• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Wednesday, March 25, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Kryesoret

Kryepeshkopi Anastas mesazh për Pashkët ortodokse: Hidhërimi dhe gëzimi gjenden përkrah njëri-tjetrit në jetën njerëzore!

by Java News
14/04/2023 15:34
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Kryepiskopi Anastas Janullatos ka ndarë mesazhin e Pashkëve për të gjithë besimtarët. Ai thotë se muajt e fundit “kanë grumbulluar rreth nesh, por edhe në zemrën tonë, një hidhërim të shumëtrajtshëm: Dhimbje të parrëfyeshme për shkak të fatkeqësisë hekurudhore dhe numrit të madh të të prekurve nga tërmeti tek fqinjët tanë, pikëllim të papërshkrueshëm për shkak të luftës së ashpër në Ukrainë.”

Këtyre hidhërimeve u shtohen edhe sprovat e ndryshme personale e shoqërore. Megjithatë, Kisha, përmes himnologjisë së mrekullueshme të Pashkës, thotë Janullatos, na fton në një kalim vendimtar: «Pashka, me gaz le të përqafojmë njëri-tjetrin, Oh, Pashka, na çliron prej hidhërimit».

Pashkë 2023
Kapërcimi i dhimbjes – Gëzimi paskal

«Gëzohuni!» (Mt. 28:9)
«Pashka, me gaz le të përqafojmë njëri-tjetrin,
Oh, Pashka, na çliron prej hidhërimit»
 (Vargëzim i Pashkës).

Pashka e këtij viti na fton në një betejë të vështirë. Këto vite, veçanërisht muajt e fundit, kanë grumbulluar rreth nesh, por edhe në zemrën tonë, një hidhërim të shumëtrajtshëm: Dhimbje të parrëfyeshme për shkak të fatkeqësisë hekurudhore dhe numrit të madh të të prekurve nga tërmeti tek fqinjët tanë, pikëllim të papërshkrueshëm për shkak të luftës së ashpër në Ukrainë. Këtyre hidhërimeve u shtohen edhe sprovat e ndryshme personale e shoqërore. Megjithatë, Kisha, përmes himnologjisë së mrekullueshme të Pashkës, na fton në një kalim vendimtar: «Pashka, me gaz le të përqafojmë njëri-tjetrin, Oh, Pashka, na çliron prej hidhërimit».

Hidhërimi dhe gëzimi gjenden përkrah njëri-tjetrit në jetën njerëzore. Kjo e vërtetë theksohet fort në ngjarjet e Javës së Madhe. Përpara Pësimit, gjatë Darkës Mistike, Krishti ua bëri të qartë nxënësve: «Kështu dhe ju pra tani keni hidhërim, por kur përsëri do t’ju shoh dhe zemra juaj do të gëzohet dhe askush nuk do t’jua marrë gëzimin» (Jn. 16:22).

Dhimbja shkakton tronditje gjatë ditëve të Pësimeve, por, në fund, ajo mposhtet në dritën e ngadhënjimit të Ngjalljes. Fjala dhe këshilla e parë vendimtare e Krishtit të Ngjallur drejtuar Miroprurëseve të përkushtuara, që rendën me vrap drejt varrit, ishte: «Gëzohuni!» (Mt. 28:9). Kur Krishti i Ngjalluar iu shfaq për herë të parë nxënësve të tij, Ungjillor Joani thotë se ata «u gëzuan kur panë Zotin» (Jn. 20:21). Gëzimi i Pashkës buron brenda dhimbjejes së shumtrajshtme që  i kishte paraprirë: tradhëtia, mohimi, shpërfillja, vdekja në kryq. Pashka kryqngjallësore të çliron nga çdo lloj hidhërimi: Ngjallja e Krishtit vërteton fitoren e së vërtetës ndaj gënjeshtrës, të dashurisë ndaj urrejtjes, ngadhënjimin e jetës mbi vdekjen. Krishti i Ngjallur zhduk çdo gjurmë të Hadhit. Trondit pushtetin e vdekjes që sjell dhuna, krenaria, padrejtësia.

