Deputetja e PL-së, Monika Kryemadhi, ka sulmuar ashpër ndërkombëtarët, duke thënë se janë burokratë institucionesh.
Në emisionin “Debat” në A2CNN ajo është pyetur për bashkëpunimin me kreun e PD-së, Sali Berisha, i cili është shpallur “non grata” nga SHBA dhe Mbretëria e Bashkuar.
Sipas Kryemadhit, Partia Demokratike është përtej zotit Sali Berisha.
“Vetë opozitarizmi është përtej liderëve të opozitarizmit. Një opozita e fortë do të krijojë opozitë të fortë. Një opozitë e eliminuar krijon diktaturën e krimit”, ka thënë Kryemadhi.
Kryemadhi tha se në disa bashki do të marrin pjesë në primaret e organizuara nga Partia Demokratike, edhe elementë të PL-së.
“Në disa bashki, ku ka pasur rakordim midis PD dhe PL, ku ka pasur kandidatë të pëlqyeshëm nga opozita, do të ketë një regjistrim të anëtarëve të PL që mund të marrin pjesë në procesin e primareve. Janë kandidatura me probabilitet të lartë për të fituar, por fokusi i PL janë këshillat bashkiakë, që t’i kthejmë në parlamente të qyteteve”, tha Kryemadhi.
/s.f











