallur interes të veçantë ky personazh dhe është e çuditshme një lloj përafrie mes trajtimit të kësaj figure tek të dy shkrimtarët, pavarësisht dallesave. Këto dy letërsi, të mbyllura tashmë me vdekjen e autorëve, të largëta në kohë jete, në këtë pikë mbeten pothuaj tek i njëjti këndvështrim.
Për hir të argumentit që do të trajtojmë mendojmë të themi dy fjalë për autorët. Krijues të letërsive me nota të thella të tragjizmit, të dy prozatorët kanalizohen tek realizmi i thellë; Migjeni (1911-1938), përcaktohet realist kritik, egzistencialist, ndërsa tek Teodor Keko (1958-2002) realizmi kritik i fillesave të krijimtarisë, mer më pas tipare të plota të verizmit.
Por Migjeni është mjaft i studiuar dhe i vlerësuar në kritikën shqipe, ndërkohë që për Teodor Kekon, si më pak i studiuar ka shumë për të thënë.
Ashtu sikurse Migjeni, arti i T. Kekos ka së pari prirje realiste. Ai shquhet për një pasqyrim me besnikëri të realitetit shqiptar të viteve ’80-’90, dy sisteme, dy botë të ndryshme, njerëz të vuajtur në nevojë, mllef pakënaqësishë… Ashtu sikurse Migjeni, T. Keko thellohet në analiza psikologjike në personazhet e tij dhe jo vetëm tek personazhet, por edhe tek dukuritë shoqërore të realitetit shqiptar. Në prozat e shkurtra të T. Kekos si: “Lumturi me vel të zi”, “Lajmëtarja e vdekjeve”, “E huaj”, etj, ka mjaft analiza sociale aq sa, arti i tij kthehet në një termometër shoqëror duke mos lënë më asnjë dyshim për përkatësinë e tij në vijën e realizmit psikologjik.
Ashtu sikurse tek Migjeni, arti i këtij autori (T. Kekos), veç një përpjekje për të marrë lëndë nga realiteti, priret drejt një realiteti të thjeshtëzuar, mes një përshkrimi të hollë, gati të imtësishëm, shkencor të botës, psikologjisë e mendësisë, të kulturës specifike të shqiptarit të periudhës kohore ’80-’90, e cila do të përkonte me shpjegimin e qenies njerëzore në një unitet tresh: racë, mjedis, moment, që do ta gjenim tek natyralistët e shek XIX ( Flober, Dikens). Tek asnjëri nga autorët e sipërpërmendur nuk gjejmë asgjë nga kundërvënia hero pozitiv-hero negativ, apo prirja moralizuese të Dikensit.
Arti i natyralistëve parapëlqen paraqitjen e riprodhimin objektiv të jetës duke ndjekur parimin e mosndërhyrjes së vëzhguesit në objektet e vëzhgimit artistik. Gjithashtu parapëlqen paraqitjen e karaktereve jo tipikë, të parëndësishëm, në gjendje të çastit, skena të rastit, të mbushura me shprehje banale zhargonore dhe kjo vërehet tek të dy këta autorë. Personazhet e prozës së Kekos janë njerëz të zakonshëm në nevojë; njerëz kafeneshë, trotuaresh, të papunë, individë me vese e të pagdhendur, pijanecë, shkurt, një shumësi nga ata të cilët kanë qenë për një kohë të gjatë (që nga koha e Migjenit), njerëz që mund të haseshin rrallë në pozicion të dorës së dytë, por kurrsesi pozicion kryesor në art. Në këtë tipar prozat e Kekos e thellojnë natyralizmin drejt verizmit. Verizmi italian (shek XIX) vjen si degëzim i natyralizmit, por që ka edhe elemente të realizmit kritik. Përfaqësues të tij, Vegra e Kapuana, u përpoqën ta pikturojnë realitetin me tërë anët e tij të shëmtuara e banale. Parimi i tyre ishte: arti duhet të ketë forcën e të qenit të tillë. Ai duhet të sjellë dokumente njerëzore, por nuk mjafton që ngjarja të dokumentohet, të jetë reale. “Ajo duhet treguar në mënyrë të tillë që lexuesit të mos i krijohet përshtypja se e sheh ngjarjen mes “lentes së shkrimtarit”, ai duhet të fshihet, pra të mos shfaqet në atë që tregon në mënyrë subjektive”. Ashtu sikurse veristët, Keko, jep pamje të një realiteti të shpërfillur, të harruar, të përbuzur, të lënë mënjanë nga sfera politike, dhe qëmton si një shkencëtar shkaqet që sjellin dukuri të shëmtuara, apo veçori të fateve të personazheve të veçuar e pothuaj gjithmonë të pakënaqur.
