Nga Viktor Malaj/
Këmbënguljen e Sali Berishës për të qëndruar medoemos dhe pafundësisht në politikë dhe aktivizimin e tij të pareshtur deri në shkallën që e ka bërë gaz për botën dhe objekt humori në bisedat private shumëkush e ka konsideruar si shprehje e pasionit të tij apo, akoma më keq, e personalitetit të tij anakronik prej mujshari provincial që nuk mund të durojë tjetër njeri mbi krye.
Megjithëse është një individ që nuk e gëlltit dot mosqenien e vet i pari i vendit dhe, megjithëse pushtetin dhe sundimin nuk i ka mision por obsesion, vëzhgimi dhe analiza e vëmendshme e sjelljes së tij, pas rënies nga pushteti në vitin 2013, tregojnë se shkaku kryesor i qëndrimit dhe veprimtarisë në politikë edhe pas moshës shtatëdhjetëvjeçare është frika nga ndëshkimi i ardhshëm për sjelljet dhe krimet e kryera në të shkuarën.
Për arritjet dhe mosarritjet në punën e tyre drejtuese politikanët gjykohen nga populli në fund të mandateve qeverisëse apo drejtuese, ndërsa për shkeljet e ligjeve dhe krimet e kryer gjatë ushtrimit të pushtetit apo përpjekjeve për marrjen e pushtetit në mënyra antikushtetuese ata duhen hetuar dhe gjykuar nga organet e drejtësisë.
Gjatë karrierës së tij 22 vjeçare politike përpara 1990, Sali Berisha është sjellë me korrektësi, përkushtim dhe “partishmëri” në përputhje me parimet dhe ligjet e kohës. Rrjedhimisht, as ka pritur dhe as ka pësuar ndëshkime.
Kur, pas 1990 i vuri vetes si synim sundimin e Shqipërisë për aq kohë sa të ishte gjallë dhe pavarësisht se çfarë do të mendonin shqiptarët për të dhe si e vlerësonin ata moralin dhe sjelljen e tij politike, ai nisi të mendonte gjetjen e mjeteve dhe metodave për t’iu shmangur qoftë gjykimit popullor si politikan, ashtu edhe çfarëdo gjykimi ligjor për paligjshmërinë e sjelljes së vet.
Njerëz që kanë formim dhe karakter të tillë, në vend që të përmirësojnë veten për t’i shërbyer dhe pëlqyer popullit, bëjnë çmos të përdorin pushtetin politik për të zhvlerësuar gjykimin popullor dhe, rrjedhimisht, për të siguruar pushtet të paligjshëm dhe të gjithanshëm.
Në këtë mënyrë pra, për t’i shpëtuar gjykimit politik popullor ata bëjnë çfarë ka bërë ose tentuar të bëjë Sali Berisha: fusin në dorë median, e frikësojnë atë, burgosin dhe rrahin gazetarë; falsifikojnë dhe dhunojnë zgjedhje; tentojnë të marrin me forcë pushtetin që s’e marrin dot me votime të lira; dhunojnë popullin sapo ngrihet kundër padrejtësive të tyre dhe dhunimeve që ata i bëjnë vullnetit popullor etj.
Duke qenë të paskrupullt, djallëzorë dhe të ligj, duke e ditur pozitën e vet si ligjshkelës, ata marrin masa që të bëhen të paprekshëm nga organet e drejtësisë dhe këtë e bëjnë siç e bëri Sali Berisha: hoqi juristët e shkolluar dhe i zëvendësoi me kursantë 6-mujor; sulmoi, përgojoi dhe shkarkoi ata prokurorë e gjyqtarë që s’i bindeshin dhe i zëvendësoi me të tjerë, mundësisht sa më të korruptuar (i korruptuari nënshtrohet dhe përdoret me lehtësi), që ishin apo do të tregoheshin të gatshëm të ishin ushtarët e tij; krijoi dhe përdori dosje korrupsioni si mjet kërcënimi dhe nënshtrimi për punonjësit e drejtësisë etj. etj.
Korruptimi i gjithanshëm i sistemit të drejtësisë solli në mënyrë të pashmangshme kohën e Reformës në Drejtësi.
Nisma ishte e Partisë Socialiste, por shtytja për nisje dhe mbështetja për ta realizuar ishte e BE dhe SHBA. Mëkatarët e mëdhenj i pushtoi frika. Bënë gjithçka mundën ta vononin dhe pengonin procesin e Reformës në Drejtësi, duke u shkaktuar dhimbje koke edhe të huajve të angazhuar në këtë mision.
