Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi i është drejtuar me një shkresë zyrtare 4 institucioneve kryesore, Prokurorisë së Përgjithshme, SPAK, KLSH dhe Avokates së Shtetit.
Në letrën që Kryemadhi i ka dërguar drejtuesve të këtyre institucioneve, thotë se ata duhet të hetojnë deri në fund të gjithë situatën e krijuar dhe të nxjerrë para përgjegjësive ligjore personat që kanë çuar në këtë situatë.
Sipas Kryemadhit, naftëtarët gjenden prej më shumë se tre javësh në grevë urie për të fituar të drejtat e mohuara dhe të grabitura në mënyrë të njëanshme prej pronarëve dhe administratorëve të ARMO.
Letra e plotë
Jam e detyruar t’ju drejtohem lidhur me situatën kritike në të cilën gjenden punonjësit e kompanisë së naftës ARMO sha., dhe përkatësisht punonjësit sipas njësive KPTHN Ballsh, UPN Fier, Flekt Vlorë.
Këtyre punonjësve nuk u është paguar për një kohë shumë të gjatë paga dhe ata vazhdojnë të mos paguhen edhe sot e kësaj dite.
Punonjësit gjenden prej më shumë se tre javësh në grevë urie për të fituar të drejtat e mohuara dhe të grabitura në mënyrë të njëanshme prej pronarëve dhe administratorëve të A.R.M.O.
Situata paraqitet edhe më e rëndë duke pasur parasysh që prej ditësh janë ngujuar punonjëset gra, të cilat kanë punuar për vite me radhë në atë ndërmarrje.
Nga pikëpamja ligjore situata është vërtetë skandaloze pasi, të drejtën e marrjes së këtyre pagave, punonjësit e kanë fituar me vendim gjykate.
Është e patolerueshme që qeveria nuk ka ndërmarrë asnjë veprim, nuk ka monitoruar situatën, nuk ka imponuar gjetjen e zgjidhjeve për punëtorët, ndonëse shteti rezultonte pjesmarrës me 15% në këtë ndërmarrje, dhe kjo pjesmarrje ka patur si detyrim kryesor funksionimin e rregullt dhe në përputhje me ligjin, ku themelore dhe mbi të gjitha mbetet garantimi i të drejtave të punonjësve.
Qeveria me ndërgjegje të plotë ka mbyllur sytë përpara shkeljes për një kohë shumë të gjatë, të të drejtave të punojësve, gjë që ka krijuar këtë tensionim ekstrem social, të natyrshëm të punonjësve, që ka ardhur nga kjo grabitje e mundit dhe e djersës së tyre.
Punonjësit i kanë kërkuar me insistim dhe në mënyrë korrekte këto të drejta të ligjshme të tyre, si dhe kanë organizuar edhe një tjetër grevë urie muaj më parë, në shkurtin e vitit 2020, e cila u mbyll pas kryerjes së një pagese minimale dhe me premtimin nga ana e pronarëve dhe qeverisë për likujdimin e plotë të të gjithë pagave të prapambetura.
Është shumë e qartë të nderuar zotërinj që shkelja e të drejtave të punonjësve ka ardhur si pasojë e shkeljeve shumë të rënda të ligjit dhe kjo situatë paligjshmërie ekstreme është pasuar nga reagimi plotësisht legjitim i punonjësve, të cilët për shkak të papunësisë së imponuar nga veprimet e njëanëshme të pronarëve, janë zhytur në një varfëri ekstreme.
Realisht, përgjegjshmëria ligjore e punojësve dhe korrektesa e tyre, është vendosur përballë dhunimit të ligjit dhe papërgjegjshmërisë e neglizhencës esktreme të qeverisë e cila ka mbajtur një qëndrim refraktar ndaj kërkesave të tyre, duke u vënë haptas në krah dhe në mbështetje të shkeljes së ligjit.
Përshkallëzimi i situatës jo vetëm do të sjellë pasoja të rënda për shëndetin dhe jetën e grave greviste, por do të tensionojë akoma më shumë një situatë sociale që praktikisht është në kufijtë ekstrem të varfërisë dhe për pasojë do të krijonte premisat për një përplasje e cila është plotësisht e evitueshme duke zbatuar ligjin dhe duke likuijduar të gjitha detyrimet e pagave të papaguara, që punonjësve në mënyrë të ligjshme u takojnë.
Kërkoj nga ju që të hetoni deri në fund të gjithë këtë problematikë, nxjerrjen e përgjegjësive ligjore dhe imponimin e fortë ndaj qeverisë dhe pronarëve për zgjidhjen e menjëhershme të problemit, pasi pasojat dhe përgjegjësitë për çdo tensionim të mëtejshëm të situatës, në një zonë ku familje në ekstremin e varfërisë kanë mbetur pa asnjë të ardhur, do të binin vetëm mbi qeverinë dhe pronarët e ndërmarrjes.
Kërkoj gjithashtu edhe verifikimin dhe zbardhjen e të gjitha veprimeve dhe mosveprimeve dhe përgjegjësitë penale që rrjedhin prej tyre, të ministrive përkatëse dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore.
Armon e oruvatizoi Meta dhe Saliu Monik dhe ske ci kerkon Rames