Karakteristika të tilla si personazhet periferikë në dilema e vuajtje ekzistenciale, hasim rëndom edhe tek Migjeni, madje ata janë të preferuarit e tij, veçse Migjeni i largohet thjeshtligjërimit dhe vulgarizmave, pjesë e poetikës veriste e shfrytëzuar aq mjeshtërisht e aq gjërë nga T. Keko. Për T. Kekon, thjeshtligjërimi, nuk nënkupton thjesht banalitetin e lëndës së rrugës, sepse në këtë ligjërim ka art në gjetjen e fjalës së duhur në dhënien e nuancës kuptimore dhe ky ligjërim i shkon për shtat vërtetësisë së personazhit. Fate tragjikë kalojnë para syve të lexuesve të prozave të dy autorëve në fjalë. Por, le t’i kthehemi argumentit kryesor që do të tajtojmë.
Letërsisë fataliste që shkruajtën këta autorë, Migjeni dhe T. Keko, dhe interesit të veçantë për të ashtëquajturit “njerëzit e vegjël”, të rëndomtët, të padukshmit, periferikët, nuk kish si t’i shpëtonte figura e gruas problematike.
Në vitet ’30, kur Migjeni shkroi prozën “Historia e njenës nga ato”, të bëje pjesë të letërsisë figurën e së përdalmes, ishte një dukuri në kufijtë e skandalit. Por jo me më pak çudi u pa trajtimi i lakuriqtë me një gjuhë zhargonore (karakteristikë e artit verist) që i bën jo aq fenomenit të prostitcionit, se sa fatit të nëpërkëmbur shkrimtari Teodor Keko. Figura e gruas së njollosur del tek-tuk si me drojtje në fillesat e krijimtarisë në prozë të këtij autori, për t’u bërë më pas bosht i rrëfimit dhe shqetësimit artistik kur ai i vendos njërës nga veprat me tregime e novela titullin “Prostituta”.
Njihet tashmë adhurimi i femrës prej Migjenit. Sipas kritikut Mensur Raifi në studimin e tij Alternativat e Nolit dhe Migjenit, Migjeni vetmitar, dëshmitar i vdekjeve të njëpasnjëshme në familje, i rritur e i rrethuar gjithë jetën nga figura femërore, ka një respekt të veçantë deri në kult për femrën dhe priret ta justifikojë femrën-personazh në gjithë veprimet e saj, pse shoqnia, drejt ose zhdrejt e detyroi.
E sheh si fatkeqe në vuajtet e saj, ku sensualiteti përzihet me poshtërimin. Imazhi që Migjeni krijon, është ai i të pa pranueshmes. Por, për autorin, edhe kur ajo shkel kurorën, edhe kur bën prostititutën nga e keqja, edhe kur mendjeletshëm i dorëzohet epshit mashkullor, edhe kur e përzgjedh naivisht si zanat pa i shkuar aspak ndërmend se çfarë e pret nga një gjykim publik i egër, është e justifikuar. Gjithmonë ajo është e justifikuar.
Për kritikun Arshi Pipa, Migjeni (…) i këndoi lavirat si martire të njerëzis, si simbole ku ndyhet një pjesë e madhe e mjerimit shoqnuer, por diku tek proza e shkurtër “Historia e njenës nga ato” Migjeni thotë se ajo premton një melodi harmonie, duke na kujtuar frymën erotike dhe harresën e ëmbël që blen burri tek prostituta.
Pikërisht këtu ku ndalon Migjeni, vazhdon T. Keko. Ai e ndriçon figurën e problematikes në një anë të re, të panjohur për lexuesin shqiptar. Brenda saj qëndron gruaja, feminiliteti i pazhbëshëm dhe shpirti që edhe pse ka lënguar mjaft, në honin e thellë, ka mundur të ruajë vlera. Një përshkrim i tillë del jashtë të pritshmes së lexuesit.
Nëse Migjeni ironizon shoqërinë, duke pyetur mohoni se e njihni Luken? Me preteks se jeni të ndershëm…, Keko e tejkalon këtë qëndrim. Ai minimizon negativitetin për këtë shtresë të injoruar të shoqërisë duke mos i dhënë aq rëndësi gjykimit të cekët, por zhbirimit në feminilitetin dhe thesarit të shpirtit. Kjo tip gruaje, është një botë që duhet zbuluar patjetër. Keko nuk ka ndërmend të diskutojë, apo të gjejë tek prostituta bajaten e jetës. Keko gjen tek figura e saj filozofinë e së mirës, estetikën pozitive të së bukurës dhe përgjithësisht për të realizuar catchat-in e tij (dukuria artistike e të gjeturit e të bukurës tek e shëmtuara), e vendos pranë figurës së prostitutës, të bukurën e llustruar, femrën e mbuluar me imazhin e familjes, të përkorën që ka ngritur velat vetëm mbi lakminë, të cilës shpesh as nuk i vë një emër.