Gërshetimi i dhimbjes me ngazëllimin na lë pa fjalë. Megjithatë, harmonizimi i të kundërtave mbetet karakteristikë e jetës në Krishtin. Apostull Pavli e thekson këtë përvojë të jashtëzakonshme: «… në shumë hidhërime, por me gëzimin e Shpirtit të Shenjtë» (1 Thes. 1:6). Kemi të bëjmë me një harmonizim të habitshëm, me një kundërshti të çuditshme. Ai e përshkruan këtë në mënyrë më shprehëse në një letër tjetër: «Jemi të munduar nga çdo anë, por jo të ligështuar; jemi të pështjelluar, por jo të dëshpëruar; përndiqemi, por nuk jemi të braktisur; na kanë hedhur tej, por nuk kemi marrë fund» (2 Kor. 4:8-10). Edhe diku tjetër: «… jemi të hidhëruar, por gjithmonë të gëzuar; jemi të varfër, por pasurojmë shumë veta; nuk kemi asgjë, por në të vërtetë kemi gjithçka» (2 Kor. 6:6-11). Në librin e fundit të Shkrimit të Shenjtë, në Zbulesën e Joanit, përmblidhet, me anë të paraqitjeve simbolike tronditëse, harmonizimi i të kundërtave, ndërthurja e hidhërimit dhe fitores përfundimtare të Krishtit të kryqëzuar dhe të ngjalluar.

Harmonizimi i hidhërimit me gëzimin e Shpirtit të Shenjtë, për të cilën flitet, në pamje të parë duket i pamundur. Por, sikurse na siguron edhe Apostulli i kombeve, «unë mund të bëj gjithçka përmes Krishtit që më forcon» (Filip. 4:13). Kjo ndërthurje duket e pamundur, por marrëdhënia e ngushtë me Krishtin që pësoi dhe u ngjall e bën të mundur. Këtë kungim me Fjalën e Perëndisë së mishëruar e përjetojmë duke qenë pjesë e Kishës, e cila është Trupi i Tij mistik. Shpirti i Shenjtë, përmes këtij kungimi, vepron në jetën tonë, forcon dhe gëzon tërë qenien tonë. Ngjallja është parashijimi i fitores përfundimtare të Perëndisë, parashijim i dashurisë në amshim.

Gëzimi ngjallësor mbështetet mbi themele të forta. Së pari, mbështetet te siguria që na dha Krishti: «M’u dha çdo pushtet në qiell dhe në tokë» (Mt. 28:18). Përgjatë shekujve, shumë janë shfaqur si sundues të botës. Mirëpo, Ai që ka pushtetin përfundimtar për gjithçka që ndodh në qiell e mbi dhé është Zoti ynë Jisu Krisht. Themeli i dytë i patundur është siguria që dha Krishti i Ngjallur: «Unë do të jem me ju të gjitha ditët, deri në fund të kohërave» (Mt. 28:20). Zoti ynë nuk është i largët, nuk është vëzhgues shpërfillës i gjërave që ndodhin. Ai vazhdon të jetë “me ne” në të gjitha fazat dhe çastet e vështira të jetës sonë. Dhe, së treti: Gëzimi paskal shumëfishohet kur dhuron gëzim aty ku urrejtja është me tepri, aty ku dëshpërimi të merr frymën.

«Pashka, me gaz le të përqafojmë njëri-tjetrin,

Oh, Pashka, na çliron prej hidhërimit».