Por të huajt i vunë në rresht antireformistët. Hijen e “shkopit” e morën nga mesazhet personale që misionet diplomatike perëndimore u dërguan.
Votuan të gjithë, pa përjashtim, pro projektit të ndrequr dhjetëra herë sipas qejfit dhe preteksteve të tyre, por ende të pamodeluar në atë shkallë që të sigurojë paprekshmërinë e tyre të ardhshme për krimet e së shkuarës.
Megjithëse kemi qenë dëshmitarë të të gjitha lojërave dhe, madje, edhe të braktisjes së Parlamentit dhe ngritjes së Çadrës si mjete të pengimit të vënies në zbatim të legjislacionit të miratuar nga ata vetë, por jashtë vullnetit të tyre, bënë çmos dhe i vazhdojnë përpjekjet edhe sot që të na bindin se ishin ata ideatorët, ndreqësit dhe shpëtimtarët e Reformës në Drejtësi.
Mirëpo harrojnë shpejt se, ndërsa e duan autorësinë e reformëbërjes, pozojnë si viktima të mundshme të “dështimit” të saj meqë, siç thonë, reforma po ia dorëzon sistemin e drejtësisë Kryeministri aktual.
Shprehen lart e poshtë, tutje e tëhu se “reforma ka vdekur”, se zgjedhja e Kryeprokurores së Përgjithshme ishte “veprim diktatorial dhe antikushtetues”.
Ndërkohë, Perëndimi u jep përgjigje se “Reforma në Drejtësi nuk ka vdekur por… më në fund po zbatohet. Qytetarët shqiptarë presin me padurim drejtësi. Dhe politikanët kanë frikë”. (Deklaratë e Ambasadës Amerikane).
Përpëlitjet i vazhdojnë. Përpëliten për të hapur shtegun e daljes nga rrethi i krijuar me gënjeshtra, por me të njëjtin mjet, me gënjeshtra të reja.
Sali Berisha dhe Lulzim Basha propagandojnë gjatë 365 ditëve të vitit se në Shqipëri ka vetëm krim e drogë, varfëri e padrejtësi dhe marrin përgjigjen se “Nën udhëheqjen e tij (E. Ramës-V.M.) Shqipëria ka bërë një punë të jashtëzakonshme, veçanërisht për Reformën në Drejtësi” (Federika Moderini).
Shpallin se “Projekti i Vetingut është një projekt mafioz…” (L. Basha), ndërkohë që këtë “projekt mafioz” e kanë votuar në Parlament; betohen se “Ne duam një drejtësi të vërtetë dhe të barabartë për të gjithë” (L. Basha), por asnjëherë nuk kanë dhënë llogari për krimet e kryer ndaj qytetarëve, pronës dhe integritetit territorial të vendit.
Gjithë puna është se ata nuk janë kundër Reformës në Drejtësi por kanë një kusht “të vogël”: Reforma duhet të jetë e tillë që të komandohet prej tyre dhe të sigurojë paprekshmërinë e tyre. Le të vëmë re: Vrasësit e protestuesve të pafajshëm të 21 janarit, fshehësit e provave të fajësisë; ata që u betuan se ishin dhe janë të gatshëm të tërheqin këmbëzën e pushkës për të vrarë edhe 300 protestues së bashku me kryetarin e atëhershëm të opozitës; ideatorët dhe urdhëruesit e akteve terroriste kundër ambasadës amerikane në Tiranë; të akuzuarit për shpërdorimin e 230 milion eurove në rrugën Milot-Kukës; nënshkruesit e marrëveshjes antikushtetuese me Greqinë; trukuesit dhe dhunuesit e zgjedhjeve të 1996, 2009 dhe 2011; dhunuesit e institucioneve shtetërore të 14 shtatorit 1998; urdhëruesit e luftës veri-jug të marsit 1997; deklaruesit se ishte politikë e tyre lejimi i prodhimit të drogës në Lazarat, i vërsulen Sajmir Tahirit në Parlament dhe e urdhërojnë “të dalë përjashta” pasi dikush, diku, i ka thënë dikujt në telefon se “do i japim edhe Tahirit disa para nga fitimet e drogës…”.
Të frikësuarit nga Reforma në Drejtësi, në krye të të cilëve qëndron Sali Berisha, e dinë se e vetmja mundësi për t’i shpëtuar ndëshkimit është pengimi i kësaj reforme dhe se pengimi i saj mund të arrihet vetëm duke u rikthyer në pushtet. Meqë e shohin se populli nuk i do në pushtet inskenojnë aktet e dhunshme si ato në Kalimash, bllokimet e rrugëve, turbullirat gangstereske në Parlament apo thirrjet për mospagime taksash etj.