Migjeni, i cili mund të mendohet një reminishencë e T. Kekos në trajtimin e kësaj figure, ngulmon në mjerimin e saj që të çmend. Ai nuk mundet ta shohë atë veçse mes destinit tragjik. Fjala e tij edhe kur filozofon, pasqyron një logjikë të ftohtë, të përpiktë, e cila nuk lë vend për dyshime. Fjala e tij pikon dhimbje, fjala e tij çjerr ndjesitë e lexuesit. Nuk ka shpresë për figurën e femrës së rrugës për Migjenin.
Nga ana e tij Keko ka prirjen të rreshtojë në parashtrimet e prozave fakte, një shumësi marramendëse detajesh tragjikë që të lënë pa frymë. Dhe pas tyre ajo e cila s’kupton dot deri në fund se ç’ndodhi, tashmë e rrokullisur nga fati në rrugë, shumë e re, perri e bukur, e pambrojtur, e pafajshme, shpesh e brishtë si një flutur nate, pa asnjë rrugëdalje, e detyruar të bindet. Ajo është qendra e dhimbjes dhe sensualitetit. Mund të thuhet se trajtimi i kësaj figure ka një karakter të theksuar romantik, vetëm kështu mund të shpjegohet magjia që rrezatojnë pjesa më e madhe e tyre.
- Keko e ledhaton me mëshirë dhimbjen e problematikes. “Si rastësisht”( në çdo prozë), i kushton vëmendje detajit të syve të saj; ata janë gjithmonë të trishtuar, të përhumbur. Ajo reklamon turpin, ndërkohë që harxhon heshturazi, virtytin. Protagonistja si një engjëll e tregimit “Prostituta”, e rritur e varfër e pa dashuri, përfundon me emërtimin e tmerrshëm k… Ka dhuruar ndjenja të pastra, ka dashuruar dhe ka besuar, s’ka bërë asgjë që të pendohet në jetë, është më besnike se kukullat e familjes, ndryn në vete kaq mirësi e virtyte, s’do të donte gjë tjetër veçse mirëkuptim njerëzor, por nuk mundet ta ketë atë.
Edhe një kokërr leku s’kapëm, edhe çkishim na i rrubatën , edhe emri prostitutë na ngeli…
Mes këtyre figurave T. Keko lind tek lexuesi mosbesimin në moralin shoqëror dhe e bën të ndërgjegjshëm për relativitetin e vlershmërisë të tij. E shëmtuara e bukur dhe e bukura e shëmtuar. Pohimi-mohimi pranëvihen për të nxjerë gjykime të vështira logjike se çfarë është e mirë dhe çfarë jo. Pikërisht këto kalime ekstreme logjike, arrijnë t’i vënë pikëpyetje konceptit Virtyt dhe t’i japin hapësirë kalimit lehtësisht në dukuri që përjashtojnë njëra-tjetrën. E gabuar që duket e drejtë, e drejtë që është e gabuar. Ndodh kështu përputhja e skajeve, “e keqja” bëhet “e mirë”. Paragjykimet shabllone tradicionale me të cilat jemi mësuar të funksionojmë bëhen pluhur. Për Kekon llustra që shoqëria i vë vetes është e neveritshme dhe ky është morali i një serie të prozave të tij. Një nga personazhet e tij, Edi, kupton se kurvat e vërteta ishin qenie tejet serioze e fodulle në rrugë. Njerëz që nuk kishin as më të voglën dijeni se ç’ishte lumturia e besnikëria.
Keko bëhet kundërshtues i një fajësie pa faj, i damkosjes së pamerituar. Në vëllimin “Dymbëdhjetë shenjtorë, një profet edhe disa njerëz” (1997), autori përpiqet të ndërtojë një realitet gati biblik të figurës. E rrethon atë me mëshirë kristiane, e ndriçon me aureolë hyjnore, jo rastësisht i vendos emra shenjtoresh. Jo rastësisht disa prej tyre vizatohen si avuj dhe ëndrra duke mos i përkitur pisllëkut tokësor. Keko hedh drejt figurave të dashura jo vetëm keqardhjen, por edhe respektin njerëzor, krijon një purgator artistik ku i jep mundësinë të pastrohen. Jo rastësisht vendimet dhe veprimet e ndonjërës prej tyre e nxisin lexuesin të mendojë për përsosje morale.
