Kryediplomati europian Josep Borrell dhe ministri i Jashtëm i Kanadasë, François-Philippe Champagne mbështesin propozimin e kreut të OSBE-së, Kryeministrit Edi Rama për ndërmjetësimin në dialogun për krizën në Bjellorusi.Në një deklaratë të përbashkët ata theksojnë se, “ne, si miq të popullit të Bjellorusisë dhe mbështetës të sovranitetit dhe pavarësisë së Republikës së Bjellorusisë, qëndrojmë pranë dëshirës së popullit për ndryshime demokratike”.
“Prandaj ne mbështesim propozimin e kryetarit të kryesisë së OSBE-së, kryeministrin Edi Rama për të mbështetur dialogun në Bjellorusi me një vizitë të përbashkët së bashku edhe me kryetaren e ardhshme të kryesisë së OSBE, ministren e Jashtme suedeze, Ann Linde”, theksuan Borrell dhe François-Philippe Champagne. “Ne u bëjmë thirrje autoriteteve bjelloruse që të pranojnë këtë propozim pa vonesë. Ne i bëjmë gjithashtu thirrje të gjitha vendeve të tjera pjesëmarrëse në OSBE-së të mbështesin këtë propozim të kryetarit të OSBE, Edi Rama”, u shprehën në deklaratën e tyre Borrell dhe François-Philippe Champagne
“Ne i kemi shprehur qartë dhe në mënyrë të përsëritur qëndrimet tona në lidhje me zhvillimin e zgjedhjeve presidenciale të 9 gushtit në Bjellorusi dhe pasojave të tyre. Zgjedhjet presidenciale nuk ishin as të lira dhe as të drejta. Demonstratat masive në Minsk dhe në të gjithë vendin të dielën e 23 gushtit duhet ta bëjnë të qartë për autoritetet se tani është urgjente të fillohet një dialog kombëtar i hapur dhe konstruktiv për të gjetur një rrugë përpara në Bjellorusi”, theksuan Borrell dhe François-Philippe Champagne në deklaratë.Gjithashtu në deklaratën e tyre Borrell dhe François-Philippe Champagne u shprehën se, “Bjellorusia ka detyrime ndërkombëtare, të cilat ne presim që autoritetet t’i respektojnë. Si një shtet pjesëmarrës në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE), Bjellorusia është zotuar të mbajë zgjedhje vërtet demokratike dhe të mbështesë të drejtat e njeriut dhe liritë themelore. Vetëm një proces paqësor dhe demokratik mund të ulë tensionet e situatës dhe të sigurojë zgjidhje të qëndrueshme”.
“Ne do të vazhdojmë ta ndjekim situatën nga afër dhe të jemi të gatshëm të kontribuojmë në përpjekjet për të zgjidhur në mënyrë paqësore krizën. Kanadaja dhe BE do të vazhdojnë të jenë me popullin e Bjellorusisë dhe do të vazhdojnë të punojnë me partnerët tanë ndërkombëtarë për të siguruar që zërat e tyre të dëgjohen dhe të drejtat e tyre të mbështeten”, përfunduan deklaratën e tyre kryediplomati europian Josep Borrell dhe ministri i Jashtëm i Kanadasë, François-Philippe Champagne.
Rama në rolin e kryetarit të OSBE-së ka shprehur gatishmërinë për të vizituar Minskun dhe për të zhvilluar bisedime më të gjitha palët politike në konflikt, propozim i cili është mbështetur nga SHBA dhe BE.
/a.r