Këto akte të kryera së fundi si dhe përpjekjet donkishoteske për të paraqitur si të “burgosur politikë” dhunuesit e pronave publike dhe private, vjedhësit e tokave të bregdetit e deri përdoruesit e drogës (siç bëri njëfarë Luçiano Boçi me ndalimin e një gangsteri këngëtar që u zu me drogë) janë vetëm “stërvitja” për mënyrën se si ata planifikojnë të reagojnë nesër kur t’iu vijnë fletëthirrjet për në hetuesi apo gjykatë vetë krerëve politikë.
Frikën ndaj Reformës në Drejtësi e shprehu hapur edhe një deputet opozitar me nivel ordiner kulturor, babai i të cilit përpara vitit 1990 kishte qenë anëtar i PPSH-së dhe spiun i Sigurimit të Shtetit ndërsa pas 1990 u shfaq si shpifës, trillues, falsifikator dhe hajdut fondesh shtetërore.
Deputeti në fjalë tha se ” Nga kjo Reformë në Drejtësi kam shumë frikë se kjo është një reformë që i ka dhënë drejtësinë në dorë një banditi…”. Unë mendoj se nuk do të bënte keq t’ua këshillojë frikën edhe eprorëve të vet.
Arma tjetër që po përdorin është përgatitja e terrenit për t’iu shitur popullit shqiptar si viktima të “drejtësisë së kapur nga Kryeministri” apo edhe si viktima të Perëndimit dhe kështu çdo akuzë për krime të kryer në të shkuarën do të përpiqen ta shesin si “përndjekje politike”.
Prandaj edhe nuk lanë ekran TV-je pa dalë për t’u ankuar se ambasadorët e huaj kishin urdhëruar arrestimet e tyre apo se Reforma ishte “zbatim i reformës së Sorosit” (S. Berisha).
Marrëzia e tyre e shkaktuar nga ankthi që i shoqëron sot për shkak të së kaluarës së vet, arrin deri aty saqë, pasi pohojnë se “Opozita me një qëndresë të jashtëzakonshme arriti t’ua djegë me Kushtetutë mundësinë e kapjes, kaloi në ligjin me 3/5 dhe e kapi drejtësinë” (Sali Berisha), shpallin se “Kjo i shërben opozitës për revoltën më të përgjithshme popullore që Shqipëria ka njohur ndonjëherë” (S.Berisha).
Pra, edhe janë ata “shpëtimtarët” e reformës, por edhe “reforma ka vdekur”; edhe Rama nuk e do reformën dhe “u detyrua si qen i lagur ta votonte me 140 të tjerë” (P. Vasili), por edhe kjo reformë që ai s’e donte qenka duke i shërbyer atij.
Edhe mund ta kuptojnë këta të mjerë se situatat që krijojnë me të pavërteta i kanë bërë qesharakë para popullit dhe partnerëve ndërkombëtar.
Por, fatkeqësisht, e kaluara e tyre ua ka shteruar fuqitë morale dhe intelektuale. Perëndia i ndihmoftë të dalin prej kënetës që kanë krijuar.
Në këtë mënyrë, gjithë sjellja e kupolës së inkriminuar politike të opozitës, gjithë vajtimet e tyre hipokrite për gjendjen aktuale dhe për “popullin e varfër” nuk synojnë asgjë tjetër përveç vonimit dhe pengimit të ngritjes së institucioneve të reja të drejtësisë.
Në këtë mision të turpshëm ata kanë edhe mbështetjen e përditshme mediatike të disa analistëve mllefqarë të cilët nuk janë dakord as me lindjen dhe perëndimin e diellit sa kohë është Rama kryeministër.
Këmbëngulja e Sali Berishës për të qëndruar në politikën aktive është përpjekja e tij për ta mbajtur nën kontroll PD-në dhe për ta përdorur atë si detashment paraushtarak për shkaktimin e trazirave në rast se drejtësia e re do t’i kërkojë llogari për krimet e vjetra të cilat janë të pafundme dhe të tmerrshme- siç ka thënë z. Lu. Pikërisht këtu fshihet lepuri.
Popullit shqiptar i mbetet të vëzhgojë dhe shohë deri ku do të arrijnë këto përpjekje dhe sa e vërtetë do të jetë thënia e ambasadorit amerikan Donald Lu se “Nuk do të lejojmë asnjë zyrtar të vetëm, sado i lartë të jetë ai, që të pengojë këtë reformë”.
ma.me