Matilda, kjo vajzë e parritur ende që kish ngrënë kaq dru, për të pranuar të dilte në rrugë dhe që ishte ushqyer nja dy javë të mira vetëm me bukë e ujë, derisa uli kokën e u bë qenjgj, e mbytur në trishtim, ka mundur megjithatë të ruaj mirësi në shpirt. Edi, kupton se ky engjëll që ka përballë s’kishte asgjë të përbashkët me kurvërinë, me atë sëmundje që qenë përpjekur t’ia konstruktonin ai me shokë.
Nëse Migjeni na lë të kuptojmë se figura e tij mbetet mes injorancës dhe përjetimeve empirike, një pjesë e madhe e personazheve të Kekos janë femra të shkolluara, me gjuhë lakonike (me gjuhën brisk siç do ta quante populli), ku edhe një frazë e monologut, apo një fjalë e vetme përcakton saktësisht situatën. Pranë tyre gjendet gjthmonë një figurë mashkullore ndaj të cilit ndjehen superiore si nga mprehtësia ashtu edhe nga vlerat shpirtërore. Ilda, personazhi i tregimit ”Dy shqiptarë në Dyseldorf” gjykon se idealet e saj dhe besimi tek e mira i përgënjeshtron realiteti i zymtë i mendësisë së mykur veshur me moral të gënjeshtërt.
Nëse për Migjenin, sipas Arshi Pipës, lavirat janë martire të njerëzimit, për figurat e Kekos mund të themi se ato janë martire të sakrificës për meshkujt që dashurojnë dhe familjet e tyre të varfra. Profesioni i tyre është ai i turpshmi, por të shenjta janë përpjekjet për të jetuar, sepse e shenjtë është jeta dhe përpjekjet për ta mbajtur me thonj atë.
Figurën e prostitutës tek Migjeni e shoqëron natyra empirike e mprehtësia intuitive, ndërsa figura e prostitutës tek Keko jo vetëm që është shpesh e shkolluar, por edhe e vetëdijshme për hiret e saj, por ja që kurrë nuk i është dhënë një mundësi në jetë. Brenda këtyre personazheve femra, Keko, afirmon idealin e ëndrrave për ditë të bardha. Sa dëshirë për jetë normale e kreative, sa shprehje fshihet pas trishtimit të syve të tyre. Ndërmjet tyre ka të talentuara, por realiteti i çoroditur e varfëria qesharake e vendit të tyre ia këputi krahët fluturave që u vërtiteshin në shpirt. Dhe ato janë shumë, thotë Migjeni në vitet ’30, dhe numri i madh i tyre edhe në letërsinë e Kekos të viteve ’90, kundërshton drejtpërdrejtë mendësinë se realiteti dhe fati i këtyre femrave është bërë më i mirë.
Meri dëshiron të jetojë, ka nevojë për pak mirëqenie, është diplomuar shkëlqyeshëm për menaxhim arti, kërkon punë, por punë s’ka. Kudo që shkon i tregojnë kanapenë. Atëherë ç’duhet të bëjë Meri? Për të mbijetuar hyn në marrëdhënie sporadike me pagesë. Monologu i Merit, personazh i prozës së shkurtër të T. Kekos, të kujton përnjëherësh prozën “Mollë e ndalueme” të Migjenit: Një tridhjetvjeçar. I papunë. Qëndron përpara reklamave të kinemasë – e dit’ pune asht…
Irisi, një tjetër personazh i T. Kekos, të cilën që 12 vjeç e kanë thirrur vajza e k… di greqisht dhe anglisht, flet mirë italisht, po kujt i duhen të gjitha këto?…
Ndryshe nga Migjeni, figurat e prostitutave të prozave të Kekos janë shumë dhe madje të ndryshme nga njëra-tjetra. E veçantë është se në asnjë subjekt ato nuk përsërisin në asnjë moment njëra-tjetrën. Ato janë profile të ndryshme të të njëjtit brum njerëzor dhe kjo ia shton vërtetësinë dhe e bën ravijëzimin e tyre edhe më interesant. Disa të humbura, të vetmuara, shumë inteligjente, disa… dhe të gjitha të mashtruara.