Hidhërimi dhe gëzimi këmbehen me njëri-tjetrin në jetën tonë. Në rrugëtimin tonë nuk mungojnë ngjarjet e dhimbshme të paparashikueshme, fatkeqësitë që kapërcejnë forcat tona dhe na vënë poshtë. Ndihemi të pafuqishëm për t’i përballuar dhe shpesh na pushton frika. Megjithatë, vullneti ynë le të mos bjerë në plogështi. Për sa varet nga ne, le të lëmë që drita e Ngjalljes të ndriçojë jetën tonë dhe Shpirti i Shenjtë të na dhurojë qëndresë, durim, shpresë. Gëzimi kryqngjallësor është tipar dallues i jetës në Krishtin. Prandaj, Apostulli korife e thekson me këmbëngulje: «Gëzohuni gjithnjë në Zotin. Përsëri ju them: Gëzohuni!» (Filip. 4:4, 1 Thes. 5:16).

Gëzimi i Ngjalljes le ta ndriçojë, pra, jetën tonë, duke na çliruar nga hidhërimi dhe mjegulla. Siguria e ngjalljes, fryma ngjallësore, le të jenë mbështetje dhe burim gëzimi çdo ditë në jetën tonë.

Krishti u ngjall!

†Anastasi

Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë

Next Post
Gjendet një kallashnikov në një kosh mbeturinash në Vlorë, dyshohet të jetë përdorur për ngjarje kriminale

Gjendet një kallashnikov në një kosh mbeturinash në Vlorë, dyshohet të jetë përdorur për ngjarje kriminale

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Zogaj: Faji mbetet jetim, OSBE/ODIHR-i u referohet partive për shitblerjen e votave dhe incidentet

Zogaj: Objektivi për të fituar të gjitha bashkitë, provokim i PS

March 24, 2026
“Irani, kërcënim ekzistencial për Izraelin!” Xhavit Shala: Dy koalicione po përplasen…

“Irani, kërcënim ekzistencial për Izraelin!” Xhavit Shala: Dy koalicione po përplasen…

March 24, 2026
Video me simbolet kuqezi ‘fik’ katër shqiptarët. Serbët i prangosin: Reklamuan Shqipërinë e Madhe

Video me simbolet kuqezi ‘fik’ katër shqiptarët. Serbët i prangosin: Reklamuan Shqipërinë e Madhe

March 24, 2026
Vangjeli për shkarkimin e Veliajt: Në Strasburg do shohim një vendim që do na bëjë të skuqemi të gjithë

Vangjeli: PS nuk ka nevojë t’i fitojë zgjedhjet, mjafton të shohë humbjen e PD-së

March 24, 2026
Jeta e përditshme në Azi po tronditet nga kriza e karburantit si pasojë e luftës me Iranin

Jeta e përditshme në Azi po tronditet nga kriza e karburantit si pasojë e luftës me Iranin

March 24, 2026
Në 15-vjetorin e ’21 Janarit’, xhaxhai i Aleks Nikës shkon në SPAK: Nuk kërkojmë hakmarrje, por drejtësi!

“Berishën mezi e morën në pyetje”, Mark Nika flet pas ‘vizitës’ në SPAK: S’ka vullnet për ta hetuar 21 Janarin…

March 24, 2026
Ervin Salianji nuk ndalet, vijon turin me demokratët, të shtunën takimi me struktura e PD-së së Shkodrës

“Kryetarit i ndërpritet mandati nëse humbet zgjedhjet,” Salianji: Nëse Berisha nuk largohet, vendos gjykata

March 24, 2026
“U zura me babanë para 10 ditësh për patatet”! Krimi në Roskovec, djali: Arma, e groposur që prej ’97-ës

“U zura me babanë para 10 ditësh për patatet”! Krimi në Roskovec, djali: Arma, e groposur që prej ’97-ës

March 24, 2026
Lirohet nga arresti shtëpiak ish-zv.drejtoresha e AKSHI-t, GJKKO i vendos masën ‘detyrim paraqitje’

Lirohet nga arresti shtëpiak ish-zv.drejtoresha e AKSHI-t, GJKKO i vendos masën ‘detyrim paraqitje’

March 24, 2026
Shkodra, viktima 30 vjeçare e fanatizmit politik

Gjuetia e shtrigave e Berishës, dëshpërim apo taktikë?

March 24, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In