Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ka dëshmuar paraditen e sotme në Gjykatën e Krimeve të rënda pas vendimit për t’i bllokuar pasaportën.
Pas dëshmisë 60-minutëshe, gjykatësja ka firmosur vendimin që lë në fuqi masën për bllokimin e pasaportës, çka pengon ish-ministrin Tahiri të dalë jashtë vendit.
Mediat raportojnë se ish-ministri është shfaqur i qetë dhe i qeshur në gjykatë.
Në seancën për njohjen me masën e sigurisë së bllokimit të pasaportës ku u lejuan të merrnin pjesë edhe gazetarët, Saimir Tahiri i kërkoi trupit gjykues prova të reja për këtë vendim.
“Nuk kas asnjë arsye të largohem jashtë vendit. Dua që të zbardhet sa më shpejt e vërteta“, ka deklaruar ish-ministri.
Tahiri i ka kërkuar gjyqtares Liljana Baku provat e Prokurorisë në ngarkim të tij për dosjen “Habilaj”.
“Çfarë provash keni ndaj meje? S’keni prova të reja”, i është drejtuar Tahiri gjyqtares së Krimeve të Rënda.
Sipas avokatit mbrojtës nuk ka asnjë rrezik që Saimir Tahiri të largohet jashtë vendit, ndërsa shtoi se vendimi do të çohet në Apel.
“Tahiri është deputet i Shqipërisë, dhe askush nuk është më shumë i interesuar se ai për të zbardhur të vërtetën, pasi është përbaltur politikisht dhe jo vetëm”
a.ç