Shumë të tjera janë figura që udhëhiqen nga pragmatizmi, ashtu sikurse Keko në jetën e tij. Disa veprime të tyre janë pjellë e çastit kalimtar e vështirë të ruhen të gjitha në kujtesën e lexuesit, por pikërisht tek ky spontanitet i veprimit Keko ndriçon një anë të së bukurës së tyre. Ai i qëmton këto çaste. Ato ngjajnë me çake të shumtë fotografikë, një pafundësi shkrepjesh: një lëvizje e veçantë, një ecje lëkundëse, një tundje dore, dukja e mirë, një përkulje koke hijshëm anash, një vështrim çasti që të depërton tejpërtej dhe të lexon mendjen, lot të veckël që fshihen mjeshtërisht në cepat e syve, tundje supesh, një harkim i mrekullueshëm shpine, vetulla që bashkohen duke formuar vija rrudhash të lehta, një buzëqeshje e sforcuar, e qeshura, trishtimi, përhumbja etj, të gjitha detaje të mrekullueshme që pohojnë feminilitetin e krijesës Grua, të cilin kohërat dhe rrethanat s’kanë për ta zhdukur kurrë. Në çaste pikante shpirti i tyre shndrit duke i mundësuar lexuesit kundrimin e thellësive të mrekullueshme të sentimenteve njerëzore.
Të gjitha këto përshkruhen nëpërmjet një pene të zhdërvjellët, të shpejtë dhe të zgjojnë kënaqësinë e vërtetësisë së personazheve. Figurat janë plot hire, një magji që dhemb. Keko shfaq prirje për t’u futur thellë në gjendjen shpirtërore të tyre, aq sa disa trajtime të figurave duken si vërshime mbresash të hedhura shpejt e shpejt. Është e pamundur që lexuesi të mos kapë dëshirën e autorit për të harmonizuar në shpirtin e këtyre femrave të cilat i sheh jo vetëm me dhembshuri, por edhe si individë që duhen studiuar në morinë e shumëllojshmërisë njerëzore. Veç detajit të syve rëndësi i kushtohet detajit të zërit të tyre të përshkruar përsëritshëm. Tingujt, pasthirrmat e tyre duket sikur i japin frymë edhe objekteve jonjerëzore. Përshkrime të tilla si: e bukur, tmerrësisht e bukur dhe e rraskapitur, erëmirë, e hijshme sikur vjen nga derë e mirë,e bukur si enjgjëll, e lakuar, cipëhollë… etj, etj gjen shpesh tek prozat.
Të gjitha Ato janë hyjnesha të vuajtura të erosit, ku burrat kërkojnë bashkimin pa paragjykime, një shumësi ëndërrimtaresh të trishtuara, tek të cilat fle shpresa për një dorë shpëtimi që iu zgjatet, për një sup mashkullor ku mbështeten.
Nuk do të habiteshim me emrat e shenjtoreve që iu vë atyre autori, po ta shihnim nga prizmi i dëshirës së fuqishme për jetë që ka secila nga këto krijesa njerëzore. Përpjekjet e tyre për të mbijetuar janë të shenjta edhe pse pak nga to kanë vokacion religjoz (vetëm njëri nga personazhet, Matilda çon mendjen në një moment tek mbrojtja e Zotit), ndërkohë që ëndrra e të gjithave është dëshira për jetë më të mirë. Në këtë këndvështrim dashamirës T. Keko fiton epërsinë ndaj gjithë autorëve shqiptarë që kanë bërë pjesë të artit të vet këtë figurë. Kurrë më parë kjo shtresë e shoqërisë nuk është parë kaq gjërë, kaq thellë, kaq numeroze, kaq seriozisht, kaq pranueshëm sa tek vëllimi “Prostituta” e “Dymbëdhjetë shenjtorë, një profet e disa njerëz”. Ndryshe nga Migjeni, Keko ka iluzione për figurën e prostitutës, për një rehabilitim të saj. Kjo duket në përfundimet e lumtura, apo së paku shpresëdhënëse që ai i jep ndonjëherë prozave. Si shkrimtar që kërkon të projektojë një të ardhme më të bukur, ai vuan një lloj romantizmi. Kemi të bëjmë me një lloj romantizmi përdëllyes që shfaqet në disa proza, derisa arrijmë tek vepra “Prostituta”, ku autori shenjtëron shpirtin e vuajtur duke i sjellë lexuesit ndërmend parabolitë biblike dhe fatin e Maria Madalenës, e pse jo edhe fjalët e Krishtit Çohu grua e mos gabo më!
- Keko, përpiqet të krijojë tek lexuesi mendësinë e shpëtimit për figurat e veta. Njëra nga personazhet e tij, ka hedhur pas të kaluarën dhe punon në një zyrë. Dhe në një rast tjetër, ajo bëhet pjesë e dashurisë së një të huaji të pushtetshëm, i cili përpiqet të vijë më shpesh në këtë vend. Kështu një përvojë ordinere, kalon në një përvojë politike e cila mer shkas, nis, nga kujtimi i dashurisë.
Edhe Migjeni do të donte një fat më të mirë të figurës së vet, por as vetë nuk beson se zgjidhja do të jetë e mundur, prandaj e fut personazhin e tij në mjerimin shaktërrues, ekstrem. Keko guxon më shumë. Ai e bën pa vend etikën e shoqërisë dhe si gjyqtar modern i kësaj demokracie zhurmëmadhe, bën tentativën artistike për ta shpëtuar këtë figurë në shumicën e rasteve, duke e sfiduar të keqen, duke shpresuar për një realitet më të mirë.
Tek Migjeni hasim një trajtim psikologjik të figurës, madje ka paragrafë që do të çmoheshin si filozofi e qashtërt, me fjalor të zgjedhur, mjaft elitar. Shumë lakonizëm e nëntekst.
E kundërta ndodh me T. Kekon. Me një fjalor të zakonshëm ai shpjegon, ndalon ngulmueshëm tek fakti dhe synon besueshmërinë e tij. Nuk teprohet të thuhet se ashtu siç i bën autopsinë realitetit të kohës, polarizimit të menjëhershëm shoqëror, i bën edhe një analizë të imët kësaj figure dhe mentalitetit shoqëror lidhur me të. Një shoqëri e çoroditur në tranzicion, vlera tradicionale që lëkunden, sepse e kanë humbur drejpeshimin. Një shoqëri që trumbeton moralin dhe vetë nuk është aspak e moralshme. Në një realitet të tillë gjithkush është nga pak prostitutë, ndërkohë që tregohen me gisht vetëm Ato.
Matilda është një nga personazhet më interesantë që ka krijuar autori. Krijesë e mrekullueshme nga natyra. Ajo karakterizohet nga sensi pozitiv dhe ndjeshmëria e veçantë. Ka nevojë për qetësi, të meditojë, ka talent artistik, do të donte shumë të ecte në rrugën drejt përkryerjes. Trajtat e saj femërore shkrihen dhe harmonizohen me shtëpitë e vjetra antike, apo të objekteve të shtëpive të klientëve të saj. Këto objekte sikur përafrojnë me natyrën kaq klasike të saj. Ajo krijon lidhje mes këtyre objekteve dhe botës reale, vendos paqe dhe harmoni. Ajo i sheh shpirtrat njerëzorë me intuitë të lindur, lexon brenda tyre kur të tjerët s’munden, përfshihet në dhimbjen e tyre, vuan me ta. Tek ajo autori sendërton dukurinë e të ekzistuarit të dy botëve, ku ajo që ndodhet në shpirt dhe realiteti janë kahet e një drejdëze që vetëm i largohen nj-tj. Matilda është figura e cila nuk reflekton nevojë për shoqëri, s’bën gjë tjetër veçse jeton e kyçur brenda vetes, mendon e reflekton mes një morie gjithë zhurmë lëvizjesh e potere njerëzore. Gjallon me një mendim të qëndrueshëm, me një ëndërr të vazhdueshme, të kyçur thellë. Tutori i flet dhe kurrë nuk mer vesh shpitin e thellë, të vërtetë, dëshirën për të t’u kther në vendin e saj të varfër, për t’iu kthyer studimeve, për të ndihmuar babain, nënën dhe vëllain që bredh rrugëve.
Disa nga figurat janë shpirtra krejt të veçantë që dallojnë nga femrat e zakonshme prej botës së thellë dhe shpirtit kritik ndaj realitetit. Ato përfaqësojnë një shpirt filozofik që analizon dhe parashikon. Në fakt ato janë syri kritik i Kekos që siç është përcaktuar i bën autopsinë realitetit.
Keko kërkon ngulmueshëm, ndryshimin e mënyrës së të menduarit për këtë shtresë të shoqërisë. Një gjë është e qartë: Keko nuk pajtohet kurrsesi me përbuzjen ndaj tyre e aq më pak me gjykimin. Përplasja e të kundërtave rrit emocionin e rrëfimit për to. Keko përshkruan tis bukurie fizike e të brendëshme, shpërdorim e tragjizëm. Pikërisht të kundërtat dhe misteri i vetmbylljes së thesareve që digjen fshehurazi botës, formojnë siluetat interesante të këtyre grave, gjë të cilën nuk e gjejmë me kaq intensitet tek Migjeni.
Keko e sheh këtë botën e tyre në hapësira të reja, në kënde të reja. Në një botë të braktisur, e të gjymtuar, të damkosur me përbuzje dhe harresë, sublimiteti ekzistencial i qenies shpesh arrin deri në skaj të ekzistencës. Shumë prej personazheve iu vjen në mendje vdekja. Ndërkohë që në jetët e tyre jeta dhe vdekja takohen vetëtimthi në shumë momente. E gjithë struktura e prozave që kanë bosht këtë figurë zgjojnë tek lexuesi ndjenja të ankthit, trishtimit dhe irritimit. Pjesë e këtij ankthi është edhe prania e burrave. Dhe është pikërisht ky detaj i cili krijon përpara lexuesit tmerrin femëror. Këto figura femrash që gjallojnë të frikësuara në një botë mashkullore, e tjetërsojshme nga ajo normalja, një botë e riformuluar, e përmbysur, ku gruaja nuk është e adhuruara, por e paguara. Dhe ajo megjithatë jeton. Dëshira për jetë është më e fortë se turpi, prandaj Keko është i prirur ta shohë këtë si një sakrificë për jetën.
Autori çmon më shumë shpirtin dhe karakterin njerëzor, sesa dijen dhe këtë lexuesi e kupton kur aktantët janë figura të tilla si politikanët, apo njerëz që pozicionohen dukshëm në shoqëri. Kekon e ka lodhur dukja njerëzore, e cila shumë herë qëllon falsitet ndaj priret drejt përmbajtjes, drejt shpirtërores. Dashamirësia e autorit për këto krijesa e rrëmben lexuesin dhe ai pa e kuptuar bëhet pjesë e interesave artistike të tij, e përkushtimit njerëzor të autorit. Pozitiviteti me të cilin autori i sheh këto figura, e bën në secilin rast të duket absurde damkosja e përçmimi.
Të gjitha sa renditëm, na bëjmë të mendojmë se kemi të bëjmë me trajtimin e tjetërfarshëm të këtij personazhi nga Teodor Keko.
Sipas meje tek prozat e Kekos ka tre prirje kryesore të trajtimit të kësaj figure:
- Femra kult. Autori mes saj bekon ripërtëritjen e jetës, misionin që përmbushet mes saj. Autori bekon vendin që ajo zë tek mashkulli.
- Femra pjesë e tragjikes, e të shëmtuarës së jetës.
- Femra çerdhja e paqes dhe e pastërtisë, dlirësisë së pa zhbëshme.
Por gjithsesi, megjithë përpjekjet e tij, fare pak nga to arrijnë të gjejnë qetësinë e shpëtimit. Ato braktisen nga meshkujt edhe pse qëndrojnë superiore në mendimet e tyre për to. Linjat e këtyre figurave femërore mbeten linjat e dashurisë pa përgjigje. Megjithë dëshirën e autorit, mbylljet e prozave nuk janë të sheqerosura edhe kur personazhit i jepet një fat më i mirë.
Por t’i kthemi Migjenit. Qëndrimet antonimike të natyrës së paradoksit, humor i zi, sharjet, janë situata që realizojnë përpjekjet e tij për t’i hyrë në lëkurë figurës së gruas si grua publike.
Një ditë të kristaltë dimri, kur frynte veriu e acarimi kish ngri vesën, Lukja zbriti në qytet (…) e jeta në qytet prej së largu dukej e bukur. Zhveshi xhubletën dhe veshi të linjta të holla për të fituar bukën më lehtë se në malësi.
Kanjiherë dhe Luken e zente nji trishtim i pakufishëm. I dhimbste ajo gja që e quejmë shpirt…)
Por përsa i përket fundit Migjeni duket më racional, ai mundet ta shohë figurën e vet vetëm nëpërmjet mjerimit e degradimit. Fundi i saj është një rraskapitje fizike e sidomos morale. Për Migjenin është shumë e bukur për të qenë e vërtetë një fat i lumtur në realitetin shqiptar, apo së paku një realitet me shpresë i gruas e cila instiktin prodhues e ka lidhë me interesa materiale. Ironia dhe tragjizmi i tij djeg deri në rrënjë. Nuk ka shpresë, nuk ka shpëtim! Pas takimit me teneqexhiun, Lukja sheh çdo ditë lakuriqësinë e mjerimit të saj. Sheh se si po i firon jeta pak nga pak, ashtu sikurse Migjeni sheh çdo ditë në pasqyrë se si po i firon buzëqeshja, kur parandien vdekjen e tij të afërt.
SE FUNDMI
* Paralelet e prekshme mes teksteve letrare të dy autorëve edhe pse i ndan kaq shumë kohë janë të dukshme. Pavarësisht teknikave të veçanta të qëmtimit, dallimit, shënjimit të përveçuar të letrares tek kjo figurë margjinale e morisë së të padukshmëve, pavarësisht prej diferencave që burojnë prej parapëlqimit për cakun e tyre në shoqërinë shqiptare, skicimi deri në gdhendje, atmosfera dhe përzgjedhja e çasteve më të spikatura nga jeta e tyre kanë mjaft pika prerje.
* Sikurse për Migjenin, edhe për Kekon, mendësia kolektive e meshkujve shqiptarë nuk ka ndryshuar shumë, llustra ndrin akoma me një ndriçim të gënjeshtërt.
* Të dy autorët janë mjaft të ngjashëm në magjinë letrare me të cilën zhbirojnë shpirtin njerëzor. Gdhendjet e figurës së prostitutës, janë trajta të përafërta dhe të ndryshme në ravijëzimin e femrës në vuajtje ekzistenciale.
* Të dy këta autorë u shfaqën para lexuesit me kandilin shpëtimtar të përsosjes shpirtërore. Ata ngritën dorë kundër rrebeshit të gjykimit njerëzor mbi këto krijesa që kontrastojnë me shabllonin. Atmosfera e veçantë që ata krijuan rreth kësaj figure, i bën ata të veçantë dhe të papërsëritshëm.
* Të dy autorët veç shtratit të përbashkët të lëvrimit të temës së prostitucionit, thellohen në raportin e kësaj figure jo vetëm me shoqërinë në përgjithësi, por edhe me figurën mashkullore, madje edhe me mjedisin e ngushtë rreth e qark.
* Trishtimi i Migjenit është i kapshëm, deklarativ. Trishtimi i Kekos është intim. Ai përpiqet vazhdimisht të fshihet pas batutave gjoja optimiste të personazhit, por bilanci i asaj që mbetet është: shumë dhimbje.
* Të dy përkojnë në frymën e revoltës dhe në ndjesinë e dashurisë për jetën që tejçojnë. Ata na kujtojnë se pa këtë krijesë (pa Gruan) jeta do të tretej menjëherë dhe në këtë prizëm mjerimi, shkatërrimi, përbuzja që shoqërojnë jetën e tyre nuk është i merituar asnjëherë. Edhe kur zgjedhja është e tyre, Keko dhe Migjeni na përligjin ekzistencën e tyre në morinë e gjallimit njerëzor (ka ajër, ka qiell për të gjithë). Misioni origjinal i prozave që trajtuam nga Keko e Migjeni, edhe pse i ndan kaq kohë është mbrojtja e femrës të gjykuar. Pikësynimi i tyre është i qartë. Ato shprishin qëllimshëm kodet kanunore shqiptare dhe afirmojnë një kod të ri, më të fortin, kodin e kodeve, që përkon aq shumë me mëshirën kristiane; atë të pranimit pa kushte të krijesës së mrekullueshme, të njeriut me gjithë të metat e tij.
* Të dy mbeten dëshmi e përmbushjes së boshëtirës dhe hapësirës së pa shfrytëzuar në letrat shqipe, në trajtimin e figurës së prostitutës jo thjesht si një situatë e rëndomtë e jetës, por si një thellim në hapësirën ekzistenciale të qenies.
Bibliografi
Teodor Keko, Prostituta, “Maluka”, Tiranë 2006
Teodor Keko, Hollësira fatale, ISBN 90-9014902-3, Tiranë 2002
Teodor Keko, Amaneti, “Toena”, Tiranë 2008 (ribotim)
Teodor Keko, Dymbëdhjetë shenjtorë, një profet dhe disa njerëz, “Maluka”, Tiranë 2006
Migjeni, Vepra, Naim Frashëri, Tiranë, 1988, f 237
Uran Kalakulla, Arshi Pipa- Njeriu dhe vepra, Tiranë 2010
Elda Talka, Traditë dhe risi në poetikën veriste italiane, “Rama Graf”, Elbasan 2011
Fjalorth termash letrare, Tiranë 1976
Fjalor i termave të gjuhës (shqip-rusisht-fr-ang-gjerm-ital) Akademia e Shkencave, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, Sektori i terminologjisë, Tiranë 1980
Mensur Raifi “Alternativat e Nolit dhe Migjenit”
Maria Pia Pizzato “Semiotika e tekstit”, “Maluka”, Tiranë 2009, ISBN 9789994346332
Umberto Eco “Gjashtë shëtitje në pyllin e krijimtarisë”, “Dituria”, Tiranë ISBN99956-39-02-5
Luljeta Bora-Bejleri “Monografi për krijimtarinë e Teodor Kekos”, Neraida, Tiranë 2011
Autorja është pedagoge në Universitetin “Aleksandër Xhuvani”, Elbasan, Albania Titulli origjinal është PERKIME NE TRAJTIMIN E FIGURES SE “PROSTITUTES” NE PROZEN E SHKRIMTAREVE SHQIPTARE
TEODOR KEKO (1958-2002) DHE MIGJENI (1911-1938)
Botuar: Journal of Educational and Social Research
MCSER Publishing, Rome-Italy
Vol. 4 Nr. 4 / Qershor 2014 / Faqe 210 – 215









